Zbulohet ditari i Skënder Jarecit, strategu i Dinamos së madhe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2016 | 20:04

Zbulohet ditari i Skënder Jarecit, strategu i Dinamos së madhe

Ishte një moment befasues kur më ra në dorë. E hapa me shpejtësi dhe kuriozitet të madh. Një shkrim i bukur, pastaj emra, data, evenimente, skema, gjithçka të renditura në mënyrë sistematike. Një ditar i rrallë sportiv, shumë i veçantë, autentik i Skënder Jarecit, që zbulohet në mënyrë surprizë nga gruaja e tij, Filda, e cila e tregon pas më shumë se gjysmë shekulli. I ruajtur me dashuri e kujdes, i padëmtuar, i takon periudhës 1950-1970, kur ai ka mbajtur shënime.

Një dorëshkrim origjinal me vlera historike, aq të domosdoshme edhe për arkivin sportiv kombëtar, nga krijimi i klubit, te shkolla “Dinamoviti i Ri”, deri te trashëgimia sportive që i la Faruk Sejdinit. Kush ishte Skënder Jareci, të cilin koloneli Xharo e solli në Tiranë, pastaj karriera, familja, Dinamo, ngjashmëria me Herrerën dha dashuria pasionante me Fildën, këngëtaren e Ansamblit?

Jareci 3

Kush është Skënder Jareci?

I datëlindjes 1931, lindur në Durrës, zbulohet si talent për t’u aktivizuar me Dinamon e sapokrijuar të Gjinalit, Begesë, Shaqirit etj. Lojtar shumë inteligjent, elegant, me një teknikë të lartë, një ndër qendërsulmuesit më të mirë që ka pasur historia e futbollit shqiptar. I kompletuar, me intuitë të rrallë, krijues, organizator dhe improvizues.

Nga viti 1950-1963 fitoi 9 kampionate 6 kupa, mbi 40 ndeshje ndërkombëtare, tri herë shënuesi më i mirë (1952, 1957, 1958), protagonist i padiskutueshëm i Dinamos, madje ndër më kryesorët e saj. Pastaj karriera si trajner: Një strateg në drejtimin e ekipit, me skemat e përdorura ai gërshetoi elementin e ri me atë me përvojë, duke futur metoda të reja në stërvitje dhe perfeksionoi sistemin e stilin e lojës.

Trajner në Durrës, pastaj me Vllazninë (fituese e Kupës së Republikës 1965), kthehet në Tiranë dhe merr Dinamon (1966), duke ndërtuar e krijuar një filozofi loje tipike, një traditë që ruhet edhe sot. Për shumë vite punoi edhe si mësues i edukimit fizik në shkollën “29 Nëndori” në Tiranë. U nda nga jeta me 9 mars 1984, vetëm 53 vjeç pas një sëmundje të gjatë e të rëndë.

Jareci 4

Historia e kolonelit që e solli në Tiranë

Asnjë traditë familjare me sportin, madje djalë i një tregtari të njohur në Durrës. Ka qenë Stavri Xharo njeriu që i ndryshoi fatin e jetës, kur e solli në Tiranë dhe e integroi te Dinamo. Madje për shumë kohë i ka mbajtur në shtëpinë e tij tre fëmijët dhe nënën. Dashamirës sporti, me gradë kolonel kishte ndjekur e parë talentin e të riut Jareci në Durrës dhe me krijimin e Dinamos në vitin 1950 e tërhoqi me shpejtësi duke e strehuar fillimisht në një dhomë në banesën e tij. Bashkë me familjen Jareci, kolonel Xharo mori nga Durrësi edhe Qemal Voglin. Janë vitet ’50 kur klubi është krijuar, me selinë te hotel “Nivara” (sot), pastaj te hotel “Vollga” (“Drini” sot) dhe në vitet ’60 në stadiumin “Dinamo” të sapondërtuar.

