EKSKLUZIVE/ Tirana i ofron rinovimin për tri vite mbrojtësit të majtë, ja kush del i lirë në verë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2024 | 18:31

EKSKLUZIVE/ Tirana i ofron rinovimin për tri vite mbrojtësit të majtë, ja kush del i lirë në verë

Florjan Përgjoni mund të jetë lojtari i parë që do të rinovojë kontratën me Tiranën. Burime në klubin bardheblu bëjnë me dije se drejtuesit i kanë ofruar rinovimin e kontratës, mbrojtësit të majtë dhe ai do të firmosë shumë shpejt.

pergjoni

Lojtari është një nga shtyllat e skuadrës dhe Tirana dëshiron ta ketë në skuadër deri në vitin 2027-të. Futbolli ka edhe një vit kontratë, ndërsa ekipe të tjera duan shërbimet e lojtarit. Një prej skuadrave është Dinamoja që e pëlqen shumë mbrojtësin e majtë, veç klubeve të huaja. Gjithsesi, mësohet se Përgjoni ka vendosur të qëndrojë bardheblu dhe të zgjasë bashkëpunimin edhe për tre vite të tjerë, deri në 2027-ën.

PJESA TJETËR – Tirana mund të humbasë Kristal Abazajn. Lojtari ka kontratë deri në fund të sezonit dhe në këto kushte sulmuesi bardheblu është një tjetër titullar që në fund duhet të zgjedhë nëse qëndron në skuadër apo jo. Kontrata e tij prej 1.5 viteve e firmosur në janar 2023 mbyllet në qershor 2024. Në këtë moment që flasim, te bardheblutë nuk ka ndonjë iniciativë totale për rinovimet, por vetëm lëvizje të vogla. Refik Halili ka folur vetëm në një mbledhje, ku ka premtuar kontrata të reja, por asgjë nuk ka ndryshuar, pasi për momentin askush nuk e ka mendjen te rinovimet, por rezultatet e ekipit. Lëvizja e parë është Përgjoni, por nuk ka shenja për të tjerë.

Në këto kushte, Tirana duhet të shohë dhe të bëjë përpjekje për ta mbajtur Abazajn në ekip, pasi është lideri i skuadrës së bashku me disa kokrra të tjera. Bardheblutë, gjithashtu, mund të humbasin dy lojtarët kryesorë të mbrojtjes. Bëhet fjalë për Filip Najdovskin dhe Bruno Lulajn. Të dy futbollistët janë në fund të kontratës. Në fund të sezonit ata largohen me parametër zero, pasi janë në fund të kontratës. Lojtarët janë gjithashtu dy titullarët kryesorë të skuadrës në repartin e mbrojtjes. Najdovski ishte edhe kapiteni i ekipit bardheblu nga nisja e sezonit, ndërsa Lulaj titullar në mbrojtje. Lulaj është kërkuar gjatë në qershor dhe janar nga Elbasani dhe me kalimin në Superiore të skuadrës verdheblu mund të ketë një spostim të tij në këtë skuadër.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"