Statistikat interesante/ Kastrioti, 6 ndeshje radhazi që nuk e mposht dot Laçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2022 | 22:07

Statistikat interesante/ Kastrioti, 6 ndeshje radhazi që nuk e mposht dot Laçin

Kastrioti-Laçi mund të konsiderohet si derbi, por natyrisht që më i elektrizuar dhe me një pjesëmarrje të madhe tifozësh ka qenë më tepër në vitet ’90.

KASTRIOTI LACI

Megjithatë, në sezonet e fundit, kur dhe të dyja skuadrat janë pjesë e elitës së futbollit shqiptar, ka rënë në sy gara e fortë mes ekipeve, shpesh edhe e ashpër në fushë, qoftë në ndeshjet e luajtura në Laç, ashtu edhe në Kamzë, ku krutanët janë pritës.

Këtë të shtunë në orën 15:00, Kastrioti pret kurbinasit dhe vjen më i karikuar se kurrë, pasi në javën e shtatë mori një pikë ndaj Partizanit kryesues. Të besuarit e trajnerit Emiljano Çela duan të kthehen te fitorja dhe përballë kanë një skuadër në krizë të thellë, që mbyll tabelën e klasifikimit.

Nëse shikon sfidat e dy viteve të fundit, krutanët kanë vuajtur shumë me Laçin. Ka gjashtë ndeshje që Kastrioti nuk e mund dot ekipin kurbinas, pikërisht që prej 27 dhjetorit 2020, kur fitonte minimalisht 1-0 me një gol të Indrit Prodanit. Si për ironi, në këtë takim ka dalë me karton të kuq Çela, i cili sot drejton krutanët.

Prej kësaj ndeshjeje, bardhezinjtë kanë marrë katër fitore dhe në dy takime gjithçka është mbyllur në barazim. Nesër Kastrioti ka shansin të thyejë këtë ters me kurbinasit, për më tepër që po kalon një formë të mirë. Trajneri Çela pritet të ketë një grup të plotë, pasi edhe mesfushori i dëmtuar, Xhuljo Mehmeti, po e merr veten dhe gjasat janë që të grumbullohet në këtë takim.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"