Shqipëria e paharrueshme e “FRANCË 2016”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2021 | 19:45

Shqipëria e paharrueshme e “FRANCË 2016”

Kuptohet qartë që e kanë harruar, ndonëse për të ky 2021 është një vit jubilar. Është 5-vjetori i arritjes së parë dhe të vetme të Kombëtares së Shqipërisë në finalet e një Kampionati Europian. E përderisa ky jubile nuk u përmend asnjëherë gjatë këtyre gati 30 ditëve të finaleve mbasardhëse të këtij 5-vjetori, kjo tregon se “ata” e harruan. Shtetet e tjera jubileve të tillë u kushtojnë filma, kujtime, tregime, vështrime historike e plot të tjera…

Shqiperia flamuri

Ndërkaq, Shqipëria është i vetmi shtet në Europë që brenda një mbrëmjeje të vetme ka 7 emisione televizionesh për Kampionatin e Europës, këtij 2021. Por, kanë harruar se 5 vjet më parë, një shtet i vogël me vetëm 3 milionë banorë , që është shteti i tyre, ka qenë midis 24 finalisteve të një Kampionati të Europës së 55 shteteve, atij paraardhës të këtij të sotmit. Dhe të gjithë këta shqiptarë që kanë pushtuar studiot televizive, të merituar e të pamerituar, plot hare e eufori shfaqen përnatë në analizat e tyre “të pagabueshme” për Europianin 2021.

Por, për Shqipërinë e mrekullisë për ne, të 5 vjetëve më parë, as që bëzajnë! E kanë harruar, vërtet. Se dihet, shqiptarët nuk kanë kujtesë. Ata dinë veç të harrojnë! Ose, pa pikë zori dinë të jenë tifozë, një pjesë madje tifozë krejt të sëmurë, të shteteve të tjera. Dhe të shfaqen të tillë edhe aty ku nuk lejohet, deri edhe kur janë në rolin e gazetarit, komentuesit, analistit. Janë kaq “guximtarë”, saqë deri në televizionin publik, atë të Republikës së Shqipërisë, të dalin të veshur me fanellën, për shembull të Italisë a të Gjermanisë, që dihet, janë shtete të tjera.

Në një kohë që, për shembull, as Italia vetë në emisionin e saj kushtuar Europianit (“RAI UNO Euro 2020”) nuk e shkel etikën e gazetarisë e t’i pranojë analistët e saj të veshur me fanellën e Italisë. Tash, këtu po përkujtojmë 5-vjetorin e Shqipërisë 2016 të pjesëmarrjes së vetme të derisotme të saj në finalet e një Kampionati të Europës, që është “Franca 2016”, duke botuar “Tregimin 12” të librit “SHQIPËRIA EUROPIANE e Gianni De Biasi-t” (Botimet Kumi 2020) të shoqëruar me tri foto si kujtesë të atyre ndeshjeve, ku përveç fitores historike, edhe dy humbjet patën vlerën dinjitoze të fitoreve.

Kaq mund të bëjmë. Dhe këtë nuk e bëjmë për harruesit e pandreqshëm të ekraneve televizive, por për brezin më të ri. Bie fjala për ata të cilët pesë vjet më parë kanë qenë 10-vjeçarë apo 15-vjeçarë e tash me një kujtesë tejet më të përforcuar janë 15-vjeçarë e 20-vjeçarë. Por, mbi të gjitha e bëjmë për të nderuar 20 futbollistët e Shqipërisë të finaleve “Francë 2016”, të cilët e bënë gjithë Europën të fliste për ta e për Atdheun e tyre që është Shqipëria. BESNIK DIZDARI

Tregimi 12

“Dua ta shoh futbollin që të zhvillohet në të gjitha vendet e botës. Dua t’i shoh fëmijët e krejt planetit duke u gëzuar me një top ndër këmbë”.

