Pse jo? “Mbrojtja e Sportit Kombëtar”!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2019 | 21:58

Pse jo? “Mbrojtja e Sportit Kombëtar”!

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

1.

“Nji shoqni nuk do të thotë nji skuadër futbolli, përkundrazi nji shoqni asht një institut trupor, asht nji tempull i djelmnis dhe asht nji organ për përparimin mendor e trupor për brezin e ri që e mban në gjinin e vet”. Këtë, duke respektuar gjuhën zyrtare të gegnishtes së Elbasanit, e ka thënë qysh në 1933 dr.Vasfi Samim Visoka – një ndër themeluesit parësorë të sportit shqiptar. Përveçse një doktor dhe profesor i veterinarisë, i dalë prej universiteteve të Gjermanisë e Stambollit, një erudit i përmasave të kulturës kombëtare, një gazetar i shquar, por dhe një futbollist i spikatur i viteve ’30 me Flamurtarin e Vlorës dhe Sportklub Tiranën – madje kampion i Shqipërisë më 1931.

Dhe dihet ndërkaq, sa më shpesh që u kthehesh viteve ’30, ashtu modeste që kanë qenë në zhvillimin e Shqipërisë, po aq njihesh edhe me dëshirën e jashtëzakonshme të protagonistëve të asaj kohe për të themeluar për së mbari shtetin në të gjitha fushat e detyrimeve të tij. Kështu ka ndodhur edhe me synimin human për të zhvilluar kulturën fizike e sportet në Shqipëri, çka po ashtu ka qenë një ndërmarrje e jashtëzakonshme për kohën.

hysni bebeziqi 1959

Pati dërguar Mbretëria menjëherë në Romë për të studiuar edukatën fizike dhjetë shqiptarët e parë: Selman Stërmasi, Hajdar Jakupi, Luigj Shala, Eqrem Stërmasi, Azis Rexhepi, Spiro Shuteriqi, Aqif Domini, Niko Açka, Teni Frashëri, Malo Kodra – më pas figura të shquara të edukimit fizik e të sporteve në Shqipëri, thuajse krejt të panderuar sot. Në 1929 është viti i dytë i shqiptarëve që shkojnë për të studiuar po në Romë, po në ISEF (Instituti i Lartë i Edukimit Fizik), një gjashtëshe emblematike për kulturën fizike e sportet në Shqipëri: Irfan Tërshana, Adem Karapici, Mendu Agolli, Myfit Halimi, Xhevdet Skilja, Bexhet Jolldashi – të gjithë themelues të sportit kombëtar dhe të kulturës sonë fizike.

Vetvetiu, në mesin e viteve ’30, me ta shkëlqen edhe dr.Vasfi Samimi, i cili nuk ishte një universitar i edukimit fizik, por i veterinarisë, veçse një kampion i shquar, një gazetar sportiv dhe organizator i talentuar i sporteve. Do të kishim të bënim me një bashkim forcash të shumanshme të themelimeve organizativo-sportive të një stili krejt perëndimor. Ishin themeluar katër kampionate kombëtare: të çiklizmit, futbollit, atletikës, notit. Shqipëria ishte pranuar në dy federata ndërkombëtare (FIFA dhe IAAF). Dhe në gjithë këtë lëvizje sportive të shumanshme, dr. Samimi është protagonist. Ndërkohë, me një dekretligj të jashtëzakonshëm, më 6 qershor 1930 u themelua në Tiranë Federata Sportive Shqiptare – organ i Entit Kombëtar “Djelmnia Shqiptare” – organizëm që do të drejtonte sportet në Shqipëri.

Rëndësia historike e themelimit të FSSH qëndron në detyrimin e formimit në çdo qendër Prefekture, të Shoqatave Sportive Krahinore. Por, më 13 gusht 1935 në mbledhjen e përgjithshme të përfaqësuesve të shoqërive sportive e artistike jashtëshkollore, duke u bazuar në nenin 382 të Arsimit, themelohet në Tiranë Federata e Shoqërive Sportive e Artistike me emrin “Vllaznija Shqiptare”. Veprimtaria sportive ishte si gjithnjë nën patronazhin e Naltë të N.S.Mbretnore, Princeshës Myzejen, siç përcaktohej zyrtarisht. Kryetari i federatës “Vllaznija Shqiptare” emërohet Ministri i Arsimit, dr.Mirash Ivanaj. Ndërsa nënkryetar dhe shef i Seksionit “Djelmënia Shqiptare” kolonel Aqif Përmeti. Befasia e madhe është se sekretar i federatës “Vllaznija Shqiptare” emërohet një figurë e shquar sportive, i mirënjohuri Luigj Shala.

