Super sfida ndaj Vllaznisë, Dinamo përgatit kundërsulmin “vrasës”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2018 | 14:21

Super sfida ndaj Vllaznisë, Dinamo përgatit kundërsulmin “vrasës”

Dinamo e këtij sezoni është krejtësisht ndryshe nga ajo e viteve të fundit. Në kampionatet e fundit, blutë kanë luftuar kryesisht për t’i mbijetuar rënies në Kategorinë e Dytë. Ndërsa, tashmë janë një prej ekipeve rivale për ngjitjen në Superiore. Blutë e fuqizuan ekipin në merkaton e verës duke afruar lojtarë cilësorë, ndërsa stafi dhe drejtuesit shprehën hapur objektivin për ta ngjitur skuadrën në Superiore. Dhe kryeqytetasit e kanë nisur në mënyrën më të mirë të mundshme, duke grumbulluar gjashtë pikë në dy ndeshjet e para.

dINAMO225

Nesër, dinamovitët i pret një transfertë e vështirë në Shkodër përballë Vllaznisë që është gjithashtu një prej pretendenteve për vendin e parë në Grupin A. Trajneri Igli Allmuça vazhdon intensivisht me seancat stërvitore dhe synon që të marrë një rezultat pozitiv në këtë transfertë të vështirë. Bëhet e ditur se tekniku do t’i ketë të gatshëm të gjithë lojtarët, ndërsa do t’i besohet sërish formacionit që ka luajtur edhe në dy takimet e para.

Gjatë këtyre ditëve të seancave stërvitore, trajneri Allmuça i ka kushtuar më shumë rëndësi aspektit tekniko-taktik. Lojtarët kanë aplikuar disa skema për sa u përket daljeve të rrezikshme me kundërsulm apo edhe goditjeve standarde. Dinamo do t’i kushtojë më shumë rëndësi kundërsulmit, pasi dihet që Vllaznia do të luajë në sulm me synimin për të marrë maksimumin përballë rivalit direkt në fushën e vet. Blutë do të zhvillojnë sot seancën e fundit stërvitore përpara ndeshjes së nesërme.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"