VIDEO / Kombëtarja mposhtet mes tymit, Italia na thyen me dy gola

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Mars 24, 2017 | 22:47

VIDEO / Kombëtarja mposhtet mes tymit, Italia na thyen me dy gola

Kombëtarja nuk ia del. Italia na mund 2-0 në ndeshjen e pestë për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Rusi 2018”.

Në “Renzo Barbera” të Palermos, kuqezinjtë u ndëshkuan me nga një gol në çdo pjesë në një ndeshje ku loja ishte mbi nivelin e dy paraqitjeve paraardhëse kundër Spanjës dhe Izraelit.

De Rosi mposhti Strakoshën me një penallti në minutën e 12-të, pasi skuadra jonë kishte shpërdoruar dy raste në fillimin e lojës.

Në pjesën e dytë (71′), pasi loja u ndërpre për tetë minuta pasi tifozët shqiptarë hodhën shashka dhe tymuese, Imobile vulosi suksesin e të kaltërve.

Për Shqipërinë kjo është disfata e tretë radhazi dhe kuqezinjtë mbeten të katërtët në Grupin G me 6 pikë, pas Spanjës dhe Italisë që udhëheqin me nga 13 dhe Izraelit që ka 9.

Pikërisht këta të fundit do të jenë kundërshtari i radhës i kuqezinjve më 11 qershor në Tel Aviv.

Italia gol

Minutë pas minute

90+1′ Përfundon ndeshja, fiton Italia 2-0.

90′ Aksion i bukur i skuadrës sonë, Grezda kroson nga e djathta fluturimthi, por Cikalleshi në zonë është i pasaktë me kokë.

88′ Kuqezinjtë e mbyllin me zëvendësimet. Migjen Basha i bën vend Liridon Latifit, i cili gjithashtu debuton.

87′ Skemë e kuqezinjve, por që nuk sjell rezultat pasi topi i futur në zonë largohet nga mbrojtësit italianë para se sulmuesit tanë të përfitonin.

84′ Migjen Basha provon nga kufijtë e zonës, por e majta e tij është e pasaktë. Mesfushori mund të kishte bërë më mirë.

78′ Në ndërrimin e dytë, De Biazi fut Grezdën në vend të Roshit. Debutim për prishtinaliun e Lokomotivës së Zagrebit.

78′ Ndëshkohet edhe Kukeli, lojtari i pestë në radhët e kuqezinjve, për një ndërhyrje të parregullt ndaj Belotit në mesfushë.

75′ Odise Roshi godet me bërryl De Shiljon gjatë një dyluftimi. Karton i verdhë për mesfushorin.

Goli i dyte

71′ GOL! Italia thellon epërsinë. Imobile ndëshkon kuqezinjtë me kokë pas një krosimi të Kandrevës nga e djathta. Vendosje e gabuar e mbrojtjes sonë.

70′ Veseli ndal Verratin me faull në hyrje të zonës dhe gjyqtari nuk ia kursen kartonin.

67′ De Biazi bën lëvizjen e parë nga stoli duke guxuar me zëvendësimin. Jashtë loje Lila, në fushë Sadiku. Roshi merr vendin e tij në të djathtë të mesfushës me katër, ndërsa në sulm Sadiku shkon përkrah Cikalleshit.

65′ Kandreva i shpëton mbullimit të Agollit dhe shfaqet para Strakoshës, gjuan me të djathtën, por Strakosha pret në pozicion.

61′ Antonio Kandreva provon të djathtën nga larg. Edhe pse e fortë, gjuajtja e sulmuesit italian është qendrore dhe e parrezikshme për Strakoshën që kontrollon.

57′ Pas tetë minutash ndërprerje rinis loja me një pozicion jashtë loje për Cikalleshin pas një krosimi nga loja e ndaluar. Goli i sulmuesit nuk vlen.

Agolli u flet tifozeve

Kapiteni Ansi Agolli merr megafonin dhe u bën sërish thirrje tifozëve që të qetësohen.

Untitled

57′ Lojtarët u afrohen tifozëve dhe u kërkojnë t’i ndalin veprimet e papërgjegjshme, por më kot. Gjyqtari merr topin dhe i dërgon ekipet në zhveshtore.

Lojtaret ne fushe

56′ Loja ndalet për disa çaste pasi tifozët hedhin tymuese.

53′ Italia afrohet kërcënueshëm në zonën tonë. Pas një pasim të marrë nga Beloti, Imobile turret drejt portës, por Ajeti i ndërhyn dhe e ndal. Topin e kontrollon Strakosha, ndërsa skuadra vendase pretendon për prekje të topit me dorë nga qendërmbrojtësi kuqezi.