kombetarja e atletikes 1934

Nën drejtimin e matur e përparimtar të Mirash Ivanajt, Federata “Vllaznija Shqiptare” forcohet tejet dhe roli i saj në përforcimin e kampionateve kombëtare të futbollit, atletikës, notit e çiklizmit, do të vinte bazat e një organizimi sportiv më të përsosur. Më 28 nëntor 1935, Federata “Vllaznija Shqiptare” fillon dhe botimin e rregullt të përjavshëm të gazetës “Sporti Shqiptar” me drejtor Anton Mazrrekun – gjithashtu një personalitet i shumanshëm i lëvizjes sportive shqiptare. Është gazeta sportive më e vjetra në Ballkan, por që drejtimi i sotëm “demokratik” i Shqipërisë e shoi!

Ndërkaq, Federata Sportive Shqiptare, e mbas saj edhe “Vllaznija Shqiptare”, themelojnë Këshillin Teknik Arbitral Shqiptar, i cili ka në duart e tij gjithë udhëheqjen tekniko–organizative të sportit shqiptar. Nëse do të kërkonim të krahasonim me tipat e organizimeve të mëpasme të lëvizjes sportive, do të thoshim pa ngurrim se Komiteti Teknik Arbitral Shqiptar (KTASH) ka qenë një lloj Komiteti i Kulturës Fizike e Sporteve që ka sunduar Shqipërinë sportive të pasluftës për vite të tana.

2.

I pari KTASH i sapothemeluar përbëhet nga organizatori anglez i xhandarmërisë shqiptare, nënkolonel Oakley Hill, Luigj Shala, Eqrem Stërmasi, dr.Pjetër Guraziu, dr.Vasfi Samimi, Telemak Nushi. Në pjesën e kujtimeve të tij për Shqipërinë, një nga kryetarët e parë të KATSH, nënkoloneli anglez Oakley Hill, në kujtimet e tij, shkruan kështu për themelimin e KATSH:

“… Pas ca kohësh u mor vendimi për krijimin e një Federate Sportive, nën drejtimin e kolonelit gjenial Aqif Përmeti, për të drejtuar të gjithë sportin publik, që në atë kohë përbëhej nga futbolli, atletika dhe volejbolli. Koloneli nuk ishte ekspert, prandaj ngriti një Komitet Teknik që do ta kryente këtë punë për të. Emri zyrtar ishte Komiteti Teknik Arbitral Shqiptar, gjithnjë i quajtur KTASH… Mua m’u kërkua të merrja kryesinë e komitetit, gjë të cilën e pranova. Me mua punonin edhe tre shqiptarë dhe më vonë edhe pesë të tjerë morën postet e tyre. Të gjithë kishin luajtur futboll ose në shkollë, ose në kampionat (gjithçka ishte amatore asokohe), ose kishin qenë gjyqtarë. Ne kishim për detyrë të fiksonim kalendarin e Kampionatit dhe të pranonim zyrtarisht rezultatet. Sigurisht, na duhej të caktonim edhe gjyqtarët. Menjëherë nisëm një kurs trajnimi për gjyqtarët ekzistues dhe për kandidatët. Çdo javë kalonim orë të tëra me një tabelë përpara dhe lojtarë-model, duke ndërtuar kështu një organizëm të dobishëm gjyqtarësh. Duke pasur këtë pozicion të ri, unë nuk mund të gjykoja më. Të njëjtën vëmendje u kushtuam edhe sporteve të tjera… Në komitet u bëmë të gjithë miq për kokë dhe mbetëm të tillë për disa vite të këndshme në vijim derisa unë u largova nga vendi…”.

