Spektakolar në goditjet standarde, “snajperi” Mesi shënon më shumë se Juvja e Reali

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2019 | 13:05

Spektakolar në goditjet standarde, “snajperi” Mesi shënon më shumë se Juvja e Reali

Magjistari Lionel Mesi është më efektiv se kurrë. Kjo frazë nuk është thjesht një metaforë për të nisur një shkrim, por është statistikë. Argjentinasi duket si një makineri që lufton çdo sezon futbollistik për të thyer rekordet e tij. Kapiteni i Barcelonës sfidon veten. Pavarësisht se këtë sezon e nisi i dëmtuar, për momentin ka arritur të thyejë një rekord. 

Lionel-Messi-Barcelona2

Ky i këtij sezoni është Mesi më efektiv i kësaj dekade të kampionatit, më “vrastar” se kurrë. Shkëlqimi i fundit në La Liga ishte kundër Selta Vigos. Shënoi një tripletë, një me penallti dhe dy me goditje dënimi përpara zone. Dy supergola dhe goditje të pandalshme. Një tregolësh për të vendosur një ndeshje që nuk kishte nisur aspak mirë për katalanasit. Numrat e argjentinasit kundër Seltës ishin 5 goditje, të cilat shkuan të pesta në kuadrat dhe 3 prej tyre në rrjetë. Spektakolar.

“Me Leo Mesin në fushën e lojës, çdo gjë është e mundur”, tha trajneri Ernesto Valverde pas ndeshjes. Sepse ndonjëherë kapiteni i katalanasve “kap” të paarritshmen. Kur duket se skuadra është e dorëzuar dhe nuk ka forcë  për të reaguar, shfaqet gjithmonë “Pleshti” me magjinë e tij dhe vendos ndeshjet. Në La Liga po thyen rekorde. Në La Liga shënon një gol çdo 3.5 goditje. Një statistikë, e cila është më e mira e 10 sezoneve të tij të fundit. Në këtë vit, në 28 goditje ka arritur të shënojë 8 gola.

GODITJET STANDARDE- Efektiviteti është thuajse i njëjtë edhe në goditjet standarde. Këtë sezon ka një saktësi 40% në goditjet e faulleve. Ai ka goditur 10 herë dhe ka arritur ta dërgojë topin në rrjetë 4 herë, dy kundër Seltës, një kundër Sevijes dhe një tjetër kundër Vajadolidit. Me golat e shënuar kundër Seltës arriti në kuotën e 46 rrjetave me fanellën katalanase.

Në pesë sezonet e fundit “Pleshti” ka arritur të shënojë më shumë gola sesa disa nga ekipet më të mëdha në Europë. Ai regjistron 29 gola nga faullet, Juventusi 27, Reali i Madridit 23 dhe Roma 21. Në 25 vitet e fundit Leo Mesi është golashënuesi më i mirë nga goditjet standarde. Kristiano Ronaldo ka shënuar 19, Roberto Karlos 16 dhe Ronaldinjo 15. Në total “Pleshti” numëron 52 gola, ndërsa Ronaldo në total ka 54.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"