Pse jo? “Mbrojtja e Sportit Kombëtar”!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2019 | 22:58

Pse jo? “Mbrojtja e Sportit Kombëtar”!

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

(vijon nga numri i djeshëm)

4.

Shumë pyetje të lin din në këtë pjesë të dytë mbas tregimit të shpejtë të një lloj historie, si të thuash analitike (përimtuese), që u paraqit në numrin e djeshëm të gazetës. Dhe do ta lë mënjanë komentin. Pyetjet më vërshojnë, ndonëse të rreshtuara pa ndonjë kriter, pak a shumë shkencor apo social të një rëndese apo peshe, ato mund të jenë këto:

Viti 1936. Kompleksi sportiv i Gjimnazit të Shkodrës, ndër më modernët për gjimnazet e gjithë Ballkanit të asokohe. Punimet për ngritjen e tij i drejtoi prof. Irfan Tërshana.

Viti 1936. Kompleksi sportiv i Gjimnazit të Shkodrës, ndër
më modernët për gjimnazet e gjithë Ballkanit të asokohe.
Punimet për ngritjen e tij i drejtoi prof. Irfan Tërshana.

* Cila është gjendja e sportit shqiptar sot, në dhjetëvjetëshin e dytë të shekullit XXI?…

* Përse sot nuk gjen asnjë përgjigje për këtë gjendje të sporteve në Shqipëri?…

* Përse Shqipëria nuk ka pista atletike, qoftë dhe modeste, në të gjitha qytetet kryesorë të Shqipërisë?…

* Përse në Shqipëri nuk vepron e nuk funksionon Këshilli Kombëtar i Sporteve, të cilin, me aq seriozitet, e themeluam në fillim të viteve ’90?…

* Përse ndihet kaq pak roli i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH)?…

* Përse në prefekturat e Shqipërisë, në bashkitë, në qytete, në qendra të banimit, të mesme apo të vogla qofshin, nuk figurojnë instanca efektive, të cilat në mos të drejtojnë, të paktën të nxisin sadopak zhvillimin modern të sporteve?…

* Cila është ndërlidhja midis pavarësisë së domosdoshme të federatave sportive dhe qeverisë, e pse jo, edhe të shtetit?…

* Përse federatat sportive kombëtare, në kryesitë a presidencat e tyre, pothuajse shumica drejtohen vetëm nga “kuadro” kryeqytetase, të hershme apo të sapoardhura, pra, pa përfaqësues të domosdoshme të prefekturave, qarqeve apo të qyteteve kryesore të tjerë të Shqipërisë?… Çka do të thotë, që në to nuk mbërrin zëri i situatave dhe gjendjeve të sporteve nga të gjitha krahinat e shqiptare?…

* Cili është sot sporti në shkollë, sidomos në pasurinë e terreneve sportive e palestrat sado modeste, të paktën në qytetet kryesore të Shqipërisë?…

* A ka Shqipëria një veprimtari të rregullt sportive shkollore dhe përse ajo sot nuk ka asnjë veprimtari të përvitshme sportive kombëtare shkollore apo studentore?…

* Përse publiku shqiptar ka braktisur tribunat e stadiumeve të Shqipërisë, pra, thuajse i ka boshatisur ato?…

* Si mund të pranohet, për shembull, politika organizative tejet e ngushtë e Federatës Shqiptare të Sportit më popullor në Shqipëri, që është ajo e futbollit, të përjashtojë prej disa vitesh prej Kampionatit Kombëtar skuadra tradicionale të qyteteve të futbollit, vetëm e vetëm sepse në ngushtësinë e prepotencën e saj, ajo don vetëm 10 skuadra (madje 9) në Kampionatin e Shqipërisë që nuk është i saji, por i qyteteve, i kombit, i shoqërisë shqiptare?… Dhe këtë e bën pa i marrë mendim askujt, përveç rrethit të ngushtë të KE-së së saj? Nëse vërtet ky nuk është i nënshtruar keqas dhe pa iniciativë debati e mendimesh të ndryshme? Megjithëse, kohët e fundit, klube të tanë kanë kërkuar ndryshimin, shtimet në këtë Kampionat?…

