VLLAZNIA/ Zmijani vë alarmin: Kemi 6 muaj pa rroga, nuk është normale!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2019 | 10:43

VLLAZNIA/ Zmijani vë alarmin: Kemi 6 muaj pa rroga, nuk është normale!

Luan Zmijani e ka drejtuar Vllazninë për një periudhë 5-mujore në vitin 2015 dhe më pas është fokusuar te puna në akademinë kuqeblu, aty ku ka njohur suksese të njëpasnjëshme. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, 43-vjeçari që ka fituar trofe si lojtar me Vllazninë dhe gjithashtu si trajner i U-19, ka pranuar të flasë për situatën te kuqeblutë në këtë start sezoni. Ai ndalet edhe te problematika që po shoqëron akademinë, duke pranuar se nuk po paguhet prej 6 muajsh.luan zmijani

Zmijani, si e shikoni startin e këtij sezoni për Vllazninë?

Është një start pozitiv. Këtë e them për pikët e marra, kundërshtarët që ka pasur dhe po ashtu edhe te loja që po zhvillon skuadra. Po shikojmë një ekip me grintë që kërkon deri në fund rezultatin. Por, nëse do të kishim një manovër sulmuese më efikase, sot Vllaznia do të kishte më tepër pikë.

Klubi pret shumë nga brazilianët Emerson dhe Uenderson, ndërsa përpara ardhjes së tyre iu besua Zogajt maja e sulmit. Mendoni se ka të tjerë elementë që mund t’u besohet?

Unë vlerësoj besimin që po u jep trajneri Jonuz të rinjve që kanë dalë nga akademia. Zogaj, pavarësisht se nuk është një lojtar tipik sulmues, mendoj se po bën mirë punën e tij dhe duhet që të besohet tek ai, por edhe te sulmuesi Pusi. Nuk dua të bëj vlerësime për brazilianët, pasi duhet të presim për të thënë diçka më shumë. Por, vijoj të jem i mendimit që duhet besuar te Zogaj me shokë.

Vetëm një gol në katër ndeshje. Është shqetësuese kjo situatë?

Po, kjo është e vërtetë. Skuadra shkon mirë deri në zonë dhe nuk finalizon. Shpresoj se kjo të ndryshojë, madje që në takimin me Luftëtarin.

Mund të jetë përballja ndaj Luftëtarit si shpërthim për sulmin?

Nuk ka asnjëherë përballje të lehta, diferencat janë shumë të vogla. Vllaznisë i duhet të fitojë medoemos për të ecur në këtë rrugë të nisur, në të kundërt gjithçka fashitet. Ndërsa Luftëtari ka një plus të madh në këtë takim, sepse luan në Shkodër pa tifozë. Presioni është mbi Vllazninë dhe jo mbi Luftëtarin. Por, unë mendoj se mundësitë për ta fituar këtë takim janë shumë të mëdha.

Zmijani

Çfarë po ndodh me akademinë dhe sa kanë ndikuar problemet financiare në punën që po bëhet?

Këtu punohet dhe nuk shikohet çfarë na mungon ne si trajnerë dhe ta përcjellim te lojtarët. Ne bëjmë punën tonë, por është e vërtetë që kemi afro 6 muaj që nuk kemi marrë rrogat që na takojnë si trajnerë. Ne nuk jemi me vetëfinancim, por të gjitha pagesat që vijnë nga akademia hidhen në një llogari e cila administrohet nga bashkia dhe pastaj na jepen pagat tona.

Çfarë ju kanë thënë nga ana e bashkisë?

Nuk i dimë shkaqet, por ne kemi 6 muaj që nuk paguhemi për punën që kemi bërë dhe po vazhdojmë bëjmë. Shpresojmë që kjo situatë të zhbllokohet, pasi nuk është normale. Çështjet mund të jenë burokratike, pasi dihen tanimë problemet e bashkisë, por kjo duhet që të marrë një zgjidhje.

Vllaznia U-19 e nisi me një barazim në Laç. Çfarë prisni nga ky sezon?

Nuk është e thënë se nuk e nisëm siç duhet dhe të mos vazhdohet mirë dhe të shkojmë aty ku kemi qenë. Nga ekipi i vjetshëm janë larguar 90% e lojtarëve, të cilët sot luajnë në ekipet e të rriturve të Vllaznisë, Bylisit, Besës etj.

  1. Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"