Gianni Infantino

SHQIPËRIA NË FINALET E “FRANCË 2016”

Për herë të parë kishte mbërritur Shqipëria në ndeshjet finale të një Kampionati të Europës. Ishte risia më e madhe e këtij kampionati në gjithë historinë. Ishte edicioni i 15-të jubilar i asaj që quhet Kupa e Europës “Henri Delaunay”, ndryshe Kampionati Europian i Futbollit. Po ndodhte që për herë të parë në historinë e jetës së saj gati 60-vjeçare, ajo po e kalonte turin e parë përmes 11 rezultateve të ngushta, gati-gati të një baraspeshe unike midis të gjithë pjesëmarrësve. Madje, duke përfshirë këtu edhe debutuesen tonë “par excellence” ballkanike me emrin Shqipëri.

kombetarja-euro-2016-6

I rritur deri në 24 shtete pjesëmarrëse, e kjo më tepër për hir të një komercializimi fitimesh të sigurta (1 fitore vlente 1 milion euro), gara eprore e futbollit europian, brenda pesë ditëve të saj të para do të vërtetonte mû këtë baraspeshë. 6 ndeshje me fitore të vetëm 1 goli ndryshim, 2 barazime dhe vetëm 3 fitore “të thella”, thjesht 2-0, të dy superfuqive të futbollit, Gjermani e Itali, shto Hungarinë, treguan se ajo që kishte nisur nja 25 vjet më parë, pra afrimi i forcave, tash mund të mbërrinte kulmin e saj. Po cila qe skuadra e cila çuditi sadopak? Ndoshta asnjëra.

Ndonëse në shtypin europian u veçua tejet njëra: Shqipëria! Dhe më fort se për lojën, ajo u veçua për rastin e vëllezërve Xhaka në dy skuadra të ndryshme, për nënën e tyre e cila kishte veshur një fanellë me dy gjysma flamujsh Shqipëri e Zvicër, për faktin se ishte skuadra e vetme midis të 24-ave e cila më shumë se gjysmën e lojtarëve nuk i kishte prodhuar vetë, për ndodhinë e bujshme se ishte një bashkim i bujshëm ndërkombëtar Shqipëri – Kosovë.

Dhe vetëm pak për sa i përket gjykimit teknik edhe pse kjo vinte prej faktit që me 10 lojtarë kjo Shqipëri debutuese gati e sfidoi Zvicrën që aq fort do të gëzohej për fitoren e ngushtë 1-0. E gati-gati sa nuk u tha – sidomos në Shqipëri – se “më mirë qenka kur luan me 10 lojtarë sesa me 11”! I pari këtë batutë e kishte thënë nja 50 vjet më parë një trajner suedez i futbollit italian, i famshmi Nils Liedholm, çka i përmendet sot e kësaj dite sa herë që një skuadër luan mirë kur i përjashtohet një lojtar. Përballë një Zvicre diçka më të paktë se dy vjet më parë, në pjesën e dytë Shqipëria paraqiti një model taktiko-teknik gjithnjë të stilit “catenaccio all’italiana” thuajse triumfuese, teksa kujtoj rastin “historik” të Gashit, që megjithatë nuk u bë historik!… Gjithçka kishte nisur me funde spektakolare italo-gjermane, por jo të një futbolli të madh.

Fat francez dhe mosfat rumun. Fatalitet anglez dhe përtëritje ruse. Befasi turke në humbje e sipër prej shkollës jugosllave të Kroacisë, pra. Mandej “melankoli” barazuese suedeze për të mbërritur te një fitore hungareze në duelin danubian Austri-Hungari. Të dy gati 100 vjet më parë të të njëjtit shtet që asokohe e quante futbollin një sport “proletar”, tejet i panevojshëm për aristokracinë hausburge.

