VIDEO/ Dominim dhe një penallti e mohuar, por Laçi ndalet përballë malazezëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 7, 2022 | 23:53

VIDEO/ Dominim dhe një penallti e mohuar, por Laçi ndalet përballë malazezëve

Skuadra e Laçit nuk ia ka dalë që të shfrytëzojë faktorin fushë dhe statusin e favoritit për të marrë një fitore në ndeshjen e parë ndaj malazezëve të Iskra në turin e parë të Ligës së Konferencës.

laci

Në fakt, ekipi kurbinas ka dominuar ndeshjen, duke pasur kontrollin e topit dhe duke iu afruar shpesh zonës kundërshtare. Por sulmi nuk ishte në një ditë të mirë dhe Guindo, Akiniemi e Zarubica në pjesën e parë krijuan shumë pak raste për t’u shënuar.

Në të dytën, ekipi kurbinas ishte edhe më ngulmues dhe vetëm një vendim i gjyqtarit i mohoi penallti Akiniemit pas një faulli ndaj tij në zonë. Më pas, erdhën disa raste të njëpasnjëshme para portës, por askush nuk arriti të përfitonte për të çuar sferën në rrjetë, me sfidën që u mbyll kësisoj pa gola, duke vështirësuar situatën e kurbinasve të cilët tashmë kualifikimin duhet ta kërkojnë në fushën kundërshtare.

LAÇI 0-0 ISKRA

KOMENTI LIVE:

90’+5’ Mbyllet pa gola ndeshja mes Laçit dhe Iskra.

90’ Jepen 4 minuta shtesë.

90’ Tentativë nga jashtë zonës e Ujkës, portieri grushton me vështirësi.

90’ Pas një goditje nga këndi të Mazrekajt, topi mbetet në zonën e malazezëve. Mallota nuk arrin ta devijojë në rrjetë.

88’ Ndëshkohet edhe Mazrekaj për protesta ndaj gjyqtarit.

86’ Pas një goditje këndi, ka tension në fushë mes Malotës dhe Obradoviç. Gjyqtari i ndëshkon të dy me karton të verdhë.

84’ Prengaj hyn në fushë në vend të Zarubica me Duron i cili mbyll lëvizjet e tij nga pankina brenda pak minutash.

78’ Turkaj dhe Cucin marrin vendin e Roganoviç dhe Ziko në radhët e skuadrës kurbinase.

77’ Hyn edhe Babatunde në fushë për skuadrën e Laçit, në vend të Spahiut të dëmtuar.

77’ Tjetër gjuajtje e fortë nga jashtë zonës për skuadrën malazeze, sfera përsëri përfundon jashtë.

74’ Boljeviç mundohet të gjejë rrjetën me një gjuajtje nga distanca, Dajsinani shoqëron topin që kalon mbi traversë.

73’ Lajme të këqija për Laçin, pasi Spahiu pëson një dëmtim në pulpë dhe largohet menjëherë drejt stolit duke çaluar.

69’ Mazrekaj nga e majta harkon në zonë, Akiniemi me kokë tenton portën por çon sferën mbi traversë.

67’ E pabesueshme por e vërtetë! Akiniemi rrëzohet në mënyrë të dukshme në zonë nga një mbrojtës por gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë mes protestave të kurbinasve.

62’ Akiniemi driblon dy lojtarë në krahun e djathtë dhe gjuan, por tentova e tij bllokohet në këmbët e mbrojtësve kundërshtarë.

59’ Pavliçeviç i lë vendin në fushë Muharemoviç në radhët e Iskra.

59’ Pas një goditje këndi, topi shkon te Ujka në qendër të zonës por ai nuk gjen koordinimin për të rrezikuar portën vendase.

55’ Obradoviç në krahun e djathtë nis një top të rrezikshëm në thellësi, Dajsinani del dhe kontrollon sferën.

49’ Spahiu tenton me një goditje dënimi nga jashtë zonës, por gjuajtja e tij përfundon mbi traversën e portës së skuadrës malazeze.

47’ Aksion i gjatë i Laçit, fillimisht në të djathtën e më pas në krahun e majtë. Mazrekaj gjuan direkt nga jashtë zonës por nuk gjen portën.

46’ Nis pjesa e dytë pa ndryshime në radhët e të dy ekipeve.

45+2′ Mbyllet pjesa e parë!

45’ Gjyqtari i katërt akordon 2 minuta shtesë.

42′ Loja është e përqëndruar në mesfushë me skuadrat që kërkojnë të mos pësojnë.

32’ Lojtarët e Laçit kërkojnë një penallti pas një prekje të topit me dorë, por sipas gjyqtarit nuk ishte asgjë e vullnetshme me lojën që duhet të vazhdojë.

30’ Tjetër karton i verdhë për Iskran, me Mitroviç që shkakton një ndërhyrje të gabuar ndaj Guindos.

28’ Mazrekaj lëviz mjaft bukur drejt zonës kundërshtare, por pasimi i tij nuk finalizohet nga askush.

17’ Karton i verdhë për Markoviç pas një ndërhyrje të gabuar në zonë e Laçit.

14’ Guindo merr një top brenda zone, të cilin nuk e arriti në momentin e duhur. Gjithsesi sulmuesi lëshoi një gjuajtje që më pas u devijua dhe shkoi në duart e portierit kundërshtar.

11’ Nikaç avancon bukur në zonën e Laçit, por tentativa e numrit 9 ishte shumë e dobët. Rivënie fundore për Laçin.

1′ Starton sfida në “Elbasan Arena”.

FORMACIONET ZYRTARE:

laci

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"