Ilirian Suli, vendi i 5-të në Lojërat Olimpike (2000), renditja më e lartë e derisotme e Shqipërisë në olimpiada

Ilirian Suli, vendi i 5-të në
Lojërat Olimpike (2000), renditja më e lartë e derisotme
e Shqipërisë në olimpiada

* Përse FSHF nuk nxit themelimin dhe veprimin e Ligës Kombëtare të Futbollit, duke vazhduar të mbajë në tutelën e saj të tipit diktatorial drejtimin e futbollit shqiptar edhe deri aty ku asaj kurrsesi nuk i takon?…

* A nuk e kuptoni artificialitetin e organizimit të paradokohshëm të mbledhjes pompoze të lidershipit qeveritar me atë të FSHF për të ndalë dhunën në fushat e futbollit shqiptar, përderisa po kalojnë muaj dhe nuk ka asnjë masë apo vendim për të parandaluar?…

* Si po ndodh që prej vitesh në sportet shqiptare mungon përfitimi prej mendimeve të gjera, të shtrira, referendumesh e debatesh për problematikat e organizimeve të tij?…

* Përse sportit kombëtar nuk i dëgjohet assesi zëri në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve?…

* Vërtet, si mundet të ndodhë që Shqipëria zë vendin e fundit për financime qeveritare në sportin kombëtar në Ballkan e Europë, duke ia kaluar edhe Kosova e re?…

* Cilat janë kriteret për të përzgjedhur me konkurse e garë të pastër aftësish (ndonëse assesi nuk përzgjidhen) njerëzit që duhet të punojnë në këtë ministri, ku merret me mend që duhet të jenë personalitete kombëtare të kulturës fizike, të sporteve, madje të kulturës e dijeve kombëtare në tanësi?…

* E po kaq: cilat duhet të jenë dhe sa janë përsosur për kohën, kriteret aftësore të zgjedhjes së njerëzve në krye të federatave sportive kombëtare?…

5.

Dhe vazhdoj:

* Si ka mundësi që Shqipëria është ndoshta i vetmi shtet në Europë, ku mungojnë në mënyrë të pafalshme studime social-sportive apo dhe të ecurisë së zhvillimeve të kërkesave moderne të kohës së sporteve e të kulturës fizike?…

* Përse askush nuk ka guxuar të themelojë jashtqeveritarisht atë që po e quaj Akademia e Sporteve dhe e Kulturës Fizike në Shqipëri?… Dhe jo me shërbëtorë rrogëtarë funksionarë të pamerituar të Partisë, por me personalitete të sportit kombëtar, përmes të cilëve të ruhen vlerat dhe të ideohen politikat sportive në vend?…

Briken Çalja, vendi i 5-të në Lojërat Olimpike (2000 dhe 2016), renditja më e lartë e derisotme e Shqipërisë në olimpiada

Briken Çalja, vendi i 5-të në
Lojërat Olimpike (2000 dhe 2016),
renditja më e lartë e derisotme e
Shqipërisë në olimpiada

* Kur do të fitojë Shqipëria medaljen e parë olimpike në një sport, teksa ka mbetur ende i vetmi shtet në Europë, që nuk ka hyrë në renditjen medaliste olimpike?… Madje, që ndodhet edhe mbrapa Kosovës së re? Ndërkohë që në 8 olimpiada që ka marrë pjesë deri më sot, kurrë nuk ka arritur më shumë se një vend të 5-të (Ilirian Suli në Olimpiadën e vitit 2000 dhe Briken Çalja në atë të vitit 2016 në peshëngritje)?…

* Përse ministria apo qeveria e ulin aq poshtë autoritetin e tyre, madje deri aty saqë shpërblimin që i takon sipas ligjit një medalisti ndërkombëtar, mezi ia japin, ose ia japin vetëm mbasi kampioni i shquar shkruan tri herë në gazetë për ta kërkuar shpërblimin e tij?.