Mandej? Mandej Wundertimi i Hugo Meislit i viteve ’30, thuajse një revolucion në futbollin europian. Mandej, Mbaslufta dhe “skuadra e artë” hungareze e Ferenc Pushkashit, që kishte nisur me 3-0 ndaj Shqipërisë, që ndalonte me një 0-0 përtej historisë në Tiranë për të mbërritur Shqipëria, për fat të keq, te rekordi “i paharrueshëm” edhe ky, i një 12-0 shkatërrues dhe arratisës i vitit 1950…

Mbas kaq vjetësh mbërrinte kombëtarja e Hungarisë e harruar për gati një gjysmëshekulli me një risi të pangjashme: tre lojtarë të saj, Fiola, Sallai dhe një i tretë me emrin e kujtimeve më të famshme: Kocsis! Vinin nga një klub që mbante emrin e Ferenc Pushkashit legjendar. Ishte skuadra “Puskas Akademia”! Ky mund të ishte rasti i vetëm në historinë e futbollit botëror kur një klub i tanë merrte emrin e një futbollisti. Madje, teksa ishte themeluar vetëm në 2005, klubi “Puskas Akademi” mbërrinte sensacional në Kampionatin Europian me tre lojtarë të tij. Dhe 2-0 Austrisë e cila mendohej se ishte në vitet më të mira të saj…

ME 5 SHQIPTARË, ZVICRA MUND SHQIPËRINË 1-0

Do të ndodhte që Shqipëria të debutonte në finalet e para të saj për një Kampionat Europian, duke u mposhtur çuditërisht, po aq sa prej zviceranëve të vërtetë e po aq edhe prej shqiptarëve po të vërtetë. Ky ishte rekordi i madh, i papamë i historisë së një Kampionati Europian: kur një skuadër mposht një tjetër, duke pasur në 11-shin e saj pesë djem të racës së kundërshtarëve. Në formacionin e Zvicrës emrat e tyre ishin: Behrami, Dzemaili, G.Xhaka, Shaqiri, Mehmedi! Madje katër të parët ishin të njëmbëdhjetëshit të parë. Shtetas të Zvicrës, natyrisht, të lindur e të formuar prej saj, por shqiptarë të vërtetë të Kosovës shqiptare. Dhe me rekordin e dytë që ishte europian e botëror së bashku: për herë të parë në historinë e njerëzimit dy skuadra shtetesh të ndryshme kishin dy vëllezër të ndarë kësisoj.

Shqiperi-Zvicer

Njëri lojtar i shtetit të Shqipërisë, tjetri lojtar i shtetit të Zvicrës: “shqiptari” Taulant Xhaka dhe “zvicerani” Granit Xhaka! Po mahnitej gjithë bota dhe episodi ishte i atij rangu saqë po tronditej historia e kombëtareve të futbollit të të gjithë rruzullit! Përveç rastit tanësor të kësaj shqiptarësie që ia kishte mbërritur të shfaqej bujshëm midis finalistëve të Europës me 15.000 shikues të pranishëm në stadiumin “Stade Bollaert – Delelis” të Lensit, në ndeshjen e parë të saj, për këtë Shqipëri pra, e gjitha kjo ndoshta ishte mû ajo “diçka” që po ndodhte në futbollin europian.

Pa harruar barazinë midis skuadrave. Ndonëse për fat të keq, edhe këtu me shterpësinë më të madhe të efektit të lojës sulmuese. Për herë të parë në historinë e një Europiani turi i parë i fundoreve (finaleve) të tij nuk mbërrinte as 2 gola për ndeshje. Ishte vetëm 1.8 gola për ndeshje! Kësisoj, edhe te ndeshja ZvicraShqipëria, 1-0. Goli qysh në minutën e 5-të nga Schar! Një humbje përtej dinjitozes për Shqipërinë e Gianni De Biasi-t.

Kjo ishte Shqipëria e herës së parë në finalet europiane: 11 qershor 2016:

E.Berisha, Hysaj, Cana, Mavraj, Agolli, Abrashi, Kukeli, T.Xhaka, (Kaçe 62’), Roshi (Cikalleshi 74’), Lenjani, Sadiku (Gashi 82’).

