Skenar i çmendur për “Final Four” në Superiore. Ja çfarë ndodh nëse Egnatia, Vllaznia dhe Partizani e mbyllin me pikë të barabarta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2024 | 23:57

Skenar i çmendur për “Final Four” në Superiore. Ja çfarë ndodh nëse Egnatia, Vllaznia dhe Partizani e mbyllin me pikë të barabarta

Jemi në javën e 34-t të Abissnet Superiore dhe kanë mbetur vetëm 2 javë nga fundi i kampionatit. Deri më tani për “Final 4” janë kualifikuar 3 ekipe, të cilat janë Egnatia, Vllaznia dhe Partizani.

final 4

Gara në këto javë të fundit është bërë shumë e ashpër, me Egnatian që ka 2 humbje radhazi dhe ana tjetër Partizani me Vllazninë me 2 fitore. Kjo ka bërë që kreu i renditjes të ngushtohet shumë, me vetëm 3 pikë diferencë nga vendi i parë që i përket rrogozhinasve dhe deri te i treti që i takon “demave”. Kjo do të thotë që në mbarimin e 2 javëve të mbetura, mund të shohim 2 nga këto ekipe me pikë të barabarta. Por pyetja është se si do të pozicionohen ekipet në këtë rast.

Është shumë e thjeshtë për ta shpjeguar, do të shikohen ndeshjet direkte midis tyre.

Nëse Egnatia dhe Vllaznia mbeten me pikë të barabarta, atëherë kreun do ta merrnin rrogozhinasit. Edhe pse të dy ekipet kanë bilanc të barabartë, me nga 2 fitore secila kundër njëra-tjetrës, rrogozhinasit i kanë shënuar më shumë gola shkodranëve në këto 4 ndeshje që kanë zhvilluar këtë sezon, Vllaznia ka arritur t’i shënojë vetëm 3 herë ndërsa Egnatia ka shënuar plot 6 gola.

Në rast se Partizani del me pikë të barabarta me Egnatian, atëherë përsëri kreu është i rrogozhinasve. Kjo pasi ata kanë fituar një ndeshje ndërsa tre të tjerat janë ndarë në barazim.

Në rast se Vllaznia del me pikë të barabarta me Partizanin, atëherë kreun e marrin “demat”. Skuadrat kanë 3 barazime me njëra-tjetrën, dhe kryeqytetasit kanë arritur të fitojnë 1 herë, 4-1 kundër shkodranëve.

Kjo përllogaritje nuk vlen vetëm për kreun e kampionatit, por edhe nëse ekipi i vendit të dytë dhe të tretë dalin me pikë të barabarta. Edhe kjo gjë vlen shumë sepse siç dihet, vendi i dytë do të jetë më i favorizuar në shortin e gjysmëfinaleve të “Final 4”.

Nëse kjo gjë ndodh, atëherë kreun e merr Egnatia, sepse ka koleksionuar 12 pikë. Më pas në vendin e dytë kalon Partizani me 9 pikë dhe Vllaznia në të tretin po me 9, por me një golavarazh më të keq se të kuqtë.

SONI SALIHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"