Vllaznia dhe Flamurtari e mbyllin në barazim, shkodranët presin “play-out”-in për të qëndruar në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2020 | 19:40

Vllaznia dhe Flamurtari e mbyllin në barazim, shkodranët presin “play-out”-in për të qëndruar në Superiore

Ka “paqe” në Shkodër. Vllaznia dhe Flamurtari e mbyllin në barazim sezonin më të stërzgjatë të historisë. Një pikë që nuk i vlen askujt në fakt, pasi shkodranëve do u duhet që të luajnë një ndeshje shtesë për të mbijetuar dhe vlonjatët u bënë javë që kanë rënë matematikisht nga kategoria. Nëse skuadra e Marcelo Troisit donte që ta mbyllte me dinjitet rrugëtimin në elitë, ajo e Hysen Dedjes e shfrytëzoi si një lloj prove para finales me Besëlidhjen. Pas një pjese të parë me raste të shpërdoruara, e dyta solli golat. Ishte Sidorenko ai që dha avantazhin në të 63-ën, e megjithatë mendoi Diamanti që t’ua prishte shijen e fitores.

flamurtari vllania

PJESA E PARË

Që në sekondat e para, Vllaznia ka qenë në sulm. Ishin më kërkues, e megjithatë i pari rast për t’u evidentuar ishte ai të 16-ës. Marku për pak sa nuk zhbllokoi shifrat, por ndërhyrja e mbrojtjes largon topin pa kaluar vijën fatale. Lika ushtron presing në të 21-ën, e megjithatë mendoi Zhunior që ta sfumonte si episod. Flamurtari kundërpërgjigjet me Ribajn në dy raste, por një herë Efremov dhe në tjetrën shënjestra, i lënë shifrat e pandryshuara. Shkodranët e gjetën rrugën e rrjetës në të fundit minutë të kësaj pjese me anë të Likës, por me kapitenin në pozicion të parregullt, ai u anulua.

PJESA E DYTË

Në fraksionin e dytë ritmi është më i lartë në të dyja kampet, e megjithatë janë sërish shkodranët që japin sinjalin e parë. Adili kërkon golin në të 48-ën, por gjen vetëm duart e Moçkës. Dy minuta më vonë Zogaj shfrytëzon më së miri atë harkim të Markut, por ishte traversa që ia prishi festën. Portieri i Flamurtarit u bëhet “makth” për dy minuta radhazi shkodranëve. Në të 51- ën dhe 52-ën i bën bllokadë Sidorenkos dhe Krymit. Rastet e shpërdoruara nuk kanë fund, e megjithatë në të 63-ën zhbllokohen edhe shifrat. Një pasim i saktë i Zogajt gjen Sidorenkon, i cili me një qetësi oplimpike e dërgon topin në rrjetë. Mirëpo pas kësaj minute loja e Vllaznisë pëson rënie dhe kjo bën që Flamurtari të marrë “frenat”.

Gati 9 minuta më vonë, ata barazojnë pas një aksioni të nisur prej Ribajt dhe të konkluduar me sukses nga Diamanti. I sapofutur në fushë, i mjaftoi e para prekje me topin që ta dërgojë në rrjetë. Miqtë mund të përmbysnin gjithçka, e megjithatë Rapaj dhe Ribaj nuk ia dolën dot përballë Efremov. Pavarësisht ndryshimeve të shumta nga të dy teknikët, rezultati final do të fiksohej te barazimi.

FT| Vllaznia-Flamurtari 1-1

Sidorenko 65′ / Diamanti 74′

KOMENTI LIVE:

90′ Mbyllet sfida!

77’ Rast shumë i mirë për Andi Ribaj i cili merr një pasim perfekt në zonë por nuk ia del të realizojë.

74’ GOOOOL FLAMURTARI 1-1. Diamanti pasi zë vendin e Harunit, ia ka dalë të barazojë shifrat, duke i dhënë barazimin të tijve, të cilët vazhdojnë të sulmojnë, për të gjetur golin e përmbysjes.

65’ GOOOOOL VLLAZNIA 1-0/ Një sulm nga krahu i majtë nga krahu i Vllaznia, Sidorenko gjuan bukur dhe përshëndet rrjetën duke kaluar në avantazh skuadrën shkodrane.

45′ Mbyllet pjesa e parë!

21′ Pranë golit Vllaznia! Sidorenko dërgon një top të rrezikshëm në zonë, provon Zhunior, por gjuajtja e tij nuk është e saktë.

8′ Ndeshje e qetë deri në këto momente, Vllaznia ka kontrollin e lojës, por nuk ka sjellë raste të rrezikshme deri tani.

1′ Starton sfida!

Formacionet zyrtare:

Vllaznia: Efremov, Gurishta, Shehi, Adili, Kruja, Marku, Krymi, Sidorenko, Zogaj, Lika, Zhunior. Trajner: H. Dedja

Flamurtari: Moçka, Balilaj, Ballaj, Hasanaliaj, Muçollari, Mukaj, Qarri, Ramos, Hoxhaj, Rrapaj. Trajner: M. Troisi

116562017_309035643783593_2593034836110052013_n

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"