Edhe këtu një rekord tjetër: ndër 13, vetëm 5 prej tyre i kishte prodhuar futbolli i Republikës së Shqipërisë: Hysaj, Agolli, Roshi, Cikalleshi, Sadiku!…

SHQIPËRIA “FRANCEZE” E RRUGËTIMIT EUROPIAN

E vërteta ishte se prej disa vitesh Shqipëria e futbollit të Kombëtares ishte nisur për në rrugën europiane. Atë të diel të mbrëmjes franceze të Lensit, vetvetiu ajo merrte pranimin legjitim në: “Bashkimin Europian të Futbollit”. Do të konsakrohej kur do të mbërrinte te fitorja e çmuar me Rumaninë – çka do të ishte, si “diploma” e praruar e këtij pranimi. E megjithatë, siç pata shkruar në kohën e duhur, Zoti nuk m’i merrte mendtë sa të përfshihesha në euforinë ndezëse sikur të kishim fituar Kampionatin e Botës.

Grizman

“Me akull të krésë”, siç thotë Fishta, po kërkoja ta kuptoja më mirë atë arritje të bukur dhe të rrallë të Kombëtares së Shqipërisë, duke i bashkuar përmbajtjet e tri ndeshjeve europiane të saj përmes një kuptimi apo nënkuptimi sa më bindës që të ishte mundur. Shqipëria kishte vërtetuar se nuk kishte ardhur në Francë thjesht falë një trepikëshi të servirur mbi një “tabáke ari” mbi tryezë, porse kishte formuar një Kombëtare të mirë të stilit europian. Ajo po vërtetonte se pavarësisht nga 5 humbjet radhazi në 10 muaj, përballë skuadrave më të forta se ajo (Serbia 0-2, Austria 1-2, Ukraina 1-3, Zvicra 0-1, Franca 0-2), në ditët franceze po shfaqej në mos e barabartë, tejet europiane.

Kështu sa për të mos përdorur gjithnjë përcaktimin “dinjitoze” tejet të konsumuar që na e kishte marrë frymën tash e parë në krejt varfërinë e humbjeve dhe eliminimeve që nuk na ndaheshin. Deri aty saqë shpesh i quanim të sukseseve edhe trajnerë të pafajshëm të saj të bilanceve tejet të varfra në kualifikimet euro-botërore: Konçi, Birçe, Bajko, Hafizi vetëm nga 2 fitore; Boriçi, Rreli, Zhega, Shuke vetëm nga 1 fitore; Alla, Sulaj e Demollari asnjë!

Kështu edhe sepse regjimi i asokohe, sidomos për ata të para viteve ’90, nuk u lejonte assesi ta shndërronin Kombëtaren në një Shqipëri europiane. Dhe ne që mbeteshim te përcaktimi “dinjitoze”, ndonëse ndonjë prej atyre ndeshjeve madje, mund të ketë qenë edhe më sensacionale; deri aty sa për kah buja tronditëse t’ia kalonte edhe fitores “franceze” 1-0 me Rumaninë.

Historia e bukur po rrëmbehej prej trajnerit italian të Shqipërisë së viteve 2000 me emrin Gianni De Biasi – i vetmi trajner i Kombëtares në kualifikimet euro-botërore i cili deri atë të… 1-0 ndaj Rumansë, bëhej “pronar” i një shifre, për ne, përtej historisë: 8 fitore!

Kështu pra, edhe pse Shqipëria humbiste dy herë me zviceranët dhe francezët, shpesh në ecurinë 90-minutëshe të skenave të paharrueshme të saj të Lensit, Marsejës, ia kishte arritur t’i trondiste ata dhe t’ua vinte në pikëpyetje fitoret, njëra prej të cilave madje, e përcaktuar në kufirin e fundit të lojës (Kur e mëparshmja kishte qenë një qëndresë gati heroike për rreth 60 minuta me një lojtar më pak: kapiteni Cana). Tash ishte Franca – Shqipëria 2-0 e 15 qershorit 2016, Marsejë. “Stade Velodrome”. 90 minuta 0-0, por në 7 minuta 2-0 për Francën: Griezmann në të ’90 dhe Payet në të 97’! Më shumë se Franca fitimtare, do të duartrokitej Shqipëria humbëse!…

Mandej Rumania. Fitorja. Nuk kishte filluar mirë ndeshja me Rumaninë, por hap mbas hapi ajo do të zotërohej në të gjitha kahet. Saktësi në mbrojtje, kalim në sulm, që ndoshta për herë të parë nuk ishte kundërsulm, por i një gradualiteti që rrallë e kishim parë. Për mua kjo vinte falë asaj që deri në mërzi e kisha quajtur “catenaccio all’ italiana”, të cilit me Shqipërinë, trajneri De Biasi dhe ndihmësi i tij Tramezzani, i kishin dhënë kohezion apo një modernitet, që nuk e bën të mbetet klasik, ashtu siç e ka përdorur dikur Italia e tyre.

