Sot,18:00/ Pogradeci do titullin e Kategorisë së Dytë, Nikaj: Ndihemi të relaksuar! Kovaçi: Valbona bën gjithçka për trofeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2024 | 10:53

Sot,18:00/ Pogradeci do titullin e Kategorisë së Dytë, Nikaj: Ndihemi të relaksuar! Kovaçi: Valbona bën gjithçka për trofeun

Pogradeci luan sot finalen për titullin e Kategorisë së Dytë me Valbonën në orën 18:00 në stadiumin “Elbasan Arena”. Trajneri Samuel Nikaj beson shumë se pas ngjitjes në Kategorinë e Parë, skuadra e tij do ta mbyllë sezonin me trofe.

kategoria-e-dyte

“Edhe një kupë që nuk do të na bënte keq, edhe pse kemi arritur objektivin e ngjitjes. Na dukej sikur kishim një apartament mbi shpinë, si unë dhe lojtarët, prandaj dhe tani ndihemi të relaksuar pas arritjes së objektivit. Kam biseduar edhe me djemtë, që të shfaqim në këtë ndeshje një futboll të bukur dhe të fitojmë kupën. I studioj ndeshjet e kundërshtarit me videoanalistin tim dhe mendoj se Valbona ka fazë sulmuese shumë të mirë. Ata kanë lojtarë që kanë luajtur në Kategori të Parë dhe dinë të bëjnë diferencën. I vlerësoj shumë, por ne do të luajmë për fitore”, ka thënë Nikaj për “Panorama Sport”.

Trajneri shkodran foli edhe për të ardhmen.

“Rëndësi ka që ia arritëm të ngjiteshim dhe është mirë të shikosh një Pogradec në të ardhmen që të luftojë për vendet e para, e jo të endet në Kategori të Dytë. Kjo do të ndikojë mentalisht edhe tek akademia tashmë. Luftuam kundër një skuadre si Luftëtari që ka traditë në futboll më shumë se Pogradeci, por ne ia dolëm dhe gjej rastin të falënderoj të gjithë aktorët. Më vonë do të shohim të ardhmen, por ofertën e parë e kam për detyrë ta dëgjoj prej Pogradecit”, përfundoi Nikaj, i cili prej dy vitesh drejton skuadrën liqenore.

Valbona nuk e ka ndalur vrullin, edhe pse e gjithë skuadra është në delir nga ngjitja në të Parën. Mirëpo, në Tropojë duan që të mbyllin sezonin historik, duke marrë edhe titullin kampion të Kategorisë së Dytë. Një nga futbollistët që ka kontribuar shumë për fanellën tropojane këtë sezon është edhe Elvis Kovaçi, i cili deri një sezon më parë ishte pjesë e Superiores me Erzenin.

Lidhur me finalen e Kategorisë së Dytë kundër Pogradecit, për “Panorama Sport” ai u shpreh: “Është një finale mjaft e vlerësuar nga ana jonë. Do të tregojmë vlerat e Valbonës, që jo rastësisht arriti të ngjitej në Kategorinë e Parë. Kurrsesi nuk do të dëshironim dhe do na dukej si diçka e mangët nëse nuk e marrim këtë trofe. Këtë do ta tregojmë në Elbasan kundër Pogradecit. Jam plotësisht i bindur se edhe kjo kupë do të udhëtojë drejt Tropojës”. gfh

REDI DANDALLAKU DHE ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"