Flamurtari nuk fal, Luzi zbret në Kategorinë e Dytë me golin e La Torres. Peruani karikon vlonjatët para “play off”-it

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2024 | 12:00

Flamurtari nuk fal, Luzi zbret në Kategorinë e Dytë me golin e La Torres. Peruani karikon vlonjatët para “play off”-it

Flamurtari “hakmerret” ndaj Luzit dhe e dërgon në Kategorinë e Dytë. Vlonjatët e Eqerem Memushit fituan në shtëpi minimalisht, 1-0, me golin e shënuar në pjesën e parë nga Sebastian La Torre. Kuqezinjtë vinin në këtë takim të “sakatuar” për shkak të dëmtimeve, pa 7 titullarë.

flamurtari luzi

Formacionit i mungonin Deliaj, Sidibe, Diamanti, Vucaj, Shkurtaj dhe Antoni Beji të dëmtuar. Mungesë e madhe ishte edhe portieri Aldo Teqja i pezulluar nga kartonët. Flamurtari e nisi takimin në sulm ku që në start La Torre vendos në vështirësi portierin Matin me një gjuajtje brenda zonës. Më pas tenton me një gjuajtje të fortë vlonjati Leshi, por topi përfundon jashtë. Vlen të përmendet edhe një rast i Podrimcakut, por që nuk ka forcën e duhur. Trajneri Memushi nuk kërkon të rrezikojë, por lë vetëm 26 minuta në lojë Beqjan dhe Frashërin, për t’i pasur për takimet e “play off”-it.

I pari zëvendësohet nga 18-vjeçari Bregova, ndërsa i dyti nga Vitja. Flamurtari vijon dominimin, ndërsa Luzi duket pa busull, duke parandiere fatin e keq. Shifrat u zhbllokuan në minutën e 43-të. Nga e djathtë Paulo Pjeshka shërben për La Torre, i cili brenda zonës shënon. Me rezultatin 1-0 u mbyll pjesa e parë. Flamurtari e nis fraksionin e dytë me ndryshime. Memushi nuk ka çfarë humbet dhe provon edhe dy lojtarë të rinj Skënderaj dhe Hajrulla, pjesëtarë të akademisë. Përpos rasteve të krijuara në këtë pjesë, i gjithë takimi u mbyll me fitoren 1-0 të Flamurtarit ndaj Luzi 2008.

 la torre

La Torre karikon vlonjatët

Sebastian La Torre, autori i golit të fitores së Flamurtarit ndaj Luzit u shfaq i lumtur pas sfidës. Për “Panorama Sport, sulmuesi nga Peruja u shpreh: “Jam shumë i lumtur që shënova golin e fitores. Falënderoj Zotin për gjithçka që më jep në jetë dhe karrierë. Kam një falënderim edhe për Paulo Pjeshkën për ndihmesën që më dha. Tani sytë i kemi te ndeshjet e “play off”-it për të dhënë maksimumin tonë. Duhet ta çojmë Flamurtarin ku e ka vendin”.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL   

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"