Veliu, si Muça: Stoli i pamjaftueshëm, na duhen ende përforcime në mbrojtje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2012 | 14:03

Veliu, si Muça: Stoli i pamjaftueshëm, na duhen ende përforcime në mbrojtje

Kapiteni i ri i Flamurtarit, Franc Veliu, e konsideron si mjaft të suksesshme merkaton e verës. Në një prononcim për “Panorama Sport”, mbrojtësi i vlerëson me nota maksimale prurjet që kanë forcuar organikën e skuadrës, ndërsa thekson se ky është Flamurtari ideal i së ardhmes. “Flamurtari ka mbyllur një merkato më se të suksesshme. Afrimi i Memellit, Sozës, Bratiçit, Vukçeviçit dhe së fundmi Muzakës na bën një ekip të fuqishëm. Unë falënderoj drejtuesit e klubit për seriozitetin që kanë treguar në këtë merkato. Është ruajtur gjithashtu një pjesë e mirë e grupit të sezonit të kaluar, ndërsa janë afruar edhe shumë futbollistë të tjerë cilësorë”, thotë si fillim kapiteni. Merkatoja Veliu flet edhe për mundësinë e fuqizimit të mbrojtjes me lojtarë rezervë. “Unë them se na duhen lojtarë stoli për të mbushur çdo boshllëk të mundshëm dhe çdo dëmtim që mund të ndodhë gjatë kampionatit. Në fakt, trajneri Muça është personi i duhur që i nuhat këto mungesa, pasi ai e di edhe gjendjen e ekipit, por nga ana tjetër është edhe klubi që planifikon sipas mundësive të veta. Unë them se na duhen dublime sidomos në mbrojtje, por kjo nuk do të thotë që ne nuk i kemi lojtarët, përkundrazi kemi lojtarë më se cilësorë, por ndoshta na duhet ndonjë plotësim tjetër, siç është shprehur edhe trajneri”, vazhdon Veliu.
Titulli Nga ana tjetër, sipas tij ky Flamurtar është projektuar për të qenë fituesi i kampionatit të ri. “Ne jemi shumë të angazhuar. Investimet që ka bërë klubi duhet të shpërblehen me punë dhe me fitimin e titullit kampion. Mesa kam dëgjuar edhe nga drejtuesit e klubit, ky është edhe objektivi i këtij viti. Të gjithë duhet të jemi në unison. Unë besoj se kjo do të realizohet pasi në grup është një frymë shumë e mirë dhe të gjithë janë jo vetëm të angazhuar, por edhe optimistë”. Franc Veliu është kapiteni i ri i Flamurtarit, ndërsa Nijas Lena do të jetë zëvendësi i tij. Veliu e cilëson këtë detyrë si një privilegj, por edhe si një sfidë më shumë për të bërë më të mirën për ekipin.
Shiriti – “Kjo është një detyrë që mua më obligon edhe më shumë. Kam bërë më të mirën për Flamurtarin, por përgjegjësia tanimë rritet edhe më shumë teksa do të mbaj këtë shirit. Unë falënderoj drejtuesit për vlerësimin, do t’ua shpërblej me punë”, thotë Veliu. Një nga lojtarët kryesorë të Flamurtarit, i cili është kontribuues edhe në kombëtare, Franc Veliu nuk u grumbullua për ndeshjen miqësore me Moldavinë, pa shumë polemika, ai tha se është e drejtë e trajnerit që të provojë edhe elementët e rinj dhe se ai ndihet pjesë e kombëtares. “Ma ka komunikuar vetë trajneri De Biazi. Më ka thënë se do të bëjë dy prova të dy lojtarëve të rinj. Unë e respektoj vendimin e trajnerit. Do të jem i gatshëm sa herë të më thërrasin. Unë jam pjesë e kombëtares dhe fakti se nuk u grumbullova në këtë ndeshje, nuk do të thotë që nuk do kem mundësi të vesh më fanellën kuqezi”, përfundon lojtari.

S’ka alarm, Mici kthehet në stërvitje
Mici kalon dëmtimin e pësuar në miqësoren e së shtunës mes Flamurtarit dhe Luftëtarit. Në fillim të takimit ai pasoi një top të bukur në zonë për Vukçeviç dhe ky i fundit e kthen në gol. Por pas pak minutash mbrojtësi pësoi një frakturë të rëndë në hundë pas një përplasjeje, dhe kjo e bëri të pamundur që ai të zhvillonte lojën më tej. Por burime pranë stafit mjekësor thonë se ky dëmtim është drejt rehabilitimit, dhe më i rëndësishëm është fakti se lojtari do të hyjë normalisht në stërvitje dhe mund të luajë pa problem edhe në takimin miqësor të së shtunës së ardhshme me Apoloninë, duke plotësuar kështu boshllëkun që Flamurtari ka në mbrojtje. Një fakt të tillë e ka konfirmuar edhe vetë Mici i kontaktuar nga gazeta: “Jam shumë mirë. Gjithçka kaloi pa problem. Unë do të jem pjesë e Flamurtarit që në stërvitjen e sotme. Nuk kam asnjë problem, do të vijoj të jap më të mirën për Flamurtarin”, thotë ndër të tjera ai.

Kuqezinjtë, 5 “yje” për titullin
Flamurtari është skuadra që ka bërë goditjet më cilësore (të paktën teorikisht) gjatë merkatos verore. Duke afruar lojtarë si Migen Memelli, Rafael Soza, Gjergi Muzaka, Davor Bratiç apo edhe Petar Vukçeviç, vlonjatët këtë sezon më shumë se kurrë e duan titullin. Edhe pse gjatë merkatos nga Vlora janë larguar 13 futbollistë dhe janë afruar vetëm tetë, drejtuesit e kanë “vulosur” formacionin për sezonin e ri dhe janë të bindur se me këtë skuadër mund të fitojnë. Skemës së trajnerit Muça nuk i mungon asnjë titullar, edhe pse kërkohen futbollistë zëvendësues për krahët e mbrojtjes.

Miqësorja
Edhe një ndeshje të fundit miqësore. Pas Luftëtarit, Flamurtari pret të shtunën e kësaj jave Apoloninë në takimin miqësor të kthimit. Ky takim duket se do të vendosë përfundimisht edhe titullarët e sezonit të ri, një javë para startimit të tij, por do të vendosë përfundimisht edhe grupin e të rinjve që do të vijojnë aventurën te Flamurtari dhe për huazimin e disa të tjerëve.

Axhenda
E diela ka qenë pushim për Flamurtarin. Trajneri Shkëlqim Muça e ka lënë të qetë ekipin pas ndeshjes miqësore. Ekipi pritet t’i rikthehet sot stërvitjes. Paradite palestër dhe pasdite stërvitje. Kjo do të jetë axhenda stërvitore e Flamurtarit gjatë ditës së sotme. Gjatë stërvitjes së pasdites, trajneri Muça pritet të ulë dozën e ngarkesës, me qëllim që ekipi të jetë në formë për të përballuar nisjen e kampionatit.
ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"