Dy vëllezër në një skuadër

Jarecët, përveç mbiemrit dhe të qenit vëllezër, i përkasin edhe një klubi: Dinamos. Janë nga rastet e rralla kur në një skuadër aktivizohen dy vëllezër njëkohësisht, madje më pas njëri prej tyre është edhe trajner i tjetrit. Skënder e Namik Jareci kanë luajtur për disa vite në një formacion te Dinamo, ndonëse në role të ndryshme. I pari, pasi mbylli karrierën, e vazhdoi si trajner, ndërsa i dyti vijoi si arbitër futbolli. Edhe vëllai i tretë, Adnani luajti me të rinjtë, pa mundur të marrë famën e dy të parëve. Ndërsa motra, Bardhylja, ka qenë kampione e gjimnastikës, akrobate nga të parat me cirkun e Tiranës, përkrah T. Agollit, B.Kurtit etj.

Jareci 6

Epilog i rrallë

Skënder Jareci e ka lënë futbollin pasi ka shënuar një gol të shkëlqyer në një takim derbi, atë midis Dinamos e Partizanit. Viti 1963, në “Qemal Stafa”, me një roveshatë spektakolare, ka tundur rrjetën e portës së mbrojtur nga Mikel Janku. Një ekzekutim i përkryer, që vetëm një lojtar i talentuar dhe me klas të lartë teknik si ai mund ta realizonte. Takimi u mbyll 1-0 për Dinamon dhe fund karriere për Skënder Jarecin, pas 13 viteve intensive, gjithmonë si protagonist.

“Oferta” e zgjuar e Zyber Konçit

Zyber Konçi, një mjeshtër i madh i shkollës së trajnimit, ishte ai që e mori te Dinamo si ndihmës të tij, për të vijuar bashkë edhe në kombëtare. Intuita e Konçit nuk kishte gabuar dhe Skënder Jareci shumë shpejt do bëhej një ndër trajnerët e spikatur të futbollit shqiptar. Ai është trajneri që ideoi dhe krijoi Dinamon e famshme, atë të viteve ’70, bazuar në lojën akademike tipike dinamase duke krijuar dhe kthyer në traditë shumëvjeçare atë stil.

Pati meritën të alternonte brezin e vjetër me atë të ri duke afruar e seleksionuar talente, lojtarë shumë cilësorë. Nga Çutra, Sejdini, Përnaska, Zëri, Gjoni, Ahmedani, Ibërshimi deri te Ballgjini. Një skuadër që mund të cilësohet nga më të mirat e gjithë kohërave me lojë të bukur, spektakël, gola, kombinim i aftësive individuale me lojën kolektive, klasike të Dinamos “jareciane”.

Jareci 2

Strateg i madh edhe në stol

Në pushim asnjëherë nuk e humbte kontrollin, kishte mprehtësi, aftësi të çuditshme e të jashtëzakonshme për të ndryshuar situata loje. Me gotat e çajit që u sillnin lojtarëve në pushim, ai projektonte skemën e pjesës së dytë, deri në përmbysje rezultatesh të paharruara si në Durrës, nga 0-3 në 4-3. Lojtarët e afirmuar dhe me eksperiencë brenda 90 minutave i poziciononte në role të dyfishta. Ishte një taktikë që e zhvendoste kundërshtarin duke krijuar hapësira në lojën e tij. Kështu vepronte me Çeçon, Çutrën, Çirakun.

Gjithmonë i matur në stol, kishte aftësinë të nuhaste pikat e dobëta të skuadrës përballë e ta godiste aty. Ishte shumë i edukuar, korrekt me njerëzit, i sjellshëm dhe me arbitrat kurrë debat e polemika, madje i njihte të gjithë si dhe psikologjinë e tyre. Shpesh para takimit i orientonte futbollistët: “Ky është arbitër barazimesh, pra kini kujdes”. Me tifozërinë mbante raporte korrekte, ishte i ftohtë dhe nuk krijonte afrimitet me ta.

