VIDEO/ Bylisi siguron mbijetesën në Superiore, Luftëtari godet tri herë shtyllën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2020 | 19:40

VIDEO/ Bylisi siguron mbijetesën në Superiore, Luftëtari godet tri herë shtyllën

Bylisi bën detyrën në shtëpi ndaj Luftëtarit, edhe pse me jo pak vështirësi. Ballshiotët fituan 2-0 falë golit me penallti të Isli Hidit në minutën e 33-të, si dhe Eridon Qardakut në limitin e pjesës së parë. 11-metërshi që zhbllokoi ndeshjen, i fituar nga Ntepe pas ndërhyrjes së B.Malajt bëri që miqtë të protestonin jo pak, edhe pse arbitri Llapra ishte i vendosur.

Bylis

Ky trepikësh i siguron ekipit ballshiot qëndrimin në elitë edhe për një sezon, ndërsa bluzinjtë kanë prerë biletën prej javësh dhe kampionatin tjetër do të jenë pjesë e Kategorisë së Parë.

Vlen të theksohet se gjirokastritët goditën tre herë shtyllën, fillimisht me Rimal Haxhiun kur ndeshja ishte 0-0, e më pas në pjesën e dytë me Gresild Likën, i cili ishte nga më të mirët në fushë bashkë me Qardakun e ballshiotëve. Ndërsa në kohën shtesë i pafat ishte Alvi Ahmetaj, pasi topi u përlpas në shtyllë.

BYLIS-LUFTËTARI 2-0

Hidi 34′ (p), Qardaku 45′ 

Minutat

7’ Ndreca tenton me një të majtë të fuqishme nga një goditje dënimi, topi kalon mbi traun e portës. 8’ Kundërsulm fantastik i Luftëtarit me kombinime të të sakta të Likës, Alinanit, Mehmetllarit dhe në fund Haxhiut, që del i lirë në hyrje të zonës, driblon Shkallën dhe godet fort me të djathtën, por topi përplaset në shtyllë.

11’ Ntepe godet fort me të djathtën nga rreth 22 metra, teksa topi kalon ngjitur me shtyllën.

13’ Goditje dënimi për Bylisin, Murataj kroson në zonë dhe aty Shkalla kërcen me kokë, por Basha pret i sigurtë.

14’ Lika gjen të lirë në afërsi të zonës Mehmetllarin, që godet me të djathtën, por pa problem për Hidin.

27’ Hadroji shërben në zonë te Malçi, që bën një driblim fantastik mes Dukës dhe Malajt, e më pas del i vetëm me Bashën, godet, por portieri i Luftëtarit bën mrekullinë duke evituar një gol të sigurtë.

29’ Ntepe harkon në zonë, aty ku Qardaku lirohet bukur dhe gjuan me të djathtën, por pret Basha.

31’ Murataj tenton nga jashtë zone, topi kalon ngjitur me shtyllën.

32’-33’ Malçi kroson në zonë te Ntepe pas një aksioni i në krahun e majtë të sulmit ballshiot, teksa nigeriani në përpjekje për të goditur me kokë, rrëzohet. Arbitri Llapra akordon penallti, ndërsa gjirokastritët protestojnë. Nga pika e bardhë godet portieri Hidi dhe shënon, 1-0 për Bylisin.

36’ Malaj kroson në zonë nga një goditje dënimi, Mehmetllari devijon me kokë, por jashtë.

37’ Ntepe gjuan nga jashtë zone me të djathtën, por pret Basha.

45’ Qardaku bën një lëvizje fantastike në hyrje të zonës, duke dribluar kapitenin Puci, e më pas gjuan me të majtën dhe shënon golin e dytë për ballshiotët.

50’ Haxhiu merr bukur krahun e majtë, e më pas kroson në zonë te Gresild Lika, që pasi rrotullohet, godet me të majtën dhe me Hidin të mundur, topi përplaset në shtyllë.

56’ Ujka tenton nga distanca, pret pa vështirësi Basha.

90+3’ Alvi Ahmetaj bën një goditje mjeshtërore nga jashtë zone, por është i pafat, pasi topi prek në shtyllën e majtë pingule.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"