Nga besimi i pakët te bindja taktike, ja 4 gabimet e Alegrit në këtë sezon tek Juventus

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2024 | 13:35

Nga besimi i pakët te bindja taktike, ja 4 gabimet e Alegrit në këtë sezon tek Juventus

Tashmë duket sikur ka nisur një ribashkim forcash nga opinioni publik për të larguar Masimiliano Ale grin nga Juventusi. Shumica e tifozëve të parët nuk janë më dakord me idetë e tij të futbollit, por akoma më shumë me metodat dhe daljet në media, në të cilat ai justifikon thuajse gjithmonë gjithçka, apo shpesh ul edhe vlerat e skuadrës së tij.

alegri

Së dyti, opinionistët, në rolin e të cilëve janë shumë ishfutbollistë të mëdhenj italianë, gozhdojnë gjithashtu idetë e tij, duke këmbëngulur mbi faktin se në aventurën e dytë është faji i tij nëse Juvja nuk ka fituar asgjë, pasi në tri vite nuk ka ndryshuar gjithçka. Por së fundmi, edhe brenda grupit të drejtuesve bardhezi ka nisur përçarja lidhur me ata që nuk e duan më, apo edhe ata që e duan, ose duan ta mbajnë për të mos pasur një humbje të rëndësishme financiare duke e shkarkuar, pasi duhet të dëmshpërblejnë edhe për vitin e tij të fundit të kontratës.

Sigurisht që e gjithë kjo mësymje nuk është shumë e bukur që ta vuash në shpatulla, aq më pak kur bëhet fjalë për një trajner fitues si livornezi, por siç thotë edhe ai vetë, “rezultatet janë e vetmja gjë që kanë rëndësi në futboll dhe jo spektakli”, sërish 56-vjeçari është i pari që nuk e vë në zbatim moton e tij, duke dhënë dorëheqjen, teksa sheh që Juventusi nuk po përmirësohet, përkundrazi… Sigurisht që çdo vit, sidomos në dy sezonet e fundit, ai u përball me tronditje të mëdha: Në sezonin e kaluar çështja e plusvalencave dhe e rrogave të fshehura që i hoqi Juves një mori me pikë, përpara se të vinte edhe skualifikimi nga UEFA.

Ndërsa këtë sezon, dënimi i dy mesfushorëve të tij më teknikë, më cilësore, Nikolo Faxholi dhe Pol Pogba, i prishën shumë plane, duke qenë se mesfusha u gjet pa ide, pa teknikë, pa fantazi dhe ai nuk mund të bëjë asgjë për ta pasur atë, duke qenë se mesfushorët që ka nuk i kanë në këmbët e tyre sidomos goditjet e Pogbasë. Gjithsesi, kur je pjesë e Juventusit, as kjo nuk mjafton, sepse “Zonja e Vjetër” nuk pranon justifikime, aq më tepër nuk ka kohë që të presë, pasi historia e tyre të dënon që të fitosh dhe nuk po flasim për Kupën e Italisë si trofe ngushëllues. Alegri pa dyshim që ka fajet e tij dhe nuk janë aspak të pakta.

1) VENDOSMËRI – Dhe nuk po flasim për punën e tij, por që të ishte më u qartë dhe më këmbëngulës në klub, për t’i blerë me çdo çmim, ka apo jo para mjaftueshëm Juventusi, një ose dy lojtarë që të bënin diferencën, sidomos në mesfushë. Por jo, Alegri ndoshta nuk e kuptoi forcën reale të Interit dhe vendosi që edhe pas dënimit të Pogbasë e Faxholit të vazhdojë me ata që ka, duke besuar se do t’i mjaftonin, ndoshta duke harruar për një moment se dëmtimet janë pjesë e lojës dhe se vetëm Rabio, MeKeni, Kostiç, apo edhe të rinjtë si Mireti, Kavilja e Ueah mund të mjaftonin për të pasur një shtyllë të fortë kurrizore.

2) PROFIL I ULËT – Ndoshta ishte më shumë se e dukshme që mes Juves dhe Interit kishte diferenca teknike të mëdha, por nëse deri në janar bardhezinjtë ishin në garë për titullin dhe morën edhe kreun solitar për pak ditë, sa herë që ndonjë prej lojtarëve të tij ekzaltohej nëpër intervista, vinte goditja e trajnerit për ta përgënjeshtruar. Me të drejtë, detyra e një trajneri është të mbajë lojtarët e tij me këmbë në tokë, por sikur të kishte brumosur edhe ai vetë këtë uri kolektive, por me pak përmbajtje, ndoshta magjia nuk do të shuhej pas një barazimi me Empolin, që vinte përpara sfidës me Interin, duke deklaruar: “Ja pse them se nuk jemi për titull, por këtu kemi qejf që të kërkojmë më shumë se çfarë mundemi”.

3) I SHPËRQENDRUAR – Një nga pikat më të forta të Alegrit ka qenë gjithmonë ndërtimi i formacionit bazë dhe akoma më shumë korrigjimet gjatë ndeshjes me zëvendësime. Por sivjet, ai i ka gabuar shumë shpesh të dyja këto faza, duke mos lexuar drejt momentet e ndryshme të sezonit. Siç ishte për shembull skuadra e fundit të dhjetorit 2023 dhe ajo e fillimit të janarit 2024, ku Juventusi po shijonte dyshen fantastike, Jildiz-Vlahoviç. Edhe pse ishte meritë e tij që i dha besim talentit 18-vjeçar, turku gjithmonë e shpërbleu, por menjëherë pasi nisi të marrë shumë elozhe, Alegri sikur donte që t’ia ulte pak euforinë dhe rikthehu Kiezën titullar, ndonëse të gjithë e dimë sesi shkoi. Absolitisht, nuk ishte faj i Kiezës që Juvja hyri në krizë 2- mujore, por shpesh Alegri e teproi edhe me rrotacionin, sidomos në sulm, ndërkohë që askush te Juventusi nuk dukej i lodhur, duke mos pasur as peshën e ndeshjeve të kupave të Europës në mesjavë.

4) BINDJE E TEPRUAR – Dhe në fund, ndoshta ajo që mund të kishte ndryshuar disi imazhin e tij. Në asnjë moment të sezonit, sidomos edhe tani në fazën e dytë kur gjërat shkuan keq, Masimiliano Alegri nuk provoi që të ndryshojë, të eksperimentojë, të kërkojë të shohë sesi mund të luajë kjo skuadër me një modul ndryshe, siç ishte kërkesë ndaj tij për tredhëmbëshin Jildiz-Vlahoviç-Kieza. Por jo, këtë skemë trajneri e provoi vetëm në dy ndeshje të dëshpëruara ku duhej të rikuperonte disavantazhin, por edhe pse dha efekt, ai as që mori guximin ta ripropozojë. Sigurisht që gjëra të tilla provohen në stërvitje, kolaudohen, por kur dëgjon sigurinë e tij se skuadra humb ekuilibrin duke luajtur kështu, edhe duke pasur një sulmues si Kieza që gjithmonë di të sakrifikohet jo deri në mesfushë, por edhe në mbrojtje, bindja e tij e tepruar është dhe mospërfillja e kërkesës së tifozëve e profesionistëve të tjerë në rolin e opinionistëve, e nxiti edhe më tej dozën e akuzës ndaj Masimiliano Alegri. Dhe ndoshta këto 4 akuza, apo faje, mund të kenë vendosur edhe fatin e 56-vjeçarit në fund të këtij sezoni, duke qenë se hija e Tiago Motës sa vjen e bëhet më e madhe mbi të.

JETON STAFMOLLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"