Zbulimi i sezonit te Teuta e Arapit, kush është mesfushori 20-vjeçar me shpirtin e liderit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2022 | 23:14

Zbulimi i sezonit te Teuta e Arapit, kush është mesfushori 20-vjeçar me shpirtin e liderit

Vetëm 20 vjeç, por me shpirtin e liderit. Ledio Beqja është zbulimi i këtij sezoni te Teuta, duke marrë një vend titullari pas emërimit të Renato Arapit si trajner.

Ledio Beqja

Mesfushori i qendrës, pas disa paraqitjeve të mira, arriti të shënojë edhe golin e tij të parë në Superiore me fanellën e “djemve të detit”. Në një intervistë për “Panorama Sport”, i riu i dalë nga akademia e Teutës, tregon për momentin fantastik.

Ledio, pas tri sezonesh pjesë e ekipit të parë, më në fund vjen edhe goli në Superiore…

Për mua ishte ditë fantastike, jam shumë i lumtur që arrita të shënoja ndaj Egnatias. Këtë sezon po luaj titullar dhe të shënosh është diçka e bukur. Ka qenë një 90-minutësh ku u mundova të bëja më të mirën. Te goli nuk u mendova gjatë, sapo pashë topin pas krosimit të Kotobellit nga këndi, kërceva me kokë dhe e dërgova në rrjetë. Kur shënon për herë të parë ndjesia është e çuditshme. Festimi me shokët e ekipit më emocionoi shumë.

Keni mbushur 20 vjeç, por keni kaluar në të gjitha ekipet zinxhir të Teutës. Si ka nisur karriera për ju?

Lidhja ime me futbollin ka nisur që kur isha 5 vjeç. Njeriu që më ka shtyrë drejt këtij sporti është babai. Ai është i apasionuar pas futbollit dhe donte që unë të bëhesha futbollist profesionist. Arritja për të cilën jam krenar për momentin, është fakti që jam shpallur kampion me Teutën dhe po luaj rregullisht në Superiore. Jam i lumtur edhe për faktin se kam qenë pjesë e Kombëtareve të moshave.

Cili ishte mesazhi më i veçantë që morët pas golit me Egnatian?

Pas ndeshjes, për mua ishte një atmosferë shumë e mirë. Më uruan të gjithë shokët e mi brenda dhe jashtë fushës, por gjithashtu stafi me në krye Arapin dhe natyrisht familjarët. Golin ua dedikoj atyre.

Këtë sezon, pas ardhjes së Arapit trajner, po luani titullar. E prisnit?

Po, është e vërtetë. Jam munduar që të jem në çdo moment shumë i përqendruar, duke zbatuar detyrat e dhëna nga trajneri. Në ndeshjen e fundit ishim nën presion, pasi na duhej fitorja patjetër, sepse largonim një herë e mirë rrezikun e “play out”-it. S’kam bërë gjë akoma, jam me këmbë në tokë dhe rëndësi ka që të ecë ekipi mirë.

Unë po marr më shumë minuta dhe kam fatin që kam lojtarë me eksperiencë në ekip, nga të cilët po mësoj shumë. Shpresoj të vazhdoj kështu dhe të paraqitem sa më mirë me Teutën, duke u rritur si lojtar.

Aktivizimi me Teutën ju ka mundësuar edhe ftesën nga Kombëtarja U-21…?

Kur kam mësuar për herë të parë për ftesën nga Shqipëria, kam qenë shumë i emocionuar dhe i lumtur. Shpresoj që të jem sërish i ftuar nga Shpresat.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"