Sulm me dy “ish”-ë të korçarëve, Haxhiu: Nuk doja të luanim në Elbasan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2017 | 10:05

Sulm me dy “ish”-ë të korçarëve, Haxhiu: Nuk doja të luanim në Elbasan

Korabi është i detyruar të presë sot Skënderbeun në stadiumin “Elbasan Arena”, aty ku më parë në dy ndeshje të luajtura si pritës ka humbur minimalisht nga 1-0, pikërisht kundër Luftëtarit dhe Laçit. Kjo është një arsye më shumë që dibranët të mos preferonin këtë impiant, që është më moderni në vend, por kanë qenë të detyruar.

Gerd Haxhiu

Pas moslicencimit të stadiumit të Peshkopisë, klubi i Korabit tentoi të zhvillonte ndeshjen në Ballsh, Fier ose Durrës, por asnjë nga këto alternativa nuk u mundësua. Trajneri Gerd Haxhiu pranon për “Panorama Sport” se nuk donte që të luante në Elbasan kundër Skënderbeut.

“Zhvillimi i kësaj ndeshjeje në stadiumin e Elbasanit ka qenë i kushtëzuar sepse ne kemi tentuar në tre stadiume: në Ballsh, në Fier dhe në Durrës, por që për arsye të ndryshme nuk u arrit akordi në asnjë prej tyre. Kështu, Elbasani mbeti alternativa e vetme për ne”, shpjegon trajneri i dibranëve.

Në takimin me kampionët në fuqi, Korabi do të vuajë mungesën e dy futbollistëve të rëndësishëm si Sokol Mziu dhe Ardit Peposhi, që kanë plotësuar numrin e kartonëve. Trajneri Haxhiu ka menduar t’i përgjigjet Skënderbeut me dy sulmues që kanë të kaluar në Korçë: Ardit Hoxhaj dhe Paulo Ivani. Lidhur me sfidën e sotme, tekniku vlonjat është optimist, pavarësisht vështirësive në ekip.

korabi formacioni

“Sigurisht që është një takim ndaj një skuadre shumë të fortë dhe për më tepër kampione në fuqi. Ne do të mundohemi të bëjmë më mirën e mundshme për ta përballuar me sukses këtë ndeshje, por sigurisht që do ta kemi mjaft të vështirë. Unë besoj te lojtarët e mi dhe jam i bindur se do të bëjnë gjithçka për një rezultat pozitiv”, përfundoi Haxhiu.

Situata te dibranët nuk është më e mira, teksa më shumë rëndon fakti që ekipi endet në fundin e tabelës. Gjithsesi, në lojë janë edhe shumë pikë dhe dibranët nuk janë dorëzuar, por shpresojnë te mbijetesa.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"