Ishte një kombinim i një teknike të pasimeve vertikale, po çuditërisht po aq dhe horizontale. Gjithçka në varësi të situatave, përmes një shkrirjeje të një 11-shi, që për herë të parë pra, pa kapitenin tonë të famshëm me emrin Lorik Cana të 93 ndeshjeve – që do ta braktiste Kombëtaren pa arritur 100 – po tregonte se mund ta hapte ciklin e përtërirë taktik të saj. Shqipëria 1-0 me Rumaninë!

sadiku

Çka, për mua, si historian i kësaj fushe (e këtë edhe sot e them thjesht për të kuptuar më mirë kompozicionin e këtij libri), mbi të gjitha ishte një ecuri dramatike po historike me Kombëtaren e këtij shteti tjetër ballkanik. Rumania e cila në 15 ndeshje na kishte mundur plot 11 herë duke përmbledhur shifrën e pamëshirshme të plot 40 golave të shënuar në portat “e buta” shqiptare.

E quaja historike, jo thjesht se ishte fitorja e parë shqiptare në ndeshje fundore (finale) të Kupës së Europës (Kampionati Europian) dhe as sepse teorikisht linte hapur deri te një e mërkurë në mbrëmje mundësinë e kalimit në 16-shen europiane, por sepse ajo fitore për ne ishte sa përkujtuese po aq disi dhe epike, kur kujtoje se për të ishte pritur plot 68 vjet! Më shumë se kaq, fitorja me Rumaninë ishte historike sepse fitoret e pakta me këtë skuadër që për dekada triumfonte ndaj nesh, ishte e lidhur edhe me këto ngjarje gjithashtu krejt historike:

Më 13 tetor 1946, Shqipëria fiton 1-0 në Tiranë me Rumaninë falë golit të Qamil Telitit dhe shpallet kampione e Ballkanit. Më 2 maj 1948 Shqipëria fiton 1-0 në Bukuresht me Rumaninë falë golit të Pal Mirashit dhe renditet andej kah kreu në Kampionatin e ndërprerë Ballkanik dhe të Europës Qendrore, duke lënë mbrapa Rumaninë, Jugosllavinë, Poloninë, Bullgarinë dhe Çekosllovakinë dhe duke pasur mbi vete emra të tillë si për shembull, Hungarinë legjendare të Ferenc Pushkashit që sapo lindte.

Kishim pritur kështu, shtatë dekada për të fituar një ndeshje me Rumaninë dhe për fatin e bukur, më 19 qershor 2016 të shekullit XXI synonim të përfshiheshim në grupin elitar të një Kampionati Europian. Ishte e qartë se Shqipëria e arrinte fitoren me Rumaninë mû në 80-vjetorin e themelimit të Kombëtares së saj të një Lushte e të një Kryeziu të Kosovës e të Tiranës (5 mars 1936); mû në 70-vjetorin e ndeshjes së parë ndërkombëtare (1 maj 1946, Shqipëria – Spartak i Moskës 1-2 ); mû në 70-vjetorin e ndeshjes së parë ndaj një përfaqësueseje të një kombi tjetër (22 shtator 1946, Shqipëria – Mali i Zi 5-0 ); dhe mû në 70- vjetorin e titullit të saj kampion i Ballkanit (13 tetor 1946).