Filozofia moderne e tij

Nuk i pëlqente të përdorte shprehjet: bjeri, largoje dhe asnjëherë nuk lejonte të godisje topin pa adresë. “Bëje topin me sy”, thoshte. Loja e Dinamos u krijua nga filozofia e tij që i përshtatej dhe kërkonte të luante si Brazili, ndonëse asnjëherë nuk tregonte pasionin për lojtarë, skuadra e kombëtare të huaja, ndër të cilët pëlqente Netzerin, mesfushorin e Gjermanisë, të cilin e konsideronte të jashtëzakonshëm. Ka qenë shumë i zgjuar në zgjidhjen e situatave me lojtarët e vjetër si dhe presioneve që krijoheshin në klub për aktivizimin e futbollistëve të patalentuar, të ardhur me forcë në skuadër.

“Dy janë momentet: Fute në formacion në ndeshje të vështira, pra sakrifiko, se do të jenë njerëzit që do të ta largojnë nga loja. Dhe çasti tjetër, në minutat e fundit kur takimi është i humbur dhe askush nuk e kthen dot, aktivizoje, e sërish do të jenë tifozët që do e nxjerrin nga fusha”, ishin pjesë e filozofisë dhe formave që aplikonte për të tilla raste.

Moment delikat kanë qenë vitet ’67-’68, kur ai mori Dinamon dhe kalimi nga një brez tashmë në fund karriere, te krijimi i një skuadre të re, nuk ka qenë e lehtë. Me disa prej tyre edhe kishte luajtur. Mbante një bllok shënimesh me të dhënat e gjithë lojtarëve, të cilët i donte shumë. Pëlqente futbollistët e rinj, inteligjentë “pasi ata japin maksimumin, të dëgjojnë e zbatojnë këshillat që i jep”, thoshte.

Mbështeti Ahmedanin, Çoçolin, Gjonaj, Pukën, deri te Mujo Targa. Për Zërin ka qenë deciziv, pasi dha garancinë te komisioni i trajnerëve në Mjeshtërinë Sportive, që e pranuan. Përnaskën e admironte dhe ka qenë trajneri që e aktivizoi për herë të parë. Nuk i donte grumbullimet e gjata, preferonte rregullin dhe tjetërsohej kur shihte thyerje disipline. Nuk i pëlqente lojtarët kapriciozë, dinte të sillej me ta. Gjatë stërvitjes, përdorte gjithmonë biskota, pasi vuante nga stomaku.

Jareci 8

Frikë nga vrulli i 17 Nëndorit

Nuk e kishte konceptin e frikës ndaj një kundërshtari, por ndaj vrullit të një skuadre merrte masa. Nëveçanti atij të 17 Nëndorit, në fillim e në fund të lojës dhe jo në pak raste Dinamo e ka pësuar pikërisht në këto minuta kur është ndëshkuar nga klubi tiranas. Ndërsa kur luante ndaj Partizanit kujdesej për mbulimin e Panos. Duke njohur aftësitë individuale të tij, ndërtonte strategjinë në markim individual dhe atë e bënte me lojtarë mbrojtës teknikë.

“Ki kujdes, mos luaj topin e parë, nëse ke dyshim mos ndërhy, ruaj momentin e dytë”, e orientonte Sejdinin. Për herë të parë aplikoi dy qendërmbrojtës në vijë të drejtë: Sejdini-Ibërshimi, në krah Kodrën e Gjinalin apo Mërgjyshin.

Si Herrera, te dyert e lojtarëve

Jo tamam si i famshmi trajneri i Interit që i kontrollonte lojtarët nga vrima e çelësit se çfarë bënin në dhomë gjatë grumbullimeve, Jareci kishte tjetër mënyrë: i trokiste në derë gjithmonë një gjysmë ore para fillimit të stërvitjes. Lojtarët qëndronin në dhomat zhveshjes, në katin e dytë të stadiumit “Dinamo” dhe fusha e stërvitjes për shumë vite ka qenë aneksi përballë tij. Ishte shumë i kujdesshëm në këtë detaj. Vetëm trokiste, asnjëherë ta hapte derën për të parë futbollistët. Pastaj i pari dilte në fushën e stërvitjes.