* Si është e mundur që qeveritë në Shqipëri deri më sot nuk kanë përcaktuar me ligj se cili është statusi i sportistëve të vlerave të mëdha mbas përfundimit të karrierës së tyre?… Apo dhe i trajnerëve të spikatun e me rezultate ndërkombëtare?…

* Si ka mundësi që deri më sot, thuajse asnjë prej themeluesve të organizmit modern të sportit shqiptar, që i përket viteve ’30, nuk janë nderuar prej qeverisë apo shtetit shqiptar?… Dhe po aq nuk është afirmuar vepra e tyre themeluese dhe e traditës?…

* Përse Shqipëria është e fundit në Europë në cilësimin e një ligji modern të sponsorizimeve në sport?…

* Si ndodhi që askush nuk bëzani për ndalimin prepotent të Lotarisë Sportive, e cila në shtetet e Europës është burim i madh financiar i mbështetjes së sporteve?… Dhe që pa pikë droje e me mungesë kulture e dije, lidershipi qeveritar, me arrogancë e në mënyrë mashtruese, e përfshiu Lotarinë Sportive me ndalimin e kazinove?…

* Përse flitet prej gati 30 vjetësh për privatizimin e klubeve sportive dhe deri tash nuk është bërë thuajse asgjë?…

* Sa mbështetet në ligje politika e ndërtimit të terreneve sportive anembanë Shqipërisë?…

* Përse shumica e stadiumeve të qyteteve shqiptare kanë një pamje të mjerë, që nga tribunat, deri te fasadat, që nga gardërobat e terrenet e tyre?…

* Përse nuk ka përpjekje, propozime, shikime e rishikime vendimesh për të filluar rindërtimin e stadiumeve sadopak moderne në Durrës e Vlorë, në Korçë e Gjirokastër, në Kavajë e Lushnjë, në Fier, e pse jo, në Lezhë, Peshkopi. Mirditë, Burrel, Krujë, Ballsh, Pogradec, Kuçovë, Tepelenë, Peqin, Devoll?… Por të sulmon kryeqyteti deri aty ku nuk është aspak e nevojshme? Çka tregon se financimet u gjetkan “krejt lehtë”? U kuptua: për përfitime zgjedhjesh bashkiake. Dhe gjithnjë, sikur të jetë fjala për para vetjake dhe jo të kombit në tanësinë e territorit të Republikës së Shqipërisë? Pra, “vetëm prej meje”. Jo prej ligjit, jo prej planifikimit të drejtë, jo prej vendimit demokratik, qoftë dhe bashkiak, jo prej shtetit, jo prej qeverisë, jo prej ministrisë… Me sa duket, prej kullave që denatyrojnë funksionin e stadiumeve. Dhe të gjithë këta, kurrsesi në bazë të një ligji apo të një planifikimi kombëtar shtetëror apo qeveritar… Jo, jo! Kurrë kështu. Por vetëm sepse “dua unë”, sepse “kam menduar unë”, sepse “plasni ju, por gjithnjë unë, vetëm unë”. Si të ishte në bahçen e vet. “Unë”, pra, ai që zë përnatë kopertinën e lajmeve kryesore të televizioneve servile ndaj tij?…

* Si ka mundësi që Shqipëria është ndër të rrallat shtete që nuk ka një laborator me të vërtetë shkencor për luftën kundër dopingut?…

* Si ka mundësi që në Shqipëri gati nuk iu dëgjohet siç duhet zëri sporteve të tillë si gjimnastika apo pingpongu, por në kërkesat moderne të kohës, edhe noti?…