Këto përkime dukeshin si të rregulluara nga dora e Zotit, për t’i dhënë kështu përmasa edhe më historike kësaj Shqipërie europiane të fitores së vonuar me Rumaninë. Po ndërkaq, ajo arrinte edhe një fitore tjetër të madhe. Mbasi kishte triumfuar ndaj rumunëve, edhe pse “për një çast” ajo nuk do të luante, për tri ditë me radhë edhe pa luajtur asnjë minutë pra, ajo do të ishte në qendër të vëmendjes së bashkëkombësve të saj falë një pritjeje që ishte po aq e një “strategjie” europiane sa dhe vetë fitorja. Besoja se po ndodhte që asnjë shqiptar, qoftë edhe më snobi apo më provinciali – e për fat kemi shumë të tillë – për herë të parë nuk do ta kishte mendjen te skuadrat e mëdha të Europës si tifoz artificial i tyre, por do ta kishte mendjen tek ato, thjesht ngaqë rezultatet e ndeshjeve të tyre mund të kualifikonin Shqipërinë e tyre për më tej. Për fat, ato ishin të një dendësie që për Shqipërinë kurrnjiherë nuk kishin qenë kaq origjinale, kaq dramatike, kaq fort të një fataliteti madje:

Sllovakia – Anglia, Rusia – Uellsi, Gjermania – Irlanda e Veriut, Ukraina – Polonia, Republika Çeke – Turqia, Suedia – Belgjika, Italia – Irlanda, Hungaria – Portugalia, Islanda – Austria!… Secila përmbante disa fate për një fat të vetëm: atë të Shqipërisë. Dhe asnjëherë në historinë e saj deri para pak, thuajse modeste, fati i Shqipërisë nuk kishte qenë kaq i lidhur me kaq shumë ndeshje të një Kampionati Europian. E në këtë mori fatesh apo fataliteti, ne nuk mund të parashikonim asgjë. Ndonëse pavarësisht prej gjithë kësaj, mund të thoshim se Shqipëria e kishte kryer misionin e saj. Erdhi, luajti me merita, tregoi futboll europian, humbi siç humbin edhe të mëdhenjtë, fitoi me kryet lart dhe i paraqiti Europës publikun e saj europian të një dekori a skene shqiptaro-europeiste të paparë deri atë ditë të “Stade de Lyon”, të 19 qershorit 2016.

Emra e protagonistëve të kësaj fitoreje ishin këta: E.Berisha, Hysaj, Ajeti, Mavraj, Agolli, Abrashi, M.Basha (Cana 83’), Memushaj, A.Lila, Lenjani (Roshi 77’), Sadiku (Bala 59’). Goli spektakolar i Armando Sadikut në të 43’. Shqipëria kishte treguar se dinte të sillej si europiane e vërtetë, se dinte të nxiste ftesa të bukura duelante me të mëdhenj në garat më sublime. Emrat e aktorëve të saj europianë, tashmâ të sprovuar, ishin këta 20 djem të tri ndeshjeve të paharrueshme, humbëse apo fituese qofshin:

Etrit Berisha, Ansi Agolli, Arlin Ajeti, Lorik Cana, Elseid Hysaj, Mërgim Mavraj, Frederik Veseli, Amir Abrashi, Migjen Basha, Ergys Kaçe, Burim Kukeli, Ermir Lenjani, Andi Lila, Ledian Memushaj, Odise Roshi, Taulant Xhaka, Bekim Bala, Sokol Cikalleshi, Shkëlzen Gashi, Armando Sadiku. “Mbi ta” trajneri Gianni De Biasi. Duke pasur në krah kolegun e tij Paolo Tramezzani.

Pa harruar meritën e drejtimit federalist, të Federatës Shqiptare të Futbollit pra, me në krye presidentin e saj Armand Duka – çka ndoshta kjo meritë do ta çonte deri te zgjedhja e tij në 2019 si anëtari i parë shqiptar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. N

