Skënderbeu s’ka kohë për të humbur, Ahmataj kërkon “DVD”-të e Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2020 | 9:46

Skënderbeu s’ka kohë për të humbur, Ahmataj kërkon “DVD”-të e Partizanit

Skënderbeu nuk ka më kohë për të humbur dhe as për të qarë humbjen në shtëpi me Kastriotin. Ndeshja ndaj Partizanit, është në derë dhe korçarët kanë filluar menjëherë përgatitjen për këtë takim. Julian Ahmataj ka kërkuar këtë herë të ketë në kohë rekord DVD-në e ndeshjeve të Partizanit këtë sezon, për të pasur kohë që të studiojë kundërshtarin, jo sikundër ka ndodhur ndeshjet e kaluara. Sikur të mos mjaftonte humbja e fundit dhe ditët e pakta në dispozicion për të përgatitur ndeshjen, trajneri i Skënderbeut ka edhe dilemat e formacionit, që janë të lidhura ngushtë me problemet e lojtarëve që munguan edhe në ndeshjen e fundit.
Ahmataj
MBROJTJA – Ky repart është një nga më të goditurit për sa i përket mungesave. Me Shalën, që edhe pse është bashkuar me grupin do ende kohë të jetë gati për një ndeshje zyrtare, nis kalvari i mungesave. Në dilemë është edhe kapiteni Meksi që nuk është stërvitur me grupin seancat e fundit dhe ende nuk dihet nëse do të rikuperojë vetën nga goditja e marrë apo jo. E njëjta gjë vlen edhe për Bicajn. Kapiten në ndeshjen e fundit, lezhjani duket se shtrëngoi dhëmbët pasi nuk ishte në top formë por bëri një paraqitje mjaft të mirë. Edhe seancën e parë të kësaj jave shtatlarti e ka zhvilluar veçmas dhe pritet të shihet në dinamikë si do të ecë.
Ahmataj Skenderbeu
MESFUSHA – Me Randin jashtë prej javësh, Skënderbeu ka humbur një lojtar të rëndësishëm në javët e para, sa i përket fizikut dhe rendimentit. Në anën tjetër, Ahmataj është gjithë sy e veshë nga Rrapaj, i cili në limite të ndeshjes me Kastriotin nuk u aktivizua për probleme fizike. Mesfushori vlonjat ende vijon të stërvitet veçmas dhe kjo shton pikëpyetjet. Për t’u cilësuar është edhe gjendja e Marës. Ndaj Kastriotit, mesfushori 21- vjeçar nuk ishte në formën e tij më të mirë dhe kjo u pa. Dëmtimi që e la jashtë për një javë e pak, i ka lënë ende gjurmë.

SULMI – Skënderbeu ka humbur Mensahun për shkak të atij kartoni të kuq të marrë në ndeshjen ndaj Kastriotit. Nga ana tjetër, korçarët duket se kanë fituar një tjetër ganez. Samuel Armah bëri një ndeshje të mirë dhe mund të jetë në majë të sulmit këtë takim, së bashku me Pusin dhe me Berishën, me këtë të fundit që do të rikthehet të luajë në pozicionin e tij natyral.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"