* Përse Shqipëria është i vetmi vend në Europë, që nuk ka asnjë pishinë me parametrat olimpike për gara kombëtare e ndërkombëtare, kur ndonëse ujërat prej ku lind notimi masiv ledhatojnë një bregdet prej gati 400 kilometrash?…

* A thua po mendon ndokush që të paktën Durrësi, Vlora e Saranda të kenë pishinat e tyre olimpike garuese?…

* Po shahu, “sporti i mendjes”, i Shqipërisë dinjitoze të olimpiadave botërore, a mbështetet sadopak prej këtij vendi që quhet Shqipëri?…

* Përse kjo ministri, kjo qeveri, ky shtet, e ka zbehur sa s’ka ku shkon më Rrethin Çiklistik të Shqipërisë, që është i pari në Europë (1925) për amatorët dhe dikur me të kemi gjallëruar gjithë jetën e vendit?… Nuk e kritikoj Federatën Shqiptare të Çiklizmit, sepse e di fort mirë që për kushtet urbane të zhvillimit të një Rrethi Çiklistik, ajo nuk mund të bëjë asgjë për së mbari po nuk u mbështet fort prej tyre…

* Si ka mundësi që gati prej tridhjetë vjetësh, sporti i qitjes që i ka dhënë Shqipërisë kampionet e para të Europës, nuk e arrin më atë kohë?…

* Si ka mundësi që ministria, qeveria, shteti, nuk mbështet aspak një sport si volejbolli, i cili në vitet ’80 u bë elitë ballkanike dhe evropiane, madje, teksa sot ai nuk guxon t’u afrohet sadopak sukseseve të 30 vjetëve më pare?… Pak a shumë, po kështu edhe për basketbollin?… E, plot të tjera pyetje kësisoj…

6.

U lodha, vërtet!… E pra, mos duhet t’u kthehemi organizimeve të viteve ’30 të dr. Samimit me shokë?… Kjo pyetje sa duket naive, po aq duket dhe e guximshme. Megjithatë, një gjë u provua. U provua se sporti kombëtar në Ministrinë e Arsimit ka dështuar. Atje mund të ketë një sektor të fuqishëm për edukimin fizik dhe formimin sportiv në shkollat dhe kaq.

Të tjerat u provua se ajo nuk i bën. Më saktë, ndoshta ngaqë nuk dëshiron t’i bëjë. Natyrisht, nuk mund të mëtosh që Shqipëria të ketë një Ministri të posaçme të Sporteve, edhe pse e dimë që shumë shtete e kanë një të tillë. Shqipëria është e vogël dhe ndoshta nuk i shkon ky gjigantizëm. Mirëpo, që drejtimi i sportit kombëtar, tashmâ duhet dhe mund të jetë tjetër, edhe kjo u provua qartë. Më drejt, sportit i takon të jetë në duar e në mendje të tjera, më të fuqishme, më qytetare, më të një kulture e dijesh kontemporane. Mbi të gjitha, në një atdhetari të vërtetë e ndërgjegje kombëtare krejt të pastër.

Pa dyshim, fuqizimi i rolit të Komitetit Olimpik Kombëtar (KOKSH) mund të jetë një ndërmarrje e re, madje urgjente. Qoftë edhe duke u përfaqësuar në një komitet drejtues të tij të gjitha federatat sportive, kryetarët apo presidentët e tyre. Dhe ka që e kanë kështu. Në mënyrë që kjo rëndesë e peshës së vërtetë të olimpizmit përballë një ministrie e qeverie indiferente, të ndikojë apo të synojë që të mbërrihet te një drejtim plotësisht kompetent dhe i fuqishëm, nuk mund t’i kthehemi BFSSH-së së dikurshme dhe as Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve të Regjimit, ndonëse, siç e dini, diktaturat nuk e bëjnë fort keq sportin.