JË SHQIPËRI E BUKUR: E 18-TA MIDIS 24-SHES SË EUROPËS

Sepse vërtet ishte e 18-ta e Europës. Dhe ishte e bukur. Ngaqë i bukur qe futbolli i saj. Ishte pra, e 18-ta, sepse në renditjen e 24 finalistëve ajo ishte saktësisht e 18-ta. Kjo, ngaqë atë të mërkurë në mbrëmje, të 19 qershorit 2016, mbas eliminimit plot ankthe të Shqipërisë së Loro Boriçit (e emërtoj kështu sepse ky qe trajneri i parë që e themeloi atë për në një Kampionat Europian), unë rifilloja e plotësoja renditjen e fundoreve (finaleve) të Kampionatit Europian 2016, siç e kisha bërë me të tjerët në dy librat 1 dhe 2 “Kupa e Europës”. Tash ishte kjo renditje:

1. PORTUGALIA 13 3 4 0 9-5

2. FRANCA 16 5 1 1 13-5

3. UELLSI 12 4 0 2 10-6

4. GJERMANIA 11 3 2 1 7-3

5. ITALIA 10 3 1 1 6-2

6. POLONIA 9 2 3 0 4-2

7. BELGJIKA 9 3 0 2 9-5

8. ISLANDA 8 2 2 1 8-9

9. ZVICRA 6 1 3 0 3-2

10.KROACIA 7 2 1 1 5-4

11.ANGLIA 5 1 2 1 4-4

12.REP. E IRLANDËS 4 1 1 2 3-6

13.IRLANDA E VERIUT 3 1 0 3 2-3

14.SPANJA 6 2 0 2 5-4

15.SLLOVAKIA 4 1 1 2 3-6

16.HUNGARIA 5 1 2 1 6-8

17.TURQIA 3 1 0 2 2-4

18.SHQIPËRIA 3 1 0 2 1-3

19.RUMANIA 1 0 1 2 2-4

20.SUEDIA 1 0 1 2 1-3

21.REP.ÇEKE 1 0 1 2 2-5

22.AUSTRIA 1 0 1 2 1-4

23.RUSIA 1 0 1 2 2-6

24.UKRAINA 0 0 0 3 0-5

Por, përsëris ndërkaq se para kësaj, vetë kualifikimi paraprak për në 24-she ishte paraqitja po paraprake e bukur e Shqipërisë në “Euro 2016”. Dhe vetëm mbas saj, arritja e dytë ishte bukuria e saj në stadiumet madhështore franceze. Ndërsa arritja e tretë ishte vendi i 18-të. Dhe të gjitha për herë të parë në histori.

Duka-De Biazi

Sepse, për herë të parë në histori Shqipëria ishte kualifikuar për në fundoret (finalet) e një Kampionati Europian. Për herë të parë në histori Shqipëria sapo kishte treguar futboll të cilësisë së lartë ndërkombëtare në një Kampionat Europian. Për herë të parë Shqipëria ishte renditur e 18-ta midis 24 shteteve të rangut më të lartë futbollistik të Europës. Kishte lënë mbrapa jo dokëdo, por Rumaninë, Suedinë, Çekosllovakinë, Austrinë, Rusinë, Ukrainën (pa përmendur edhe nja 30 shtete të tjera jashtë këtyre finaleve).

Të gjitha shkolla të shquara të futbollit modern. E para ishte ajo danubiane austriako-çeke, madje e përbotshme për kah historia. Pranë saj mbërrinte ajo ballkanike e rangut më të lartë që ishte ajo rumune, teksa ajo kroate vazhdonte atje lart, së cilës do t’i duheshin vetëm edhe dy vjet që të shpallej nënkampione e botës. E prej këtu mbërrinim te sensacionalja e vendeve të fundit 23 e 24 të shkollës së pamatë ruso-sovjetike, tash nën emrat Rusi dhe Ukrainë. Krejt befas, na dilte se këtë herë mbrapa Shqipërisë ishin dy kampione të Europës (Çekosllovakia dhe Rusia (BRSS)) si dhe dy nënkampione të botës (Suedia e Çekosllovakia – Rep.Çeke).

Për historinë e Kombëtares së Shqipërisë asnjëherë më parë një vend i 18-të si ky nuk kishte qenë kaq i bukur. E, nga ana tjetër, nuk na i merrte Zoti mendtë saqë të mos kuptonim fort mirë që në fund të fundit, vend i 18-të ishte, edhe pse gati në një marramendje, nderet po i rrëmbente si të ishte i parë!… Kështu apo ndryshe, kishte ndodhur befasia e bukur shqiptare. Kishte ndodhur eliminimi i disa të mëdhenjve që përmenda më sipër.