Më 7 prill 1934, kryetar i KATSH me vendimin e ministrit të Arsimit, dr. Mirash Ivanaj, është emëruar dr.Samimi dhe është zgjedhur edhe në 1935, edhe në 1936. Janë plot tre vjet pune intensive të tij në krye të drejtimit teknik të sportit shqiptar. Këto tre vjet janë vendimtare në forcimin e bazave të sportit shqiptar. Brenda këtyre tre vjetëve kemi veprimtarinë ndoshta më të pasur sportive që ishte zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri: Kampionatet Kombëtare të Futbollit 1934, 1936, Kampionati Kombëtar i Atletikës së Lehtë 1934, Kampionatin Kombëtar i Notit 1934, Rrethi Çiklistik i Shqipërisë 1936, pjesëmarrja dy herë e Shqipërisë në Olimpiadën Ballkanike Zagreb 1934 dhe atë Stamboll 1935.

Pa harruar anëtarësimin e Federatës Shqiptare të Atletikës së Lehtë në Federatën Botërore të Atletikës ë Lehtë (IAAF) – kjo e gjitha vepër iniciatore dhe ekzekutive e dr.Samimit. Në të gjitha këto veprimtari është pikërisht KATSH ai që drejton gjithçka deri në imtësi. Siç sanksiononte Statuti i Federatës Sportive dhe Artistike “Vllaznia Shqiptare” në kuadrin e Ministrisë së Arsimit, Komiteti (ndonjëherë thirret dhe Këshill) Tekniko Arbitral Shqiptar midis shtatë detyrave të tij, kishte mbidetyrën: “Me shfaqë kryesisht ose mbas kërkesës së Kryetarit të Federatës mendime teknike mbi çdo çështje që i përket sportit”.

Kësisoj, KTASH realisht është drejtuesi teknik autoritar i sportit kombëtar. Të gjitha rregulloret e ndryshme sportive duheshin përgatitur vetëm prej KATSH. Pa harruar se KATSH duhej të merrej me të gjitha imtësitë e omologimit të ndeshjeve dhe garave sportive, të sanksioneve disiplinore dhe të formimit e arbitrave të të gjithas sporteve, pavarësisht se futbolli ishte ai që sundonte. Është vërtet kuptimplote kur mëson se kryetari i KATSH, kishte të drejtë të propozonte vetë edhe anëtarë të Komitetit. Këtu dr.Samimi është gjithnjë i pagabueshëm. “Kam pranue si princip, – i shkruan ai Ministrisë së Arsimit, – me pasë bashkëpunëtorë persona të paanshëm, prandaj zgjedh si të tillë Z.Maj. D.R.Oakley Hill, nënshtetas anglez, njeri shumë korrekt, xhentil, dhe në vend të z.Bernardo që asht hikun për n’Itali, z.Eqrem Stërmasin, instruktor i Edukatës Fizike në Tiranë, i cili do të shërbejë edhe si sekretar i komisionit”.

Përzgjedhja është ndër më të goditurat: Hilli, anglezi i famshëm dhe pedagogu universitar i edukimit fizik, Eqrem Stërmasi – një ndër punëtorët më të palodhur të sporteve e kulturës fizike në Shqipëri, i cili po ashtu është zhdukur nga historia. Një vit më vonë, në 1935, Ministri i Arsimit, dr.Mirash Ivanaj, riformon KATSH-në me vendimin e tij Nr.93/19 të përbërë prej një gjashtësheje sa akademike e të një kulture, po aq dhe sportive: Kryetar dr.Vasfi Samimi, nënkryetar; nënkolonel Oakley Hill dhe anëtarë Luigj Shala, dr.Rexhep Krasniqi, Peter Andoni – pedagogu dhe rekordmeni i madh i atletikës, i cili në numrin e së hënës që shkoi të “Panorama Sport” qe protagonist i një shkrimit tonë.

E prej tyre, sot kujtoj se përveç burgosjes së dr.Samimit dhe nëpërkëmbjes së Luigj Shalës, tre të tjerët të ikur nga Shqipëria, partia do t‘i shpallte armiq të betuar të Shqipërisë!… Ka një raportim të karakterit studimor që dr.Samimi e ndien për detyrë t’ia parashtrojë qeverisë mbretërore qysh në ditët e para të emërimit të tij në krye të KATSH. Në thelb është një tjetër traktat “për zhvillimin e sportit tonë”, siç e emërton vetë “Doktor” ynë. Shtjellohen aty idetë e tij të amatorizmit në sport, të pavarësisë së tij nga tutela e qeveritare, ajo që ai e quan “formimi i një federacjoni civil”, “ndërtimi i stadiumit dhe rregullimi i kampeve në formë higjienike”, “naltësimi i kulturës së sportistit dhe të popullit”, sjellja “nga jashtë e disa mësuesve dhe trajnerëve”, “lejimi i të huajve me marrë pjesë në skuadrat tona”, “shtimi dhe përmirësimi i shoqërive sportive”.