Sot, në demokraci, dihet, sporti merr një drejtim liberal, që themelon larminë e drejtimit të pavarun të federatave kombëtare sportive, por gjithnjë me detyrime ndaj kombit, zhvillimit dhe edukimit fizik sportiv e kulturor të rinisë. Po nëse e gjitha kjo personalizohet deri aty saqë federatat sportive nuk duan t’ia dinë as për ministri, as për qeveri, as për shtet e aq më pak as edhe për popull, rini a komb, e nga ana tjetër, po aq nuk duan t’ia dinë për ta as ministria, as qeveria, as shteti, atëherë ky nuk është drejtim liberal i vërtetë, por anarshi, moskryeçarje, një drejtim vetjak, prepotent, privat në kuptimin më të keq të kësaj fjale. Sigurisht, kjo duhet ndalë sa më parë!

Dr..Samimi, në vitet ’30, formoi grupin apo shoqatën “Mbrojtja e Sportit Kombëtar”. Edhe pse ajo nuk ia arriti ta shtrijë veprimtarinë e saj, ideja ishte e madhe. Atëherë, sot, a ka ndonjë ndikim e ashtuquajtura shoqëri civile në sportin kombëtar në Shqipëri? Në fund të fundit, çfarë shoqatash civile ka për sportet sot në Shqipëri? Më thoni një, një të vetme!

Mos ndoshta Shqipëria e sotme nuk ka njerëz të përshtatshëm për t’i themeluar dhe për t’i bërë efektive shoqëri të këtilla? Është vërtet interesant sesi ia ka arritur shoqëria e sotme sportive shqiptare të përjashtojë prej drejtimeve e përfshirjeve shoqërore, personalitete të sportit kombëtar. A thua ata janë plakur? A thua nuk duan? Apo ti nuk i do pranë, ngaqë ata dinë më shumë se ti?… Për shembull: a nuk mund të ndikonin sikur të ishin në një këshill, në një forum, në një shoqatë emra të tillë si:

Vangjel Koja, Shyqyri Rreli, Sabri Peqini, Vesel Rizvanolli, Kreshnik Tartari, Sokol Morina, Hysen Domi, Petrit Qendro, Bejkush Birçe, Agim Fagu, Vildan Tufi, Ramazan Rragami, Ilia Gaxho, Petraq Ikonomi, Marjeta Zaçe, Astrit Greva, Elizabeta Karabolli, Qemal Shalësi, Lumturi Markolaj, Mexhid Haxhiu, Esat Ademi, Flora Toto, Miço Papadhopulli, Ramazan Driza, Azis Ruli, Pleurat Tahiri, Petrit Stefa, Todi Driza, Mirush Deliallisi, Pandi Gëllçi, Eqrem Shaba, Jorgji Shundi, Kristaq Miço, Renato Radoja, Bujar Shehu, Vaso Shaka, Filip Guraziu, Neptun Bajko, Pavlina Evro, Ajet Toska, Klodeta Gjini, Artan Shyti, Lluka Heqimi, Arqile Marko, Skender Fusha, Arsen Hoxha, Gani Mezini…

Pa shkuar te emra të gazetarisë: Ismet Bellova, Ahmet Shqarri, Vladimir Grillo, Xhoxhi Vasili… Po të donit mund të shkoj edhe më tej, por kam frikë sepse në kësi rastesh, kujtesa edhe mund të të gabojë, me siguri edhe të harrosh emra, pa dashur mund “të ngatërrosh”. Ngaqë në sportin shqiptar është ngatërruar keqas vetë rendi i meritave. E unë nuk kam as të drejtë dhe as ndonjë funksion për të shpërndarë merita. Në këtë emëror, që nuk mund të jetë diçka absolute – e le të shpresoj se nuk kam gabuar, pra, sadopak në përmendje – vetëm sa desha që nëpërmjet tyre të prek problematikën e harresës dhe të mënjanimeve më të pafalshme që bëhen në Shqipëri edhe në këtë fushë.

