Vllaznia “godet” në limit: Veç mbrojtësit Rajoviç, firmos edhe sulmuesi kroat, Bushiç

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Gusht 30, 2013 | 13:36

Vllaznia “godet” në limit: Veç mbrojtësit Rajoviç, firmos edhe sulmuesi kroat, Bushiç

Rajovic dhe Bushic prezantohen nga Grima te VllazniaTomisllav Bushiç është blerja më e re e Vllaznisë. Në limitin e merkatos, pikërisht dy ditë para mbylljes së saj, kuqeblutë kanë nënshkruar zyrtarisht me sulmuesin kroat dhe me mbrojtësin malazez, Bllazho Rajoviç. Që të dy këta futbollistë do të jenë në dispozicion të trajnerit Agim Canaj për sezonin e ri, ndërsa dje kanë firmosur për një vit me klubin shkodran. Të dy janë lojtarë me shumë vlera, për të parin nisur nga CV-ja, ndërsa i dyti nuk është një emër i panjohur për Vllazninë. Me këto dy afrime, mesa duket, drejtuesit e klubit dhe ata të ekipit kanë plotësuar kontingjentin e skuadrës dhe ndoshta merkatoja mund të quhet e mbyllur. Megjithatë, fundi i “pazarit” mund të rezervojë ndonjë surprizë të minutës së fundit.
Sulmuesi Tomisllav Bushiç është një lojtar që ka një karrierë shumë të pasur. Kroati ka qenë pjesë e ekipeve të mirënjohura si Hajduk i Splitit, apo te Dinamo e Kievit (për gjashtë muaj), për të kaluar te Makabi Petah Tigva dhe Sllaven Belupo apo Simurq. Sulmuesi ka qenë pjesë e ekipeve Shpresa të Kroacisë. Bushiç është 27 vjeç dhe dallohet për shtatlartësinë e tij, prej 185 cm. Ai ka mbërritur dje në Shkodër dhe menjëherë ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e klubit, kjo edhe për sa u përket termave financiare. Shuma që sulmuesi do përfitojë në këtë sezon nuk është bërë e ditur, si nga ana e tij, ashtu edhe nga ana e drejtuesve të klubit kuqeblu. Bushiç nuk ka qëndruar për asnjë moment në provë pranë shkodranëve pasi, sipas palëve, nuk ka qenë e nevojshme që ai të vëzhgohej. Ai, me të mbërritur në Shkodër, ka hedhur menjëherë të zezën mbi të bardhë. Me këtë afrim, stafi teknik ndihet më i qetë, pasi ka blinduar një repart problematik, pikërisht sulmin. Bushiç pritet që të jetë pika kryesore për vijën e parë, e madje debutimi i tij ka gjasa që të ndodhë në javën e parë.
Mbrojtësi Bllazho Rajoviç njihet në kampionatin tonë për vlerat që ka, e sidomos në Shkodër, ku ka kaluar një periudhë të artë. Ai ka qenë pjesë edhe e skuadrës së Flamurtarit, duke spikatur me formën e tij. Rajoviç pritej që para pak ditësh në Shkodër, por drejtuesit asokohe i thanë “jo”, duke mos pranuar kthimin e tij. Mirëpo duket se me këmbënguljen edhe të patriotit të tij, portierit Vujadinoviç, është bërë e mundur që mbrojtësi të riveshë pas dy sezonesh fanellën e skuadrës kuqeblu. Me një afrim të tillë, reparti defensiv ka edhe një garanci më shumë, përkrah emrave të tillë si Beqiri, Semina, Sykaj, Baci, Kraja e Bala. Mesa duket, me blerjet e këtyre dy lojtarë, por edhe të portierit Vujadinoviç, kontingjenti i Vllaznisë është plotësuar, ashtu siç edhe ka dashur tekniku Canaj. Nëse do të këtë apo jo prurje të reja, kjo mbetet për t’u parë në 48 orët e ardhshme.

Gati debutimi i sulmuesit
Të ardhurit e fundit, Bushiç dhe Rajoviç, priten të jenë që në takimin e parë të këtij sezoni. Të dy lojtarët mësohet se kanë një formë të mirë. Rajoviç ka qenë para pak ditësh pjesë e ekipit të Flamurtarit, ndaj nuk i ka ndalur përgatitjet. Sakaq, nevojat imediate në vijën e parë, do e detyrojnë trajnerin që t’i besojë sulmuesit kroat Bushiç. Megjithatë, fjala e fundit pritet të jepet vetëm para ndeshjes me Flamurtarin.
ADMIR URUCI






www.minuta90.com