Dëmtoi muskujt e shpejtësisë në fundjavë, Shkurtaj mban në ankth Flamurtarin para Bylisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2024 | 20:57

Dëmtoi muskujt e shpejtësisë në fundjavë, Shkurtaj mban në ankth Flamurtarin para Bylisit

Vasil Shkurtaj shqetëson Flamurtarin përpara ndeshjes së ditës së hënë me Bylisin në stadiumin “Adush Muçaj”. Sulmuesi vlonjat pësoi një dëmtim gjatë ndeshjes së javës së fundit me Elbasanin, që u mbyll në barazim 2-2.

shkurtaj

“Panorama Sport”, mëson nga burime pranë klubit se 32- vjeçari ka probleme me muskujt e shpejtësisë. Pritet që sot t’i nënshtrohet një rezonance për të përcaktuar shkallën e dëmtimit. Trajneri Eqerem Memushi dhe stafi teknik shpresojnë të mos ketë ndonjë problem serioz. Gjithçka pritet që të shikohet gjatë ditës së sotme, ku do të shikohet edhe gatishmëria e Shkurtajt. Kontrollet paraprake nuk flasin për dëmtim serioz, por gjithsesi pritet fjala e rezonancës. Antoni Beji është një tjetër shqetësim për Flamurtarin. Nigeriani ka një inflamacion të meniskut dhe ka përfunduar terapinë. Aktualisht po i nënshtrohet vrapimeve dhe ushtrimeve aerobike.

Gjasat janë të kthehet për tri javë dhe të jetë gati për ndeshjet e “play off”-it. Beji u dëmtua fillimisht në ndeshjen me Korabin, ku pati një tërheqje në kofshë. Teksa u kthye nga ky dëmtim pas katër ditësh pësoi edhe atë që quhet degjenerim i meniskut gjatë seancës stërvitore në Pyllin e Sodës. Mësohet se edhe Fabio Hasa do të jetë gati për takimet e “play off”-it. Mesfushori 30-vjeçar ka pasur probleme me ligamentin. Lajm i mirë është se Erjon Vucaj mund të rikthehet javën që vjen, pas dëmtimit të ligamentin të brendshëm. Ndërkohë, është rikuperuar plotësisht Denis Pjeshka , që pati tërheqje muskulore. Kapiteni shkodran mungoi me Elbasanin për shkak të kartonëve, bashkë me Fjoralb Deliajn. Të dy do të jenë gati për ndeshjen me Bylisin.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"