Ushtarët në stadium e rusët që mburren, ja çfarë s’u pa në TV

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2016 | 21:58

Ushtarët në stadium e rusët që mburren, ja çfarë s’u pa në TV

Ishin shumë të fortë, realisht shumë të fortë…”. Kështu iu drejtua kapiteni Alban Hoxha trajnerit të portierëve të Partizanit, Kapeçe pas ndeshjes.

14089089_540149962846071_5652615840389464089_nNjë ndeshje për t’u harruar për Partizanin, e cila megjithatë nuk ka kaluar pa detaje pikante. Fillimisht ra në sy prania e disa qindra ushtarëve që ishin si tifozë në stadium.

Përkrah tyre ishin lojtarët e akademive të Krasnodarit që këndonin kore dhe bërtisnin sikur të ishin ultras. Duke qenë afër, të dyja grupimet krijonin një dekor bardhjeshil që nuk kishte lidhje fare me pjesën tjetër të tifozëve.

Dhe meqë jemi te tifozët, gjithsej në stadium ishin 11 575. Batutat e rusëve Zyrtarët rusë komplimentuan lojtarët e Partizanit pas ndeshjes dhe si për t’ua lehtësuar disi humbjen e thellë, nisën të tregonin se ky ishte viti i shkëlqimit të tyre.

“Mos e bëni dramë, ne jemi për titull këtë vit. Do të sfidojmë edhe klubet e Moskës. Nëse në Moskë nuk na hapin probleme, ne mund të fitojmë titullin”, thoshte qetësisht një zyrtar i Krasnodarit, duke lënë të kuptohet se klubet qeveritare favorizohen gjatë kampionatit dhe se Krasnodari nuk shihej me sy të mirë si klub 100% privat…

Sormani u jep dorën lojtarëve Sormani i ka pritur futbollistët e tij dhe u ka shtrënguar dorën të gjithëve pas ndeshjes.

Ai i ka pritur lojtarët në një cep të fushës, aty ku do të kalonin për të hyrë në dhomat e zhveshjes dhe i ka takuar një e nga një duke u dhënë dorën dhe duke u gjuajtur lehtas në shpatull. Asnjë fjalë, vetëm një shikim në sy dhe një shtrëngim dore miqësor.

Ndërkohë që Starova, i cili me sa duket e kish studiuar jo pak Krasnodarin para ndeshjes, ka mbetur i befasuar sidomos nga një element: qendërmbrojtja e tyre.

“Para ndeshjes kisha arritur në konkluzionin se e vetmja pikë e dobët e tyre, nëse mund të quhej e tillë, ishte qendra e mbrojtjes. Ishin disi të ngadaltë dhe jo fort të bindur taktikisht.

Kur rusët nuk bënë asnjë gabim as aty, atëherë u pa qartë se ishte e pamundur t’i çaje”, u thoshte “bobi” disa prej pjesëtarëve të delegacionit shqiptarë pas ndeshjes.

Nga Krasnodari,
PANO XHIXHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"