Me biçikletë si Kovaç

Nuk është se ka ngjashmëri me Stefan Kovaç njeriun që krijoi Ajaksin e madh, i cili nuk përdorte makinë, por në stërvitje, kudo, gjatë kohës së ndërtimit të Ajaksit, atë pjesë të karrierës e ka të lidhur edhe me biçikletën. Me profesionin që kanë, janë shumë detaje që i lidhin komunitetin e trajnerëve dhe në këtë drejtim Skënder Jareci ka qenë i pasionuar pas biçikletës duke e përdorur gjithmonë atë si mjet komunikimi, kryesisht për të shkuar në stërvitje e pas saj kthimi në shtëpi. Një “Diamant”, me ngjyrë vishnje, ndër markat e famshme të biçikletave të kohës, Jarecin do ta shihje gjithmonë nën shoqërinë e pandarë të saj.

Jareci 5

Kitara, shahu dhe “Rekordi”, pasionet e tij

Nuk ka pirë asnjëherë cigare, as pije alkoolike. Pëlqente muzikën, shkonte në “Opera”, mik me Avni Mulën, Ibrahim Tukiçin, ndërsa kitara ka qenë një tjetër pasion i tij. Me Leonidha Dashin që i binte fizarmonikës dhe Qamo Allunin, lojtar mik i tyre, si shkodran që ishte, këndonte mjaft mirë sidomos gjatë grumbullimeve të gjata, ku shpesh organizonin mbrëmje argëtuese.

Por Jareci ka qenë një mjeshtër i vërtetë edhe në shah. Oficerë madhorë e kërkonin dhe pëlqenin të luanin me të. Pa harruar pingpongun, lojë që e ka praktikuar edhe për një motiv të rëndësishëm, pasi portierit Qemal Vogli i shërbente për të ndihmuar reflekset dhe Jareci luante në mënyrë sistematike me të. Një sekret: “Ka qenë nga të parët që ka pasur një televizor të vogël rus ‘Rekord’. Ia kishte blerë në vitet ’65 një ish-studenti në Bashkimin Sovjetik. Ka qenë shumë i lidhur me të, pasi aty shihte ndeshjet dhe Xhankarlon, teknikun e riparimit e kishte ndër miqtë e afërt edhe për faktin që i riparonte ‘Rekord-in'”.

Familja, gruaja dhe vajzat

Dashuria e Skënder Jarecit me Fildën, bashkëshortja, është pak ndryshe, pasi ishte muzika që i lidhi përjetësisht, madje si një nga dashuritë sentimentale të veçanta e të rralla për kohën, kur martohen dy të famshëm, siç janë rastet e një sportisti me një artiste. Të njohurat motra Mirdita, këndonin me Ansamblin e Tiranës, ndër të cilat Jozefilda, që do të ishte gruaja e Skënder Jarecit dhe Edi, ajo e regjisorit të Mihallaq Luarasi.

Fildën, me të cilën u njoh gjatë shfaqjeve në fundjavë, mësuese për shumë vite në shkollën “7 Marsi” në kryeqytet, ajo ka qenë dhe mbetet dashuria unike e Skënder Jarecit. Me të ka ndarë, diskutuar gjithç- ka. Jareci trashëgoi dy vajza, Ilva dhe Ina. Madje, me të dytën është bërë baba kur ishte trajner në Shkodër. Ina, një volejbolliste e famshme me klubin e Dinamo dhe Kombëtaren e viteve ’90, u largua për në Bari të Italisë gjatë eksodit masiv të ’90-ës, ku jeton edhe sot.

