U largua nga kurbinasit, ish-lojtari i Laçit i bashkohet në stërvitje… Egnatias

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 5, 2022 | 15:18

U largua nga kurbinasit, ish-lojtari i Laçit i bashkohet në stërvitje… Egnatias

Egnatia duket si kantier ndërtimi, pasi e ka nisur me vrull periudhën përgatitore në këto ditë të para të vitit të ri. Pas largimit të disa lojtarëve në ditët e fundit të dhjetorit, të cilat janë zyrtarizuar edhe nga klubi, skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadani do të kërkojë të përfitojë sa më shumë në vijim, si në aspektin stërvitor, por edhe në përforcimin e grupit.

ILIRID ADEMI

Nga sa bëhet me dije në klub, përgatitjet në këtë periudhë do të marrin rëndësi maksimale dhe që nga dje janë spostuar në qytetin e Durrësit ku rrogozhinasit do të akomodohen për disa ditë.

Për t’u theksuar është se në ditët e para të stërvitjeve ka munguar mesfushori Bruno Telushi, që është i dëmtuar, por ka pasur edhe rikthime me vlerë, Agbekpornu dhe golashënuesi Pedro, që munguan disa javë prej dëmtimeve dhe tani janë gati për Egnatian.

AFRIMET- Largimet e ndodhura pas mbylljes së pjesës së parë të kampionatit u hapën rrugën përforcimeve. Listës së afrimeve u është shtuar portieri Klevis Hasanbelli, që ka spikatur në sezonin e shkuar me rrogozhinasit. Pas gjashtë muajsh te Pogradeci, drejtuesit e kanë rikthyer sërish tek Egnatia portierin, i cili zë vendin e të larguarit Duriç.

Nuk përfundon me kaq pasi dje është zyrtarizuar edhe mesfushori Ildian Shyti, që gjithashtu ka qenë pjesë e Egnatias në Kategorinë e Parë dhe e njeh ambientin.

Ashtu si portieri Hasanbelli edhe Shtyti për gati gjashtë muaj ishte pjesë e pogradecarëve dhe tashmë do të jetë një alternativë për mesfushën rrogozhinase. Të dy lojtarët kanë përfunduar hedhjen e firmave në kontratë dhe presin vetëm të luajnë bashkë me pjesën tjetër.

Por, me grupin është stërvitur gjatë këtyre dy ditë edhe mesfushori me tipare sulmuese, Iliriad Ademi, i cili në pjesën e parë të sezonit ishte pjesë e Laçit.

Akoma nuk ka një konfirmim për këtë lojtar që shpreson të bindë drejtuesit rrogozhinas për të hedhur firmën në kontratë. Bisedimet vijojnë jo vetëm me Ademin, por edhe me lojtarë të tjerë në mënyrë që skuadra të kompletohet aty ku është me e nevojshme. Kërkimet për përforcime po kryhen si në tregun vendës edhe atë të huaj.

LARGIMET- Rrogozhinasit kanë pësuar rrjedhje të shumta gjatë kësaj periudhe, ku kryesisht bëhet fjalë për lojtarë që kanë pasur pak minuta në dispozicion ose kanë qenë larg pritshmërive. I fundit që është zyrtarizuar nga klubi si largim është mbrojtësi nga Hong Kongu, Remi Djuardin, që kishte shumë pak minuta në dispozicion dhe u pa e arsyeshme ndërprerja me konsensus e kontratës.

ADEMI

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"