“Te Lacio u ndjeva si m***”, Muriqi tregon periudhën e vështirë në Itali: Nuk më donte as trajneri dhe as tifozët. Mendova se futbolli mori fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2022 | 20:30

“Te Lacio u ndjeva si m***”, Muriqi tregon periudhën e vështirë në Itali: Nuk më donte as trajneri dhe as tifozët. Mendova se futbolli mori fund

Vedat Muriqi është kthyer përsëri të tregojë një formë të shkëlqyer në futbollin spanjoll, teksa po shënon me rregullsi të admirueshme ndaj skuadrave më të forta të La Liga duke u bërë pikë referimi për Majorkën. Shifrat e tij flasin për 8 gola dhe një asist në këto javë, duke u bërë një nga emrat më të spikatur të La Liga, një ndryshim i plotë me një vit më parë kur ishte te Lacio dhe nuk gjente hapësira.

muriqi sarri

Duke folur për “Relevo” ai ka treguar se sa e vështirë ishte për të ajo periudhë në Itali, ku kishte vënë në dyshim edhe aftësitë e tij, duke menduar se futbolli kishte marrë fund për të.

“Në Itali kam kaluar një periudhë të vështirë. Në Turqi gjërat po shkonin shumë mirë për mua. Kur mora ofertën nga Lacio, nuk isha i sigurt për vendimin që do të merrja… Në Turqi unë shënoja gola, njerëzit më donin… por më duhej të shkoja dhe të provoja atë eksperiencë. Lacio është një nga klubet më të mira në Itali dhe ata luanin në Ligën e Kampioneve në atë periudhë. Unë vendosa të shkoja por u dëmtova dhe gjërat nuk filluan mirë. Ditët kaluan, unë shënova 2 gola dhe mendova se po kthehesha, por ata nuk më dhanë një mundësi për të luajtur. Kur isha i dëmtuar unë luaja 35-40 minuta, por nuk ma jepnin mundësinë kur isha mirë. Kanë qenë dy vite shumë të vështira për jetën time. Përtej kësaj, ia kam kaluar shumë mirë me shokët e mi të skuadrës. Unë flas ende me disa ish-shokë skuadre si Milinkoviç-Saviç, Marushiç, Pepe Reina. Këta djem më kanë ndihmuar shumë.

Unë kisha fatin e keq që kur luaja, nuk shkonte mirë, nuk kisha fat. Nuk i pëlqeja trajnerit, nuk u pëlqeja tifozëve. Por vazhdonte të ishte futboll. Kur kthehesha në shtëpi, nuk ndjehesha mirë. Kthehesha i inatosur, i mërzitur, nuk mund t’i jepja dashuri familjet time, ishte një situatë shumë e vështirë për mua. Por gjithçka ndryshoi kur erdha te Majorka në janar. Në periudhën kur kthehesha i mërzitur në shtëpi, flisja me miqtë e mi dhe sidomos me gruan time. Ajo është psikologjikisht më e fortë se unë, ajo më tregonte se unë duhej të isha i fortë, që duhej të isha i përgatitur për momentin kur do të shfaqej një mundësi. Pas stërvitjeve, unë fillova të punoja me përgatitësin tim atletik dhe në dy muaj unë ia dola të ndjehesha më mirë si fizikisht, ashtu edhe mendërisht. Unë po prisja për momentin tim, por për fat të keq nuk erdhi.

Kishte periudha kur unë vura në dyshim aftësitë e mia. Ishin dy muaj ku unë po bëja shumë mirë dhe mendova se mund të isha përsëri futbollisti që isha shfaqur te Fenerbahçe. Por pastaj u ndjeva si m***, mendova se futbolli kishte mbaruar për mua. Unë kisha shënuar 20 gola te Fenerbahçe dhe tani kishte mbaruar gjithçka. Fillova të mendoja se ajo që më kishte ndodhur ishte thjesht fat. Zoti e kishte dashur kështu dhe tani kishte mbaruar. Isha shumë keq në mendjen time. Mamaja dhe gruaja ime më ndihmuan shumë. Pas janarit unë vendosa të shkoja te Majorka dhe kjo më ndryshoi jetën”, ishte tregimi i “Piratit” për periudhën e vështirë që kaloi në Itali.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"