Skënderbeu nën hetim, zbardhen prapaskenat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2016 | 11:06

Skënderbeu nën hetim, zbardhen prapaskenat

Skënderbeu është zyrtarisht nën hetim nga UEFA që prej muajit nëntor të vitit 2015. Burime të sigurta të “Panorama Sport” treguan dje se dyshimet e institucionit më të lartë të futbollit për ndeshje të trukuara të Skënderbeut kanë nisur në periudhën kur skuadra korçare ishte e angazhuar në grupet e Ligës së Europës. ekipi kampion skenderbeu 2015-16Mirëpo, deri pak kohë më parë, mësohet se zyrtarisht nuk kishte mbërritur asnjë shkresë në FSHF dhe në klubin korçar për dyshimet e ngritura nga UEFA.

Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në këtë të fundit vetëm gjatë muajit prill të këtij viti vuri në dijeni palën shqiptare për hetimin që po i bëhej Skënderbeut. Nuk dihet nëse fillimisht është njoftuar FSHF apo vetë klubi kampion në Shqipëri.

Prej më shumë se një muaji, drejtuesit më të lartë të Skënderbeut e kanë ditur që UEFA po hetonte klubin për ndeshje të dyshuara si të trukuara, jo vetëm në Ligën e Europës, por edhe në kampionatin shqiptar. Kulmi arriti kur vetëm pak ditë më parë UEFA kërkoi të thërriste në një seancë dëgjimore presidentin e Skënderbeut, Ardjan Takaj, për ta njohur me atë me provat që kishte rreth ndeshjeve që dyshohet se janë trukuar për llogari të basteve.

Dy ditë më parë, presidenti i bardhekuqve ka qenë në Zvicër, pikërisht në selinë e UEFA-s, ku dhe është njohur me të gjithë investigimin e bërë.

Dyshimet

Gjatë së martës mësohet se është zhvilluar edhe një seancë dëgjimore në UEFA, ku inspektorët e kësaj të fundit i kanë treguar presidentit të Skënderbeut, përmes pamjeve filmike dhe disa fotove komprometuese, gjithçka që ata dyshojnë për ndeshjet e korçarëve. Takajt i është kërkuar të japë shpjegime për të gjitha rastet që UEFA dyshon rreth ndeshjeve në Ligën e Europës dhe kampionatin shqiptar.

Faktet që pretendon UEFA janë hedhur poshtë nga vetë presidenti, pikërisht para instruktorëve të çështjeve të etikës. Kreu i klubit korçar i ka cilësuar qesharake dyshimet që UEFA ka ngritur rreth ndeshjeve të Skënderbeut e për më tepër provave që organi më i lartë pretendon se ka për të dënuar skuadrën.

Burime të gazetës tregojnë se për ndeshje të caktuara, UEFA ka shfaqur foto të protagonistëve kryesorë të skuadrës, por edhe personave afër klubit dhe që njihen si mbështetës të tij. Gjithçka lidhet me kompanitë e basteve dhe ndikimin që ato kanë pasur në ndeshjet e skuadrës korçare.

Megjithatë, në seancën dëgjimore, Takaj ka shpërfillur gjithçka që UEFA mendon se është komprometuese. Megjithatë, qeveria e futbollit europian është shfaqur e bindur në provat që kishte, duke kërkuar sqarime nga Takaj për çdo detaj, qoftë foto, video apo lidhje me persona të ndryshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"