Klubi turk i ka 2,2 milionë euro borxh, sulmuesi shqiptar fiton betejën në FIFA dhe largohet: Fatkeqësisht koha ime në skuadër ka marrë fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2024 | 22:38

Klubi turk i ka 2,2 milionë euro borxh, sulmuesi shqiptar fiton betejën në FIFA dhe largohet: Fatkeqësisht koha ime në skuadër ka marrë fund

Nuk është befasi dhe asgjë e panjohur që skuadrat turke të jenë të zhytura në borxhe dhe të mos jenë korrekte me pagesat ndaj futbollistëve.  

BYTYQI

Por skuadra e njohur turke, Antaljaspor, së fundmi humbi një betejë në FIFA me shqiptarin e Kosovës, Zymer Bytyqi, i cili fitoi betejën me klubin bardhekuq duke dalë lojtar i lirë. Futbollisti e kishte paditur klubin në FIFA për tre rroga të pa paguara. 

FIFA i dha leje klubit turk 15 ditë për të shlyer borxhin ndaj sulmuesit kosovar, por Antaljaspor nuk kishte arritur dot t’i siguronte paratë dhe shtëpia më e madhe e futbollit botëror i dha të drejtë Bytyqit që ta shkëpusë në mënyrë të njëanshme kontratën e tij. 

Kjo gjë ia ka vështirësuar edhe më shumë punët Antaljasporit, që tani jo vetëm tre pagat që i kanë borxh, por do të detyrohen t’i paguajnë Zymer Bytyqit 2,2 milionë euro, deri në fund të kontratës e cila ishte deri në fund të sezonit 2025/26. 

Së fundmi lojtari ka bërë një postimi në “Instagram” duke shkruar:  

“Për shokët e mi të skuadrës, mbështetësit dhe miqtë fantastikë në Antaljaspor, fatkeqësisht koha ime në klub ka marrë fund.. Më ka pëlqyer qëndrimi në Antalia, por si futbollist karriera jote është e shkurtër me ulje-ngritje, në fund duhet besim në kontrata dhe kushte. Ju uroj juve dhe klubit gjithë të mirat në të ardhmen dhe faleminderit për gjithë mbështetjen”, ka shkruar Bytyqi. 

27-vjeçari ka zhvilluar 33 ndeshje me fanellën e Antaljaspor këtë edicion, teksa ka shënuar dy gola dhe ka asistuar në katër të tjerë. 

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"