“Teutës nuk i mungon asgjë për të dalë kampion”, Begeja: Ja me kë jemi rival këtë sezon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2020 | 22:11

“Teutës nuk i mungon asgjë për të dalë kampion”, Begeja: Ja me kë jemi rival këtë sezon

Teuta po vijojnë përgatitjet dhe për nisjen e sezonit dhe në kampin durrsak optimizmi është i madh dhe të gjithë besojnë se fitimi i titulli do të realizohet, pavarësisht se gara do jetë e fortë. Ish-sulmuesi dhe trajneri Gentian Begeja, të cilit i është besuar ekipi U-21, flet me vlerësim për punën e bërë nga stafi teknik i Teutës. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” Begeja beson se me grupin aktual, Teuta është pretendente për titullin kampion.
Begeja
Begeja, si iu duket Teuta në prag të fillimit të këtij sezoni?
Realisht, Teuta këtë sezon ka shpenzuar shumë dhe në fushë rezultatet nuk besoj se do mungojnë. Ekipit nuk i mungon asgjë. Ka një lider dhe lojtarë me peshë që e njohin mirë kampionatin. Të gjithë angazhohen dhe besoj se do të ketë sukses. Gërshetimi i lojtarëve të rinj me ata me eksperiencë po funksionon mirë. Nga përforcimet e merkatos shumë më tepër. Gjithsesi, me Martinin situata ka ndryshuar dhe ekipi është futur në rrugën e duhur.

Janë bërë afrime cilësore, a mund të jetë ky viti i titullit?
Lojtaret cilësorë patjetër që duhen në ekip për vete objektivin, por fryma e grupit të çon drejt suksesit. Me grupin që kishin dhe me afrimet mendoj se Teuta është pretendente për titull.

Faza e gjatë përgatitore, e ka ndihmuar apo e ka penalizuar ekipin?
Shtyrja e ka ndihmuar se duhet një kohë e caktuar për harmonizimin e skuadrës. Deri në startin e sezonit te Teuta do të jetë çdo gjë gati.

Referuar merkatos së verës, cilin ekip shikoni një hap para të tjerëve?
Ka disa rivalë në këtë aspekt. Megjithatë, mund të them se rivaliteti do te jetë mes Teutës, Tiranës dhe Laçit. Edhe pse do të jetë një kampionat i fortë këto tri ekipe i shoh një hap para të tjerëve.
bregu daja krasniqi
Bregu dhe Krasniqi në sulm, mund të jenë ata që do e çojnë Teutën drejt golave?
Te Teuta janë bërë shumë afrime cilësore në merkaton e verës. Sezonet e kaluara ka pasur luhatje, ku sulmi ka vuajtur mungesën e finalizimit. Kësaj here sulmi i Teutës është më i frikshmi në Superiore. Shpresoj që të gjitha repartet të bëjnë më të mirën dhe të funksionojmë si grup lojtarësh.
Edi Martini
Me trajnerin Edi Martinin skuadra ka gjetur stabilitet, mund të quhet zgjedhje e duhur e klubit që i besuan edhe këtë vit?
Pa diskutim që një meritë të madhe ka Martini në suksesin e Teutës vjet. Mendoj se më shumë se kushdo e meriton të jetë në krye të skuadrës, pa harruar dhe pjesën tjetër të stafit.

Ju drejtoni Teuta U-21, çfarë strategjie keni këtë edicion?
Është ekip i ri me lojtarë që vijnë nga akademi jonë dhe jo vetëm, por që do t’i shërbejnë shumë skuadrës së parë, me lojtarët e që nuk kanë shumë hapësira atje. Për një ish-futbollist është e pamundur të qëndrojë larg futbollit, pasi i kemi kushtuar jetën. Drejtuesit më propozuan për t’u bërë pjesë e akademisë dhe nuk u mendova dy herë. Dëshira dhe pasioni për të punuar me të rinjtë, si dhe për të nxjerrë lojtarë për t’i dërguar në ekipin e parë është shumë e madhe, ndaj i thashë “po”. Kushtet janë shumë të mira. Është një akademi model dhe besoj më e mira në Shqipëri me infrastrukturën që ofrohet.

Cila është ambicia e madhe e Begejës dhe a e mendoni stolin e Teutës?
Në këtë moment nuk e mendoj stolin e Teutës, pasi dua të punoj me të rinjtë dhe kemi një projekt të gjatë me drejtorin e klubit. Duam të punojmë fort me të rinjtë, në mënyrë që pas disa vitesh ekipi i parë të përfaqësohet me futbollistë durrsakë, por edhe për t’u bërë pjesë e kompeticioneve europiane.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"