Derbi i Prefekturës Dibër/ “Pingpong” me stadiumin, Korabi i jep një “dorë” Burrelit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2024 | 18:51

Derbi i Prefekturës Dibër/ “Pingpong” me stadiumin, Korabi i jep një “dorë” Burrelit

Derbi i Prefekturës së Dibrës, Korabi-Burreli, i ka buzëqeshur matjanëve, që fituan në shifrat 3-2. Axhenda e këtij takimi ka qenë një “pingpong” më vete. Disa herë ndryshoi vendi, duke krijuar një kaos për të interesuarit.

KORABI BURRELI

Fillimisht ishte për në Peshkopi, më pas sida u spostua në mënyrë të çuditshme në kompleksin “Internacional” në Pezë. Axhenda ndryshoi sërish të premten në darkë, ku takimi u vendos të luhej në stadiumin e Peshkopisë. Arsyeja e këtij “pingpongu” nuk dihet, por mënyra sesi skuadrat u paraqitën në fushë flet vetë. Korabi me “play off”-in në “xhep”, duket se i dha një dorë fqinjëve, të cilët u duhej trepikëshi për mbijetesën. Për të mos ia vështirësuar këtë mision dibranët bënë rotacion të thellë në formacion, mbase edhe për të kursyer energjitë për “play off”-in. Këto lëvizje i  shfrytëzuan matjanët që me trepikëshin duken të mbijetuar. Takimi nisi vrullshëm për Burrelin, ku në minutën e dytë Pedro shpërthen nga e djathta e sulmit dhe në fund shënon, 0-1 për Burrelin.

Në fund të pjesës së parë, Henry Marku pengohet në zonë dhe gjyqtari akordon penallti, të cilën në minutën e 44-t e kthen në gol Tërshalla. 1-1 u mbyll pjesa e parë. Fraksioni i dytë nisi me 5 zëvendësime, 4 te Burreli dhe 1 te Korabi. Minuta 52, topin e gjuajtur nga e majta e sulmit portieri Dani nuk arrin ta kontrollojë si duhet dhe Hida brenda zonës e dërgon në rrjetë, 2-1 për Korabin. Minuta 57, goditje dënimi për matjanët, të cilët me anë të një skemë gjejnë golin e barazimit me Farrukun. Minuta 61, Kurbneshi gjuan nga pika e bardhë, por Qyrani e kupton krahun duke i mohuar golin Burrelit. Në të 69-ën, Kastrati nga e majta shërben në zonë, Hoti me një zhytje me kokë e dërgon topin në rrjetë. 3-2 për Burrelin, rezultat që nuk ndryshon deri në fund.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"