BOKS/ Xhoshua përballë Prengës, sot dueli i madh në Arabi: Jam gati pushtoj universin, por fillimisht ta nis me tokën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2026 | 9:12

BOKS/ Xhoshua përballë Prengës, sot dueli i madh në Arabi: Jam gati pushtoj universin, por fillimisht ta nis me tokën

Dita e së vërtetës ka mbërritur. Mbrëmjen e sotme në Xhedah të Arabisë Saudite do të zhvillohet dueli i shumëpritur i boksit të peshave të rënda ndërmjet Antoni Xhoshuas dhe Kristian Prengës. Eventi i dueleve do të hapet në orën 18:00, ndërsa sfida mes britanikut dhe shqiptarit pritet të startojë rreth orës 23:00 të mbrëmjes.

814

Xhoshua u shfaq i qetë dhe me humor në konferencën për shtyp përpara rikthimit të tij në ring, duke falënderuar tifozët që kishin udhëtuar drejt Arabisë Saudite dhe madje duke ftuar edhe numrin e madh të mbështetësve shqiptarë që të sjellin “energjinë” e tyre në mbrëmjen e së shtunës. Boksieri britanik 36-vjeçar do të përballet me Prengën në duelin e tij të parë që nga aksidenti tragjik automobilistik në Nigeri, në dhjetor të vitit të kaluar, ku humbën jetën dy nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt, Sina Ghami dhe Latif “Latz” Ayodele. Një fitore ndaj Prengës do ta afronte Joshuan me superduelin e shumëpritur britanik kundër Tajson Furit, me “Gypsy King” triumfoi dje kundër polakut Marius Vah.

“Që nga janari kemi punuar pa u ndalur, me përkushtim maksimal dhe duke u fokusuar vetëm te puna”, deklaroi Xhoshua në konferencën për shtyp në Xhedah. “Jam plotësisht i përqendruar. E di që ekziston një objektiv më i madh. Synimi është të pushtoj universin, apo jo? Por fillimisht duhet të pushtojmë Tokën. Ky është misioni im këtu”, shtoi britaniku.

Xhoshua kishte mposhtur me nokaut yllin e rrjeteve sociale Xhejk Pol në Majami vetëm dhjetë ditë përpara aksidentit fatal. Megjithatë, britaniku nuk ka regjistruar një fitore ndaj një rivali të nivelit të lartë në peshën e rëndë që prej suksesit ndaj suedezit Oto Uallin në dhjetor të vitit 2023. Nga ana tjetër, Kristian Prenga, i cili jeton dhe stërvitet në Nju Xhersi të SHBA-së, numëron 20 fitore me nokaut në boksin profesionist dhe vetëm një humbje.

Megjithatë, 35-vjeçari shqiptar ende nuk është përballur me një kundërshtar të kalibrit të Xhoshuas. Menaxheri i tij, Keith Sullivan, e cilësoi këtë sfidë si një mundësi të madhe, ndërsa vetë Prenga u shpreh i bindur se do ta fitojë ndeshjen me nokaut. Xhoshua buzëqeshi kur u pyet nëse besonte se kjo ishte e mundur. “A mund të më nxjerrë me nokaut? Sinqerisht nuk e besoj. Por këtë e di vetëm Zoti”, u përgjigj britaniku.

Ndryshe nga konferencat e mëparshme, ku shpesh shfaqej i rezervuar, këtë herë Xhoshua u duk dukshëm më i çliruar. Ai la mënjanë kufjet që zakonisht mbante gjatë javës së ndeshjeve, bëri shaka me moderatorin për vapën përvëluese të Xhedahut dhe përshëndeti tifozët teksa ngjitej në skenë. “Jam ndeshur me boksierët më të shpejtë, më të fortë fizikisht dhe më të fuqishëm të peshës së rëndë. Kam luftuar me pretendentë dhe kampionë. Jam rrëzuar dhe jam nokautuar, por sot qëndroj i fortë dhe jam një milion për qind gati për këtë sfidë” deklaroi Xhoshua. Kur një tifoz shqiptar bërtiti nga salla: “Nuk je gati!”, britaniku iu përgjigj me sportivitet: “Të shtunën do ta zbulojmë. Dua ta dëgjoj zërin tënd gjatë ndeshjes. Dua atë energji në ring”.

PANORAMASPORT.AL