UEFA merr masat për dy kompeticionet e saj, njofton klubet europiane për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2020 | 12:01

UEFA merr masat për dy kompeticionet e saj, njofton klubet europiane për…

Afati përfundimtar për mbylljen e fazës së grupeve në Ligën e Kampioneve dhe Ligës së Europës është shtyrë deri në fund të muajit janar nga UEFA, ndërsa institucioni i futbollit europian po përpiqet që të bëjë të pamundurën për të shpëtuar dy kompeticionet e klubeve që rrezikohen prej Koronavirusit. Klubet janë njoftuar nga UEFA se shansi i fundit që ato do të kenë mundësi për të mbyllur ndeshjet e fazës së grupeve 2020-’21 do të jetë data 28 janar, duke shkuar përtej datës së zakonshme të mbylljes së kësaj faze, që është mesi i muajit dhjetor.
maxresdefault
Në rast se një vend do të ketë kufizime udhëtimesh, duke e bërë të pamundur skuadrën mike që të udhëtojë drejt atij shteti prej kufizimeve të protokolleve të sigurisë, atëherë ndeshja do të luhet në një fushë neutrale ose, nëse bihet dakord, në atë të skuadrës vizitore. Nëse të gjitha ndeshjet e fazës së grupeve nuk do të jetë e mundur që të përfundojnë brenda datës 28 janar, atëherë do të jetë Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s që do të vendosë se cilat prej klubeve do të kualifikohen në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampioneve dhe 1/ 16-ave të Ligës së Europës.

Disa shtete bëjnë përjashtime në kufizimet e udhëtimeve të sportistëve elitarë, por të tjera jo. Nëse klubi vizitor do t’i ndalohet, për shembull, që të hyjë në vendin e ekipit pritës, do të jenë këta të fundit që do të kenë mundësi të propozojnë një vend neutral për zhvillimin e ndeshjes. Klubi pritës do të ketë për detyrë që të mbulojë edhe shpenzimet e këtij ndryshimi plani. Nëse ata nuk mund të gjejnë një vend të ndryshëm dhe dështojnë që ta zhvillojnë ndeshjen, atëherë automatikisht e humbasin ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0. Nëse klubi vizitor ndalohet të udhëtojë prej qeverisë së vet, atëherë klubit pritës do t’i kërkohet të gjejë një vend të ri. Nëse dështojnë ta bëjnë këtë, atëherë ndërhyn UEFA dhe vendos ku do luhet takimi. Çdo klub që refuzon të luajë, e humbet ndeshjen në tavolinë 3-0.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"