Ragnik gati për firmën te Bajerni, zbulohet kontrata dhe premtimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2024 | 13:00

Ragnik gati për firmën te Bajerni, zbulohet kontrata dhe premtimi

Bisedimet mes Ralf Ragnik dhe Bajern Mynih kanë hyrë në fazë “të nxehtë” dhe shumë shpejt pritet që të ndodh zyrtarizimi i tratativave. Prestigjozja “Bild” shkon më tej, duke nxjerrë në dritë edhe kushtet e kontratës, të cilat vënë në dukje sesa i rëndësishëm është 65-vjeçari në planet e klubit më të titullar në Gjermani.

Ralf Ragnik

KUSHTET – “Bild” raporton se kontrata do të jetë 2- vjeçare, me opsion edhe për një vit zgjatjeje, çka nënkupton se Ragnik do të qëndrojë në Mynih minimalisht deri në verën e vitit 2026. Panorama në fjalë paraqet planin serioz me ish-teknikun e Mançester Junajtidit. Por kjo nuk është e gjitha. Drejtori sportiv Kristof Frojnd dhe Shefi Jan-Kristian Dresen kanë përdorur metodën e “tundimit” për ta bindur “timonierin” e përfaqësueses austriake.

PREMTIMI – Në propozimet që i janë prezantuar Ralfit, ceket edhe dora e lirë në tregun e transferimeve. Tomas Tuhel e ka vuajtur këtë detaji, sikurse Nagelsman. Ragnik kërkon të bëjë ligjin në Mynih në çdo drejtim. Pushteti që bordi i ka servirur një trajner pa eksperiencë të mjaftueshme dhe pa tituj të rëndësishëm në Europë ka shfaqur habi te mediat ndërkombëtare. Fansat e Bajern Mynih e kanë shprehur hapur qëndrimin e tyre, kundër zbarkimit të Ralf Ragnik në “Allianz Arena”, madje duke shkuar deri në peticion publik.

LIRIMI NGA AUSTRIA – Përfaqësuesja e Austrisë është e lidhur me ish-trajnerin e Lajpcig deri në vitin 2026, çka do të thotë se bavarezët duhet të paguajnë disa mln euro në arkat e federatës që ka lidhje aktive me Ragnik. Aludohet për 2-3 mln euro. Nëse marrim në konsideratë klauzolën e Nagelsmanit në verën e vitit 2021 ku depozituan 25 mln euro në adresim të Lajpcig, për lirimin e Julianit, kuota në fjalë merr ngjyrime të papërfillshme.

SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"