Zapata: Trashëgimia e Tiago Silvës nuk më tremb

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2012 | 13:46

Zapata: Trashëgimia e Tiago Silvës nuk më tremb

I takon blerjes më të fundit të Milanit, pra mbrojtësit Kristian Zapata të marrë trashëgiminë e Tiago Silvës. Dje mbrojtësi kolumbian, gjatë prezantimit të tij të parë me fanellën e Milanit, ka bërë të ditur se trashëgimia e brazilianit nuk e tremb.
Zapata, kur e morët vesh që po lindte mundësia e transferimit tuaj te Milani si u ndjetë?
Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Sapo mora vesh për interesimin e Milanit, u ndjeva mirë. Kam pritur me padurim që tratativat të mbylleshin me sukses. Tani që mbaroi gjithçka, mezi pres të nis stërvitjen në Milanelo.
Si ju duket rikthimi në Itali dhe ç’mendim keni për trajnerin Alegri?
Kam kaluar gjashtë vite të mrekullueshme në Itali dhe jam i lumtur që më në fund rikthehem në shtëpi. Në Spanjë kam hasur në vështirësi të shumta, tani jam i lumtur që ndodhem këtu. Alegri është një person i aftë, çka e ka treguar qartë gjatë këtyre viteve te Milani.
Ju luani në qendër dhe në të djathtë, cili është pozicioni juaj i preferuar?
Në Spanjë më pozicionin menjëherë në të djathtë, për të qenë i sinqertë e pata shumë të vështirë të ambientohesha. Milanit tani i mungojnë dy qendërmbrojtës si Tiago Silva dhe Nesta, ndaj më takon mua t’u tregoj të gjithëve se jam një futbollist i vlefshëm për këtë skuadër. Fizikisht jam mirë, megjithëse do punoj akoma më tepër për të dhënë maksimumin tim në fushë.
Ju tremb fakti që Milani u ka përzgjedhur juve që të merrni trashëgiminë e Tiago Silvës?
Asgjë nuk më tremb në futboll. Mund të luaj përkrah të gjithë lojtarëve që ka Milani, megjithëse më mirë lë të flasë fusha për mua. Prisni dhe do të më shikoni…
E njihni Antonio Kasanon?
Antonio është një djalë i mirë, i cili qesh dhe tallet me të gjithë. Kjo është diçka pozitive, që i bën mirë skuadrës.
Jeni takuar me mikun tuaj Mario Jepes?
Pranova të vija te Milani, sepse është një klub me një histori të madhe. Unë erdha këtu për të fituar. Nuk kam folur me Jepesin, pasi është në grumbullim me kombëtaren.
Ndiheni mirë kur luani përkrah tij?
Sigurisht, sepse së bashku kemi formuar dyshen e qendrës në kombëtare.
Pse zgjodhët të mbanit mbi fanellë numrin 17?
Zgjodha këtë numër, sepse më datë 17 maj ka lindur vajza ime.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"