Dhe, a nuk janë të gjitha këto edhe për sot, mbas 90 vjetëve?… Në të gjithë këto “pika”, siç detajon dr.Samimi, kupton se sa e përparuar është vetë mendësia e KATSH drejtuar prej tij. Ai përcakton se Tirana, Shkodra, Korça, Durrësi, Vlora, Elbasani, Kavaja, Berati, Gjirokastra, duhet të kenë stadiumet – qendra sportive dhe është interesant se ai i rendit qytetet si më sipër, nisur nga vetë mundësitë dhe tradita që sapo ishte përvijue në rrugën sportive të tyre. Ai është ndër të parët që kërkon ndarjen e sportit të shkollave nga ai kombëtar kompetitiv, çka u realizua menjëherë prej qeverisë mbretërore, por duke i dhënë sportit shkollor një organizim që për kohën qe i jashtëzakonshëm.

As sot Shqipëria nuk zhvillon veprimtari sportive kombëtare shkollore si në vitet ’30. Duket e pabesueshme, por kampionatet shkollore të kësaj periudhe të viteve ’30 në atletikë, futboll, basketboll e volejboll, përbëjnë një kapitull më vete në rrugën e themelimeve sportive në Shqipëri. Asnjë studim apo historik nuk ka sot për to. Nderim të organizatorëve të shquar, jo e jo. Mbetet krejt i rrallë organizimi i kursit për formimin e arbitrave të futbollit që dr.Samimi ideon, parashtron dhe në bashkëpunim me kolonelin Hill, ia arrijnë ta ligjërojnë përmes KATSH nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Arsimit.

Të thuash sot se në 1935 mbas një kursi në kërkesat e parametrave të FIFA-s, Shqipëria ligjëroi 36 gjyqtarë të futbollit, kjo natyrisht nuk mund të kalojë lehtë, si një episod i radhës. I thonë gati 85 vjet të shkuara. Shqipëria sportive sapo kishte filluar. Emrat janë të rrallë vërtet: Ndoc Gera, Aqif Domini, Ahmet Ashikja, Anton Fekeçi, Oakley Hill, Niko Gurashi, Luigj Shala, Anastas Shundi, Llazar Miha, Hajdar Jakupi, Haki Karapici, Fiqri Llagami, Dr.Shefqet Ndroqi, Samo Singer, Dr.Kristaq Strati, Pavllo Qirko, Skender Sadiku, Bahri Toptani… Shumica pedagogë, mësues, njerëz të shkollës e të kulturës, emra të dëgjuar të profesionit të tyre. Mandej mbërrin befasia historike: më 8 korrik 1937 njoftohet se FIFA ka lajmëruar Federatën Shqiptare se Luigj Shala, Eqrem Stërmasi dhe Llazar Miha përfshihen në listën e arbitrave ndërkombëtarë të FIFA-s! Janë të parët në historinë e Shqipërisë! Dhe është vërtet e çuditshme kur kujton se gjithë kjo veprimtari sportive-organizative nuk ishte parësore për një Vasfi Samim, sepse dihej që ai drejtonte ndërkohë ecurinë dhe zhvillimin e blegtorisë kombëtare. E, jashtë gjithë këtyre, ky njeri i jashtëzakonshëm ndodhet edhe në krye të lëvizjes sportive!

3.

Por papritmas, më 24 janar 1936, mbas tri vjetëve të një veprimtarie sportive dendësuese deri në skaj, dr.Samimi e ndien se duhet të japë dorëheqjen nga KATSH! Dorëheqjen, pra, atë që pakkush e njeh në Shqipërinë e sotme. Dr.Samimi e ka përmbledhur për bukuri shkakun e dorëheqjes në letrën e tij dërguar Federatës “Vllaznija Shqiptare” në Ministrinë e Arsimit, ku në drejtshkrimin zyrtar të kohës, thekson se:

