Elbasani kampion i së Parës, trajneri Nevil Dede: Gjithë qyteti krenohet me lojtarët e mi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2024 | 13:02

Elbasani kampion i së Parës, trajneri Nevil Dede: Gjithë qyteti krenohet me lojtarët e mi

Elbasani është në festë. Verdheblutë janë matematikisht kampionë të Kategorisë së Parë një javë para mbylljes së saj, duke e bërë në mënyrën më spektakolare të mundshme, me një fitore të thellë 5 me 0 kundër Tomorit në “Elbasan Arena”.

elbasan

Tripleta e Lleshit dhe golat e Grecës me Bobin çuan në delir afro 2 mijë të pranishmit. Në stadium nis festa, e cila vazhdon edhe në rrugët e qytetit, teksa tifozët dolën me automjetet e tyre për të kremtuar këtë arritje. Sakaq, edhe ekipi u mblodh në një nga baret e qytetit, duke konsumuar edhe ndonjë birrë më shumë dhe qëndruar aty deri në mesnatë.

PJESA E PARË

Përballja nis me vrull që në startin e saj, teksa Elbasani t’i afrohet golit me anë të Lleshit. Asiston Hasani, me sulmuesin që godet fort pranë zonës, por sfera stampohet në tranversë. Nga ana tjetër, beratasit vënë në provë Totoshin me dy gjuajtje të Hysollit dhe Kasmollarit. Sfida ka ritëm, sepse edhe miqtë luajnë hapur. Gjithsesi, janë verdheblutë ata që dominojnë dhe i afrohen në dy raste golit me anë të Zaimit dhe Peres, por miqtë largojnë mrekullisht topin nga drejtimi i portës. Në të 34-ën do të vijë edhe goli, me Lleshin që devijon si duhet një top pa shumë pretendime dhe verdheblutë me këtë rezultat janë matematikisht kampionë. Për të mbyllur përfundimisht hesapet është sërish Lleshi, që kësaj here realizon me kokë pas asistit të K. Kasës në minutën e fundit të pjesës së parë dhe i sigluar shifrat në 2 me 0.

PJESA E DYTË

Ky fraksion nis menjëherë “zjarr”, me Totoshin që eviton golin e Oshafit i vetëm me të. Pak sekonda më vonë është Greca që me një gjuajtje fluturimthi në zonë e ndal në rrjetë, duke i dërguar shifrat në 3 me 0 dhe hipur në krye të listës së golashënuesve i vetëm. Në të 56-ën është sërish Arsen Lleshi që e ndal sferën në rrjetë, me një goditje të saktë brenda zonës, duke realizuar tripletën personale. Luan vetëm Elbasani, me Bobin që i afrohet shumë golit, por është shtylla që ia mohon. Dede aktivizon edhe golashënuesin e të rinjve, Kron Abdiu, për t’i dhënë minuta, i cili shfaqet rrezikshëm në mundësitë që i jepen. Në fundin e sfidës Bobi do të gjente rrjetën me një goditje spektakolare brenda zonës, duke i dërguar shifrat përfundimtare në 5 me 0.

Trajneri i Elbasanit
Nevil Dede: Gjithë qyteti krenohet me lojtarët e mi

Elbasani u shpall matematikisht kampion i Kategorisë së Parë një javë përpara fundit, teksa në fund të ndeshjes, trajneri i Elbasanit, Nevil Dede, pohoi për mediat se me këta djem krenohet i gjithë qyteti, duke ngjitur skuadrën në elitë si kampione. “Më vjen mirë për djemtë që festojnë, është një vit i gjatë dhe i lodhshëm. Krenohet i gjithë qyteti me dashurinë që ata na kanë përcjellë, pasi janë pjesë e rëndësishme e këtij suksesi. Më pas, gjithë ky investim dhe sukses i përket njerëzve që na kanë marrë të gjithëve në punë, nga unë i pari e me radhë”, rrëfeu fillimisht emocionet e tij të para për arritjen e këtij objektivi Nevil Dede.

LLATJA DEDE

Verdheblutë kanë edhe një ndeshje formaliteti për të luajtur, ajo me Bylisin këtë mesjavë, ku do të ngrenë zyrtarisht edhe trofeun. “Do mundohemi të respektojmë veten dhe gjithë këto elementë që unë preka pak më parë. Po respektuam veten do të thotë që kemi respektuar qytetin, presidentin, kryetarin e bashkisë, administratorin dhe çdo njeri, edhe tifozin më të thjeshtë. Do mundohemi që të jemi gjithnjë korrektë dhe seriozë. Do të jetë një javë e vështirë për të motivuar skuadrën, por do të mundohemi që të mos zhgënjejmë as ndeshjen e fundit, për të bërë edhe ceremoninë ashtu siç na ka hije. Pavarësisht se përballë kemi kundërshtarin direkt, besoj se do të jetë një ndeshje e bukur dhe i ftoj njerëzit të vijnë të festojnë pas shumë vitesh, por edhe të gëzojnë bashkë me skuadrën”, mbylli prononcimin e tij arkitekti i Elbasanit të këtij sezoni.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"