Por kishte ndodhur edhe diçka tjetër. Kishte ndodhur që plot katër “të vegjël” të ishin midis 16 më të mirëve: një Uells dhe një Irlandë e Veriut, një Islandë e një Sllovaki. Dhe ndodhia më e madhe madje: ishin katër kombëtare britanike midis të 16-ave, duke përfshirë në to me “pa të drejtë” edhe Republikën e Irlandës pra; së bashku me Anglinë, Uellsin e Irlandën e Veriut! Si në Kupën e Botës 1958 kur kishin qenë katër britanikë të pastër: Angli, Uells, Skoci e Irlandë e Veriut. Ndërkaq, në shembullin irlandez të kësaj radhe (si një lloj “veri” e “jug”) kishim më të rrallën: një komb – dy shtete, dy kombëtare. Si të ishte një rast ëndërrimtar shqiptar: Shqipëri e Kosovë!

Një komb, dy shtete, dy kombëtare. Si për inat të pseudoatdhetarëve tonë, që me në krye francezin Michel Platini, nuk e donin assesi Kosovën në FIFA. Mirëpo, ja që midis të 16-ve të mëtejshëm ishte dhe një kombëtare e një shteti që kishte në përbërje gjashtë djem të racës shqiptare prej Kosove: Zvicra e Behramit, Dzemailit, G.Xhakës, Mehmedit, Shaqirit e Tarashajt. Deri dhe një mendim i sëmurë – i dalë paksa edhe prej disa njerëzve të zyrave të FSHF-së – i pati quajtur “tradhëtarë”. Pa harruar edhe një “gjerman”-shqiptar – kampion i botës në fuqi që quhej Shkodran Mustafi, emri i të cilit ua dridhte shtatin sidomos shkodranëve të atij që do të bëhej kapiteni më i ri në historinë e Kombëtares së Shqipërisë, Elseid Hysajt, 21-vjeçar.

Kur assesi nuk harronim se në krye të kësaj arritjeje qe një pinjuell i shkollës madhështore italiane të futbollit, asaj që së bashku me shqiptarët themeloi kampionatet kombëtare të Shqipërisë në vitet ’30. Madje, më 28 nëntor 1942 po së bashku me shqiptarët kishte themeluar në Tiranë deri dhe Përfaqësuesen e Kosovës. Quhej Gianni De Biasi. Kishte lindur plot 60 vjet më parë: pikërisht në një muaj kësisoj, qershor pra: më 16 qershor 1956 në Sarmede të Treviso-s. Kurrë nuk ia kishte marrë mendja se do ta festonte 60-vjetorin e tij në një ditë kësisoj të madhe europiane, teksa do të ishte zot i një Shqipërie po europiane të futbollit.

Ky ishte Kampionati Europian me jo pak ngjyra shqiptare – stacioni i parë i një faqeje të re të sapohapur. Tash do të shkohej shpejt, drejt e në Kupën e Botës, sepse do të mbërrinte për herë të parë Republika e Kosovës. Nuk ishte fort larg shtatori i 2016-ës. Po mbërrinte thuajse te pragu i tokës së Dardanisë… Dhe me mend në krye, shqiptarëve e Shqipërisë u duhej të ulnin tonet e tejkaluara të nacionalizmit të ngushtë futbollistik, për të rritur, përmes sportit e futbollit shqiptar, tonet realiste dhe ngjyrat autentike të shqiptarisë. Siç sapo i kishte rritur Shqipëria e bukur, e 18-ta e Kupës së Europës “Francë 2016”… Shqipëria e të gjithë shqiptarëve kudo që ishin. Por, po kaq edhe Shqipëria e një njeriu të vetëm me emrin Gianni De Biasi, italian “puro sangue”.

(Marrë nga libri i Besnik Dizdarit “SHQIPËRIA EUROPIANE e Gianni De Biasi-t”)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"