“Tue qenë se na kemi mbrojt disa parime të federatës dhe organizimeve të sportit civil europian dhe atij të Ballkanit dhe me qenë se kemi kërkuar aplikimin e tyne në vendin tonë, në mes nesh dhe disa sportistëve tiranas kanë lindë disa mosmarrëveshje… Në këte rast e ndiej për detyrë me falenderue të gjithë shokët sportistë qi tre vjet me radhë më kanë besue kryesinë e këtij këshilli, gjithashtu falenderoj edhe eks kryetarët e Federatës Z.Z. Musa Juka ish-ministri i Brendshëm dhe dr.Mirash Ivanaj ish-ministri i Arsimit, të cilët tri vjet me radhë kanë pasun mirësinë me më inkurajue në punimet e mija… E ndiejm vehten shumë të prekshëm në kët moment, mbasi ka plot 20 vjet që merrem teorikisht e praktikisht me sport, nga ana tjetër po mbushen 5 vjet qi jam tue hecë paralelisht çape-çape me zhvillimet e sportit shqiptar pa pasun asnji fitim material, vetëm kam qenë i bindun se ky interesim ishte nji shërbim onorar për shëndetin dhe modernizimin e Djelmënisë Shqiptare. Me gjithë qi largohem nga nji detyrë zyrtare me përgjegjësi, prap se prap, jam në dispozicion të asaj Kryesije për me i atribue të gjitha ndihmat e mija që kanë me qenë të dobishme…”.

Nga këto radhë shihet se ligji përcaktonte që në krye të drejtimit të sportit kombëtar ishin gjithnjë ministrat e Arsimit (Musa Juka, Nush Bushati, Mirash Ivanaj) Eshtë një rëndësi e jashtëzakonshme që i jepej sportit kombëtar. Për çudi, në Shqipërinë e sotme, ministrat e Arsimit e të Sportit as nuk denjojnë ta përmendin ndonjëherë sportin kombëtar! Madje, as edhe të ngarkuarit e specializuar për sportet në këtë ministri, të cilët, sigurisht jo të gjithë, dinë ta shfrytëzojnë bukur e mirë këtë inspektorat të tyre ministror vetëm për interesa vetjake, interesa vetjake madje që bukur e mirë mund t’i sendërtojnë brenda orarit të punës, në tryezën e kompjuterin ministror, siç më tregonte një njeri i lidhur me këtë mjedis shtetëror – bazament i përfitimeve të shumanshme po vetjake.

Dhe natyrisht, me pagesë të rregullt mujore. Jo si dr.Samimi e shokët e tij vullnetarë emisionarë pa pagesë të sportit kombëtar të viteve ’30. Duket qartë se thelbi i fjalës së kësaj dorëheqjeje, në të vërtetë është një tjetër shprehje e filozofisë sportive që vjen prej shpirtit të vërtetë olimpik të një dr.Samimi. Me të njëjtën monedhë mirësie dhe ndershmërie, ia pranon dorëheqjen ministri i Arsimit dhe kryetar i Federatës, Nush Bushati, i cili i përgjigjet përmes shkresës zyrtare:

“Kjo Kryesi me hidhërim të madh pranon plotësimin e dëshirit t’Uej për me u largue nga KTASH-i… Shërbimet q’i keni pruem sportit në çdo rast, ashtu dhe shërbimi i Juej shumë i vlefshëm për disa vjetë si Kryetar i KATSH-it, na japin rastin t’ju falenderojmë nxehtësisht, dhe nga ana tjetër, siç e theksoni edhe ju vetë në shkresën t’Uej, që mas këndej Ju lutemi mos ta leni doret ndihmën t’Uej tepër të vlefshme, për mkambjen dhe mbarëvajtjen e sportit t’onë. Kryetari i Federatës Nush Bushati, ministër i Arsimit.”

A ka sot shkëmbime e vlerësime të tilla qeveritarësh e mendimtarësh të një filozofie sportive? Mos jemi 90 vjet mbrapa? E pra: kush punon sot në Ministrinë e Arsimit e të Sporteve të Republikës së Shqipërisë, siç vazhdoj të pyes? Teksa nuk ia dëgjojmë zërin asnjërit prej tyre për një çështje kombëtare të sporteve? Po a vërtet duhet t’u kthehemi viteve ’30 të Mbretërisë për të t’i marrë shembull për të sotmen, mbas bukur 90 vjetëve? Me sa duket, po. E, shteti qe formuar, e aq sa funksiononte në anën ligjore, po aq funksiononte edhe në mirënjohjen e një humanizmi të një stili të kancelarisë së tij, që edhe në atë Shqipëri modeste dhe ende të varfër e me probleme të shumta, i përkiste një stili të vërtet perëndimor. (Temë për një herë tjetër organizimet “e bujshme e origjinale” apo “marksiste” e “leniniste” të politikës sportive të regjimit komunist, aq më tepër kur dihet pra, se në synimet e tyre, diktaturat dinë ta organizojnë jo pak drejtimin e sportit kombëtar)..