Filda: Si e kam ruajtur ditarin

Ka qenë i vetmi dokument sportiv që Jareci e ka ndarë dhe veçuar, ndërsa të tjera materiale nga ato çfarë kishte ia “dorëzoi” Faruk Sejdinit. “Skënderi ishte shumë sistematik, i kujdesshëm, i rregullt në gjithçka. Familjar dhe prind, korrekt në çdo raport me miq, shokë, sportisë e në familje. Ditarin e ruante me kujdes, pa menduar se një ditë mund të kishte interes e vlerë”, tregon Filda. Ditari, i mbajtur mirë, nuk do të shfaqej për shumë vite, vetëm kur gruaja do ta nxirrte për ta parë e kujtuar bashkëshortin, si njeriun e pandarë të jetës. Nuk e ka ditur askush, përveç Fildës, që e ka trajtuar me shumë vëmendje atë dokument të rrallë.

Nëse në Itali, gruaja e Helenio Herrerës, Fiora Gandolfi, piktore me profesion (artiste edhe ajo), pas vdekjes së tij, publikoi “La mia vita con Mago”, një libër me dorëshkrimet, skemat taktike të Interit të Madh, bashkë me momente të jetës së tyre bashkëshortore, një histori e ngjashme është edhe rasti me ditarin që Skënder Jareci i ka lënë Fildës, por me dëshirën për të ruajtur privatësinë, ajo nuk preferon të imitojë askënd në këtë drejtim.

Jareci 7

Çfarë gjejmë te “Ditari” i Jarecit?

Viti 1950, krijimi i Dinamos, e lexojmë mjaft qartë: “Më 18 shkurt 1950, me iniciativën e udhëheqjes së Ministrisë P.Brëndshme, u krijua ekipi i futbollit Dinamo e Tiranës me përbërjen e këtyre lojtarëve: Xh. Shaqiri, S. Peqini, Z. Gjinali, P. Mirashi, H. Bakalli, Q.Teliti, B. Boriçi, K. Sherko, B. Kavaja, B. Vathi, Q. Vogli, S. Jareci etj. Trajner Ludovik Jakova. Me qëllim që të bëhej stabilizimi i ekipit u zhvillua ndeshja e parë në qytetin e Lezhës, ndeshje të cilën ekipi e fitoi me rezultatin 3-0, gola të shënuar në fazën e fundit të pjesës së dytë”.

Pastaj vijon me të gjitha ndeshjet e “Dinamos në të parin kampionat, nga takimi hapës me “Elbasanin” me 26 shkurt – 1950, 2-0 deri tek e fundit me 10- VII, 1950, 2-2 me “Partizanin” duke sqaruar edhe një detaj. Shënim: kampionati ka qenë me 12 ekipe. Fituam titullin kampion me golaverazh 53-6; 16 fitore, 1 barazim , 1 humbje ( 2-3 me Besën). Golashënuesit: Z.Gjinali 8; Q. Teliti 5; P.Mirashi 6; H. Bakalli 6; S. Jareci 12; B. Borici 1; B. Vathi 1; B. Kavaja 2. Pastaj, kampionate, kupa e trofe, deri te ndeshjet miqësore e të rinjve.

Sfida, skema, taktikë, rezultate, golashënues, renditje, madje edhe numri i spektatorëve ka kolonën e tij. Pastaj një pafundësi me emrat e legjendarëve të klubit, Begeja, Vila, Veria, Gjyli, Teliti, Mirashi, Bakalli, Kavaja, Peqini, Vathi, Vogli, Shaqiri, Tafmizi, por edhe debutimin e Ramës e Qoshes, Gjocit, Stamos, Hallunit, Buzit, N. Jarecit, Gjinalit, Sejdinit, Dinellës, si dhe golat e Lubonjës, Bespallës, Duros, Konimit, Zekthit, Bushatit,Vorfit, Shalës, Pilikës, Çeços, Zhegës, Hysit, G. Xhafës, D. Shehut, S. Dautit, Përnaskës, Çutrës, Zërit, futbollistë, një pjesë e të cilëve ishin zbulim i tij. Të paktën deri në fund të viteve ’70, gjithçka e shkruar me dorën e tij.

