“Të mos kalojmë në aventurë”, Lala beson te vazhdimësia: Nëse vazhdojmë kështu…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2024 | 23:10

“Të mos kalojmë në aventurë”, Lala beson te vazhdimësia: Nëse vazhdojmë kështu…

Kukësi i dy ndeshjeve të fundit, ai në Kupë kundër Partizanit dhe në kampionat ndaj Laçit, duke tërësisht i rilindur. Jo vetëm për shkak të fitoreve që ka arritur të koleksionojë, por edhe për besimin dhe shpirtin e garës që është injektuar tek grupi i lojtarëve.

franci lala

Gjithsesi, në situatën ku janë, kuksianëve u duhen ende fitore dhe pikë të tjera për të mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë. Ata vijojnë të jenë ende në vendin e fundit dhe skuadra më e rrezikuar për të rënë një kategori më poshtë.

LALA – Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi Franci Lala pohon se skuadra është rritur shumë moralisht, me trajnerin Devolli që ka punuar shumë në këtë aspekt dhe jo vetëm. ”Është normale kur bën dy fitore të rëndësishme radhazi, morali të jetë më i lartë. Kjo ka bërë që të besojmë akoma më shumë për pjesën e mbetur të kampionati”, u shpreh fillimisht Lala.

Më tej, mbrojtësi ka treguar edhe sekretin e mospësimit të golave këto dy ndeshje të fundit. “Ka qenë ardhja e trajnerit që ka punuar shumë nga ana psikologjike. Kukësi ka pasur shumë ulje-ngritje këtë sezon, tani kemi filluar të sakrifikojmë shumë si skuadër, duke mbrojtur dhe luftuar të gjithë bashkë. Nëse do të vazhdojmë kështu, besoj se do të kemi shumë ndeshje të tjera që do ta mbajmë portën të paprekur”, theksoi 24-vjeçari i bluve.

VLLAZNIA – Lala beson ende te mbijetesa për aq kohë sa matematika e lejon, duke i konsideruar të gjitha ndeshjet e mbetura si finale për Kukësin. E tillë do të jetë edhe ajo e kësaj të diele me Vllazninë, që aktualisht po kalon formën më të mirë nga të gjitha ekipet e kampionatit. “Përderisa matematika na e lejon, ne do të shpresojmë deri në fund. Çdo ndeshje do të jetë si finale dhe do të ketë vlerësimin tonë maksimal si skuadër.

Edhe ndaj Vllaznisë ne do të futemi në fushë për të marrë maksimumin, por kjo nuk do të thotë që do të kalojmë në aventurë. Për vetë formën që ka Vllaznia, do të na duhet të tregojmë shumë kujdes. Në të gjitha ndeshjet e mbetura do të bëjmë më të mirën tonë dhe më pas rezultatin do t’ia lëmë fushës”, e mbylli prononcimin e tij për gazetën Lala, i cili numëron 18 ndeshje me Kukësin në kampionat.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"