“Telenovela” e barit vazhdon në “Air Albania”, Partizani dhe Tirana mund të përfundojnë në…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2023 | 22:35

“Telenovela” e barit vazhdon në “Air Albania”, Partizani dhe Tirana mund të përfundojnë në…

Kryeqyteti shqiptar sot ka tre stadiume, por vetëm njëri prej tyre i përmbush kushtet për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare. Bëhet fjalë për “Air Albanian”, sepse dy të tjerët: “Arena e Demave” dhe “Selman Stërmasi” nuk janë licencuar për ndeshje të Ligës së Konferencës.

air-albania

E megjithatë, dy ekipet e kryeqytetit, Partizani dhe Tirana, ndeshjet e kthimit në turin e dytë të Ligës së Konferencës, ato të javës së ardhshme, rrezikojnë t’i luajnë në Elbasan. Arsyeja? Për të disatën herë do të mbillet bari në fushën e “Air Albania”-s. Mungon zyrtarizimi, por përgatitjet në Elbasan kanë nisur.

BARI… BARI… BARI
U bë e disata herë që FSHF-ja kryen të njëjtin proces: mbjelljen e barit në “Air Albania”. Në fillimet e veta argumenti ishte se në një pjesë të fushës nuk binte dielli dhe bari natyral kishte probleme. Mandej kur u ndërrua i gjithë tapeti dhe u bë bar hibrid (pjesa dërrmuese artificial dhe pjesa tjetër natyral) sërish dolën probleme. U mboll sërish, erdhën llamba të posaçme që zëvendësin dritën e diellit dhe simulonin rritjen e barit, por sërish ka probleme. Ndoshta prej thatësirës, apo prej koncerteve të ndryshme që janë zhvilluar së fundmi, por situata është e njëjtë edhe këtë herë: do të mbillet bari gjatë kësaj jave dhe stadiumi do të mbyllet që të jetë gati për ndeshjet e Kombëtares në shtator. Ndërkaq, Partizani me Tiranën rrezikojnë të spostohen sërish në Elbasan.

TIRANA, MË E PENALIZUARA
Të dyja ekipet e kryeqytetit janë të penalizuara disi sa u përket numrit të tifozëve, biletave të shitura dhe marketingut. E megjithatë, duke parë kundërshtarët respektivë, Beshiktashi që përballet me Tiranën është një emër shumë më i madh sesa Atletik Eskaldes dhe nëse ndeshja do të luhej në kryeqytet, me shumë gjasë do të kishte më tepër interes për një skuadër me emër kaq të madh. Le ta themi troç se përgjithësisht tifozët shqiptarë sugjestionohen edhe nga emrat e kundërshtarëve që kanë klubet tona, por edhe Kombëtarja. Rrjedhimisht, me një deduksion logjik, pritet që të ketë më shumë interes për Tirana-Beshiktash sesa për Partizani-Atletik Esklade. Gjithnjë nëse bardheblutë do të arrijnë të marrin një rezultat shpresëdhënës në ndeshjen e së enjtes në Stamboll…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"