Çelet “Dinamoviti i Ri”

Një tjetër detaj i rëndësishëm historik, ka qenë hapja e Shkollës Sportive në Shqipëri. Jareci shkruan: “Me iniciativën e ‘Klubit Sportiv Dinamo’, për herë të parë në vendin tonë u çelën në shtator të 1958 Shkolla Sportive ‘Dinamoviti i Ri’ me rrethet volejboll, futboll, atletikë, boks. Mbarë fëmijë të kryeqytetit e mirëpritën këtë nismë dhe qysh në ditët e para u regjistruan mbi 200 fëmijë.

Mbasi u bënë provat nga një komision u bë inaugurimi i shkollës, të cilën e çeli Kolonel Gani Goxhi N/Kryetar i klubit Sportiv ‘Dinamo’. Me fëmijët të ndarë në rrethe filloi stërvitja e rregullt në futboll me trajner S. Dedën, L. Dashin, I. Zhukën; volejboll me V. Kojën, boks M. Karagunin dhe në atletikë me E. Shakon”.

Jareci 1

Trashëgimia sportive te Faruk Sejdini

Mbrojtës i Dinamos, Kombëtares, nga vitet 1965 deri 1978, sapo e ka lënë futbollin. Por lidhja me Skënder Jarecin ka një moment të veçantë për Sejdinin: “Shkodër, 1968, Kupë Republike, një ndeshje që Jareci më aktivizoi, ndonëse isha shumë i ri. Interesim i madh në rrugë e stadium, në dyluftim e sipër me Rragamin, Rama del nga porta, unë e godas topin drejt tij, duke shënuar autogol. Humbasim 3-0, eliminohemi dhe unë prisja të nesërmen ‘kryqëzimin’ e gjeneralëve.

Por, Jareci me një strategji të paparë e filloi analizën pikërisht me mua, duke më marrë si shembull për lojën e mirë që kisha zhvilluar. Ma njihte temperamentin e që unë mund të sakrifikoja edhe në mesnatë për klubin. Shpesh shkëmbenim ide dhe gjatë kohës kur luaja dhe ai ishte trajner, asnjëherë nuk i kam thënë ‘jo'”, tregon Sejdini.

Takimi i paharruar

Me propozimin e Skënder Jarecit që ka nuhatur se te Sejdini, ai ka vazhduesin e tij, e kanë caktuar të drejtojë ekipin Shpresa të Dinamos. Ndërsa “Ditarin” e ka futur thellë në arkivin e familjes, eksperiencën, skemat, seancat stërvitore, faqe blloku, gjithçka të shkruar e të hedhur në letër, ndër vite, një ditë ka vendosur që të mos i mbajë, por t’ia japë dikujt. Është një eksperiencë disavjeçare, që do t’i shërbente Faruk Sejdinit si trajner i suksesshëm me mjaft skuadra shqiptare.

“Kam pasur një arsenal të madh, një thesar i vërtetë, deri në hollësi të trajningut. Për shumë vite më kanë shërbyer, por duke mos qenë i kujdesshëm, mjaft prej tyre nuk i kam më, pasi m’i kanë kërkuar kolegë dhe nuk m’i kanë kthyer. Më kanë mbetur vetëm disa plane stërvitore javore”. Kështu i rikthehet Faruk Sejdini asaj çka Jareci i la. “Karriera ime sportive është e lidhur vetëm me të, si futbollist, pastaj si trajner. Edhe pasi u shkëput nga futbolli, mbanim raporte të mira, ndonëse takoheshin më rrallë, për faktin se stomaku e shqetësonte vazhdimisht dhe ishte i kufizuar në lëvizje”.

Pastaj takimi në një lokal në Tiranën e Re, në pranverën e vitit 1980. “Ti ke vendosur t’i futesh kësaj rruge. Kam menduar që t’i jap ty çfarë kam, bashkë me to edhe një këshillë: ‘Letrat, shënimet e mia, ia ku i ke. Por, mos harro që këto i ka e gjithë bota. Që të jesh trajner duhet ta ndjesh, të kesh nuhatje, pasi kjo punë do ‘hundë’, përveç njohjes. Është zanat i vështirë. Dhe e fundit: ‘Nuk dyshoj të inteligjenca jote'”.

NGA UVIL ZAJMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"