Trajneri Fagu: Mundim Egnatian, nuk e kemi humbur shpresën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2024 | 9:39

Trajneri Fagu: Mundim Egnatian, nuk e kemi humbur shpresën

Erbim Fagu kërkon vetëm fitoren në sfidën me Egnatian. Trajneri i Tiranës ka qenë i pakënaqur nga sfida me Vllazninë. Nga ana tjetër, për “Panorama Sport” trajneri sqaroi se çfarë kërkon nga bardheblutë në sfidën e fundit të kampionatit. Takim që vendos shumë për titullin kampion.

FAGU

Tirana barazoi me Vllazninë, por çfarë ndodhi në takimin me shkodranët?

Nuk mund të them se jam i kënaqur. Ne e kishim përgatitur ndeshjen për ta fituar, por nuk ia dolëm që të fitonim. Dihet që ka edhe një javë për t’u luajtur. Shanset tani janë shumë të vogla. Me Vllazninë ishim të pafat në momentet që duhet të finalizonim. Kishim shumë presion për të shënuar golin.

Pas këtij barazimi, besoni ende që skuadra juaj e kap katërshen dhe luan me më të mirët?

Derisa matematika na lejon për vendin e katërt kjo do të duket në fund dhe e pretendojmë. Tej të tjerave, ne fillimisht duhet të shohim dhe të fitojmë fillimisht ndeshjen tonë. Më pas do të shohim edhe rezultatet e kundërshtarëve tanë.

Tirana ndaj Egnatias ka rezultatin më të thellë. Mendoni se Tirana fiton sërish në Rrogozhinë?

Për ne takimi me Egnatian është sfidë “Final 4”. Nuk mendoj se do të ketë rezultat tjetër veç fitores që ne duhet ta kërkojmë gjatë gjithë kohës. Pra nuk kemi rrugë tjetër. Të japim gjithçka në atë sfidë.

Ka një mundësi me Tiranën që mund të mos jetë në “Final 4”, por luan në Europë?

Ky është një kombinim dhe shumë larg. Personalisht dua të fitojmë me Egnatian, pastaj do të shohim sesi do të rrjedhin ngjarjet.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"