Trajneri i Shkumbinit: Nëse gjejmë sponsor, e nisim si pretendentë. Duhet plan për ekipet e moshave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2017 | 18:14

Trajneri i Shkumbinit: Nëse gjejmë sponsor, e nisim si pretendentë. Duhet plan për ekipet e moshave

Trajneri i skuadrës peqinase, Sokol Branica, pas një sezoni të suksesshëm në krye të Shkumbinit, tregon idetë e tij në lidhje me strategjinë që duhet të ndjekë klubi bardhekaltër në lidhje me moshat, por edhe mbi të ardhmen e skuadrës. Në një bisedë për “Panorama Sport”, Branica shprehet i gatshëm që të vijojë bashkëpunimin me ekipin edhe për sezonin e ardhshëm.

Shkumbini

“Dua ta nis nga sezoni i fundit ku Shkumbini arriti që të siguronte mbijetesën falë punës së palodhur të të gjithëve, megjithatë kjo nuk do të thotë që s’ka gjëra për të ndryshuar dhe përmirësuar ecurinë në sezonet e ardhshme. Kështu, pikë së pari duhen ringritur menjëherë ekipet e moshave, pra skuadrat zinxhir të Shkumbinit, pasi ato janë mbështetje kryesore dhe bazë për ekipin e parë.

Kanë qenë pikërisht futbollistët vendës, të cilët kanë dalë ndër vite nga skuadrat zinxhir, ata që e kanë furnizuar skuadrën e Shkumbinit, por edhe mjaft të tjerë përfaqësohen denjësisht në ekipe të tjera. Së dyti mendoj se duhet zgjidhur përpara fillimit të kampionatit çështja e sigurimit të financave të domosdoshme për mbarëvajtjen e sezonit të ri.

Unë jam i bindur se, duke afruar një sponsor apo donator të fuqishëm, Shkumbini do të mund ta nisë kampionatin si skuadër pretendente për t’u ngjitur në Superiore. Këtë gjë e bazoj në përvojën e sezonit të shkuar ku ne, megjithëse me financa të reduktuara dhe me një grup lojtarësh të rinj, arritëm që të rivalizojmë me Lushnjën dhe Bylisin deri në fund të fazës së dytë. Mendoj se duhet filluar që të merren masat që tani nëse duam që të ndërtojmë një skuadër konkurruese për sezonin e ri”, pohoi trajneri Branica.

FATMIR AHMETI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"