Skënderbeun nuk e kënaqi një pikë me Dinamon, Prençi: Na mërziti barazimi, duhej të kishim vonuar lojën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2023 | 16:46

Skënderbeun nuk e kënaqi një pikë me Dinamon, Prençi: Na mërziti barazimi, duhej të kishim vonuar lojën

Skënderbeu “qan” barazimin me Dinamon. Edhe pse janë futur fuqishëm në garë për ngjitjen, një fitore do t’i jepte më shumë forcë. Ervis Prençi nuk e bën dramë, ndërsa thekson se janë brenda objektivit. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi analizon atë që shkoi dhe nuk shkoi si duhet në kryeqytet.

skenderbeu

Vetëm barazim ndaj Dinamos. Ju kënaq ky rezultat?
Duke parë vështirësinë e ndeshjes, barazimi nuk është rezultat i keq. Luanin dy ekipe me pretendime madhore. Por nëse i referohemi mënyrës së lojës, mund të themi që na vjen keq. I kishim të gjitha mundësitë për të dalë me pikët e plota. Ai gol në fund na mërziti.

A duhet të kishit bërë ndryshe?
Mund të kishim menaxhuar më mirë minutat e fundit me vonesë në lojë apo mbajtjen e topit në zona jo të rrezikshme. Por kishim mundësi që ta mbyllnim më shpejt ndeshjen dhe kjo na mërzit.

Çfarë ka ky Skënderbe më shumë se ekipet e tjera të kësaj kategorie?
Ka forcën që të përballet si i barabartë, jo vetëm me ekipet e Kategorisë së Parë, por edhe me ato të Superiores. Pasqyrë e kësaj është ndeshja me Egnatian për Kupë. Treguam personalitet, sidomos në kthim.

Si e shihni garën për vendin e parë në renditje?
Që është garë e ashpër, është parë që në fillim të sezonit. Edhe po të fitonim me Dinamon, kampionati nuk do të ishte i mbyllur. Ka ende shumë ndeshje për t’u luajtur. Me ato që tregojmë ndeshje pas ndeshjeje, jemi në rrugën e duhur. Lojtarët po tregojnë rritje dhe po fitojmë akoma më shumë besim për të arritur tek objektivi maksimal.

Jeni brenda objektivit?
Sigurisht që jemi brenda objektivave. Nëse ne i marrim ndeshjet me radhë, impenjohemi maksimalisht dhe nuk kthejmë kokën pas, kemi shumë mundësi që të bëjmë mirë. Jam i bindur se me përqendrim dhe me ndihmën e Zotit do t’ia arrijmë qëllimit.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"