Dhe shpejt mbas largimit të tij prej KATSH, dr.Samimi bëhet nismëtar i krijimit pa dyshim të së parës shoqatë joqeveritare të sportit shqiptar. E quan Grupi “Mbrojtja e Sportit Kombëtar”. Është një shoqatë tipike joqeveritare që ka si qëllim jo të zëvendësojë qeverinë apo shtetin, apo qoftë dhe Federatën Sportive Shqiptare, por për të marrë përsipër ato që të parat nuk i marrin. Mbi të gjitha, “të mbrojë” sportin shqiptar. Dhjetë janë parimet e “Mbrojtjes së Sportit Kombëtar”. Kësisoj, kemi të bëjmë me një lloj dekalogu, pa dyshim dekalogun e vetëm të derisotëm për sportin shqiptar. Pa dashur ta përimtojmë këtë dekalog, përmbledhim shkurt dhjetëshen e ideve të këtij dekalogu: “

Vënia e gjithë diturive të anëtarëve të Grupit në disponim të sportit shqiptar; asnjë ndihmë financiare prej Federatës, por nga nismat e privatëve; në çdo gjashtë muaj një vepër në dobi të sportit shqiptar; një etyd serioz për sportin shqiptar; propagandë e dobishme në shtyp; ndihmë materiale në një shoqëri sportive; zbulimi i talenteve më të mira; formim i shoqërive të vogla; anëtar të Grupit njerëz mbi 23 vjeç dhe që kanë një aktivitet mendor ose trupor; anëtarë që nuk mund të marrin pjesë në kampionatet kombëtare; ushtrim i sporteve për vete dhe jo për publikun; zbatim i ‘fair play’ (e shkruar edhe kjo kështu fjalë për fjalë prej Dr.Samimit mbi 80 vjet më parë); anëtarët gjithmonë të flasin për dobinë e sportit dhe të kritikojnë autoritetet për gjithçka që cenon emrin e mirë të sportit; veprime dobiprurëse të Grupit dhe bamirësi në botën e sportit; manifestime të posaçme për familjet që ndihmojnë fëmijët e tyre të merren me sport…”.

A vlen për sot? Pa dyshim. Madje, në situatën e sotme të sportit tonë kombëtar, e gjithë kjo filozofi e kësaj shoqate të parë joqeveritare në sportin shqiptar, është po ashtu edhe për të sotmen. Nuk ia vlen ta komentosh. Emrat për anëtarë rreth kësaj shoqate janë ndërkaq edhe më domethënës:

Ing. Qemal Butka, kiolonel Aqif Përmeti, kolonel Oakley Hill, Said Toptani, dr.Samimi, dr.Jorgoni, dr.Ali Erebara, Eqrem Stërmasi, prof. Gaqo Gogo, Anton Mazrreku, Ilia Daliu, Anastas Shundi, dr.Naim Vreto, Nikolla Verbica, dr.Stefan Shundi, Llazar Miha, Kleanthi Prosi, Jorgji Koja, Muhamed Halili, Hajdar Jakupi, prof. Avni Zajmi, Selman Stërmasi, Anastas Koja….

Për fat, duke hulumtuar, nuk na del se veprimtaria dhe efikasiteti i Grupit “Mbrojtja e Sportit Kombëtar” të ketë pasur një sukses mirëfilli. Në organizim Grupi nuk pati jetë praktike të gjatë. Vlejti dhe vlen si një përhapës, diçka si të thuash, iluministe dhe idetë e filozofisë së tij hap mbas hapi do të gjenin një shprehje edhe përmes pendës. Kjo ishte pjesa e parë e synimit tim të këtij shkrimi. Me dëshirën për të kujtuar se Shqipëria sportive nuk është fillestare në modernizmet e sportit kombëtar. Do të vazhdojë në numrin e nesërm, me “tregimin” problematik me të sotëm, e cila për çudi është diçka krejt tjetër…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"