51′ Italianët përgjigjen nga loja e ndaluar. Kandreva kroson nga këndi, por topi i hedhur në zonë nuk sjell rrezik. Ajeti largon me kokë.

49′ Memushaj provon të krosojë nga e majta, por mbrojtja e kaltër është e vëmendshme dhe largon topin.

47′ De Biazi nxjerr në nxemje Sadikun, LLullakun dhe Grezdën.

46′ Nuk ka zëvendësime në pushim, skuadrat rifuten në fushë me të njëjtët lojtarë që e mbyllën gjysmën e parë të lojës.

Itali - Shqiperi miq ne stadium

Pjesa e parë

45′ Mbyllet pjesa e parë, Itali 1 – 0 Shqipëri

45′ Roshi vazhdon të shfaqet rrezikshëm në krahun e majtë, ku arrin të fitojë duelet me Zapakostën. Këtë radhë, ai provon me një gjuajtje me harkim për në shtyllën e dytë, por nuk ka koordinimin e duhur dhe topi kalon lart kryqëzimit të shtyllave.

43′ Beloti përfiton nga një pozicionim i gabuar i mbrojtjes kuqezi për t’u shfaqur i vetëm para Strakoshës, por ky i fundit devijon me refleks goditjen e shpejtë të sulmuesit.

Tifozet e djegin

38′ Të zotët e shtëpisë i afrohen përsëri rrezikshëm portës sonë. Një krosim i Kandrevës nga kornia e djathtë gjen në zonë De Rosin, megjithatë goditja me kokë e mesfushorit shkon mbi traun e katërkëndëshit të Thomas Strakoshës.

28’ Moment i mirë për Italinë, që sulmon me Zapakostën në krahun e djathtë. Mbrojtësi i vjedh topin Memushajt dhe kroson drejt qendrës, por Veseli largon në këndore.

26’ Kombinim në krahun e djathtë mes Kandrevës dhe Zapakostës, i cili nis një top interesant në zonë, por askush nga sulmuesit italianë nuk arrin të devijojë sferën.

25’ Verrati provon nga një goditje dënimi të gjejë Bonuçin në zonë, por Strakosha kontrollon pa probleme me një dalje të sigurt.

24′ Ansi Agolli merr karton të verdhë për një faull (të panevojshëm) ndaj Zapakostës në mesfushë. Kapiteni mungon në transfertën e ardhshme ndaj Izraelit.

23′ Shqipëria provon sërish me Roshin, i cili gjuan me të majtën nga brenda zonës, mirëpo nuk sjell asnjë problem për Bufonin që pret i qetë.

Penalltia

12′ GOL! Italia në avantazh. De Rosi tregohet i saktë nga 11 metrat duke e zhvendosur Strakoshën në krahun tjetër. Goli i 20-të në 111 ndeshje për mesfushorin e Romës.

11′ Penallti për Italinë. Beloti rrëzohet në zonë pas një kontakti me Migjen Bashën dhe arbitri tregon nga pika e bardhë. Vendim i dyshimtë, ndërsa Memushaj ndëshkohet me karton të verdhë për protesta.

8′ Italia provon me një aksion në qendër. Strakosha del për ta zotëruar topin, por Hysaj bën më të sigurtën duke e larguar topin në goditje këndi.

Untitled

4′ Tjetër zbritje e ekipit tonë. Roshi gjen hapësirë në mesfushë dhe provon nga larg, megjithatë e djathta e tij është e pasaktë dhe nuk sjell kërcënim për Bufonin.

1′ Kuqezinjtë menjëherë kërcënues. Vetëm 47 sekonda dhe Cikalleshi gjendet i lirë brenda zonës dhe gjuan me të majtë, por topi shkon fare ngjitur me shtyllën. Italianët me fat.

1′ Dëgjohet fishkëllima e arbitrit, Sokol Cikalleshi e luan topin e parë të ndeshjes.

Arbereshet

Itali 2 – 0 Shqipëri (De Rosi 12′-p., Imobile 71′)

Italia (4-2-4): Bufon; Zapakosta, Barzalji, Bonuçi, De Shiljo; De Rosi, Verrati; Kandreva, Insinje, Imobile, Beloti.
Trajner: Xhan Piero Ventura

Shqipëria (5-4-1): Strakosha; Hysaj, Ajeti, Kukeli, Veseli, Agolli; Basha (Latifi 88′), Memushaj, Lila (Sadiku 67′), Roshi (Grezda 78′); Cikalleshi.
Trajner: Xhani De Biazi

Gjyqtar: Slavko Vinçiç

KV: Memushaj, Agolli, Veseli, Roshi, Kukeli





www.minuta90.com