Shqipëria sportive, duke filluar nga mosfunksionimi i Këshillit Kombëtar të Sporteve e duke ardhur deri te mënjanimi i personaliteteve të sportit kombëtar, po na ikën duarsh. Dhe është krijuar një hendek i madh ndarës, midis traditës dhe përvojës shumëvjeçare, me një të sotme, të cilën askush, sigurisht, nuk ka të drejtë ta nënvleftësojë, sepse dihet: përparësi merr përherë e reja. Mirëpo, ky hendek tash ka marrë përmasa. Kjo nuk ngjet në Europën e sotme. Shkoni e shihni, shkoni e merrni përvojë se do të gjeni një pleksje të përsosur të brezave, të diturive të brezave, të së djeshmes dhe të së sotmes.

Për fat, pikërisht në sistemin demokratik, Shqipëria nuk po e krijon ende elitën e saj të qëndrueshme të kohës së re, në sportin dhe kulturën fizike të kombit. Atëherë?… Ndoshta, para se të shkojmë te një mori ndryshimesh të tjera, veprimi i parë mund të ishte rikrijimi i shoqatës apo grupit të dr. Samimit, “Mbrojtja e Sportit Kombëtar”. Për të nisur me të shpëtimin e sportit të sotëm kombëtar, Sportin e Shekullit XXI. Qoftë dhe për ta tronditur deri diku qeverinë a shtetin shqiptar, KOKSH-në dhe të gjitha federatat sportive shqiptare, me synimin për t’iu kujtuar se edhe sporti është pjesë e jetës dhe edukimit të rinisë së një kombi. Mandej, të mbërrinim te riorganizimi, çka pa dyshim një ligj i ri i sportit, më modern se ky i sotmi, më specifikues, më kombëtar për vetë situatën e tashme të sportit shqiptar, t’ia arrijë të hapë një faqe të re.

Dhe duke detajuar e duke u dhënë vend shumë më tepër nga sa ka sot, detyrave dhe detyrimeve edhe të televizioneve kombëtare në përmirësim të domosdoshëm të raportit midis llojeve të ndryshme të sporteve, midis raportit sport kombëtar/sport ndërkombëtar, që kështu siç është, si në asnjë shtet tjetër të Europës, pa dashur po lufton, po mposht deri në paarsye përmbajtjen, pasqyrimin, trajtimin informativ dhe problemor të sporteve të kombit në Shqipëri. Jemi përballë kërcënimit të mbingopur, sidomos të trysnisë së futbollit ndërkombëtar – çka ka bërë t’i mëkojë rinisë shqiptare jo dashurinë për sportin kombëtar, por ksenomaninë thuajse “komerciale” vetëm për sportin ndërkombëtar, më saktë, vetëm për futbollin ndërkombëtar.

Praktikisht, kështu, po përçojmë te rinia një kulturë të gabuar sportive dhe të vetë kulturës fizike. Doemos, një ligj, duke ia nisur me rindërtimin e statusit të federatave sportive, të klubeve sportive, të privatizimit dhe të pavarësisë së plotë të tyre, të sportit të shoqërisë qytetare, të përforcimit dhe organizimit me dituri e përgjegjësi të plotë të ekipeve kombëtare, të financimit të ndershëm e të studiuar, të ndërtimit planifikues të objekteve sportive, të riorganizimit me ndjenjë, pse jo, me dhimbje kombëtare të kampionateve përkatëse të sporteve të Shqipërisë.

Dhe të gjitha këto, në përshtatje me natyrën, me veçoritë, me synimet e baraspeshuara, me kërkesat e zhvillimeve të sotme të Republikës së Shqipërisë në fushën e sporteve e të kulturës fizike në tanësi. Ndoshta, kështu do të niste edhe ajo, pra, “Mbrojtja e Sportit Kombëtar”, sport i cili, me sa duket, është më i pambrojtur se asnjëherë më parë dhe në rrezik të braktisjes prej vetë popullit, siç po shihet qartë se po ngjet. Natyrisht, për atë që don të shohë.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"