Verdheblutë shpresojnë te matematika për kreun, Elbasani planifikon të festojë titullin në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2024 | 13:12

Verdheblutë shpresojnë te matematika për kreun, Elbasani planifikon të festojë titullin në shtëpi

Në ndeshjen e fundit të fazës së dytë, Elbasani humbi mundësinë për të mundur Bylisin dhe të ishte ai ekipi që do të printe i pari në klasifikim, para nisjes së fazës së tretë. Fakti që verdheblutë nuk fituan dot, i la ata të dytët në renditje pas Bylisit, dhe në bazë të formulës ndeshja e fundit e sezonit do të luhet në qytetin e Ballshit.

elbasani

Praktikisht, duke parë sesi po shkojnë gjërat, mund të jetë edhe sfida që do të përcaktojë edhe ekipin kampion të së Parës. Nëse atëherë ishte një detaj që ndoshta nuk bëri shumë përshtypje, tani më shumë se kurrë po hidhet ideja që kjo ndeshje të luhet në Elbasan, për shkak të interesimit të madh nga ana e tifozëve, por edhe “reklamës” pozitive për kampionatin shqiptar.

PRAPASKENAT – Bëhet fjalë për një ide në fakt që është hedhur fill pas ndeshjes së fazës së dytë në Ballsh, por që u la aty. “Panorama Sport” zbulon edhe prapaskenat mes dy presidentëve, Besnik Kapllanajt të Bylisit dhe Kujtim Llupës të Elbasanit, të cilët e kanë diskutuar këtë gjë mes tyre, për mundësinë që kjo ndeshje të luhet në qytetin e Elbasanit. Ka qenë Llupa që gjatë një dreke para nisjes së ndeshjes, i ka shfaqur këtë dëshirë. Mësohet se nuk ka pasur një “jo” të prerë nga Kapllanaj, duke dhënë idenë që mund të ndodhë. Fakti që në sfidën e fazës së parë, pati një rekord prej 7 mijë tifozësh dhe Bylisi nuk pat probleme, ka joshur në njëfarë mënyre edhe kampin ballshiot. Fakti që të dyja skuadrat e kanë siguruar ngjitjen në elitë për sezonin e ardhshëm, mund ta bëjë më të lehtë arritjen e një marrëveshje të tillë.

NGËRÇI – Megjithatë, edhe nëse dy ekipet bien dakord, në fund duhet marrë vendimi nga FSHF-ja, pasi është ajo organizatorja e garës. Problem tjetër është edhe fakti se pavarësisht se të dyja ekipet kanë siguruar ngjitjen në Superiore, nuk është përcaktuar ende fituesja e kampionatit. Nëse Elbasani do të ishte të paktën katër pikë para Bylisit, përpara arritjes në ndeshjen e fundit, atëherë do të ishte gjithçka më e thjeshtë. Nga ana tjetër, janë edhe biletat në lojë, pasi bëhet fjalë për disa miliona që mund të arkëtohen dhe Bylisi, që të bëjë këtë “lëshim” ndoshta mund të përfitojë diçka nga shitja e tyre. Gjithsesi, deri para kësaj ndeshjeje janë edhe dy për t’u luajtur ende dhe mbetet për t’u parë nëse përgjatë këtyre ditëve do të ketë ndonjë kërkesë apo bisedë zyrtare për ta vendosur përfundimisht se ku do të luhet. Kujtojmë që qyteti i Elbasanit nuk përfaqësohet në Superiore prej 10 vitesh, ndërkohë që vetë skuadra AF Elbasani ka tre vite jetë. Nëse takimi me Bylisin luhet në Elbasan, atëherë pritet një stadium, plot.

 

PËRGATITJET

Me shumë mungesa në skuadër, dy për pezullime, si Hila dhe Karakaçi, një për dëmtim, siç është rasti i Telushit dhe mungesa e Bobit për kartonë, ka vënë në dilema Nevil Deden sa i përket titullarëve për ndeshjen me Vorën ditën e hënë. Për këtë arsye, tekniku do të duhet të bëjë disa riparime në skuadër dhe të hedhë në fushë ata që kanë pasur më pak minuta në dispozicion. Synimi është që të vazhdohet me ritmin e rezultateve pozitive, edhe për faktin se duan patjetër që këtë vit ta mbyllin si kampionë.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"