“Skënderbeu, i pari deri në fund”, Ruçi: Flamurtari dhe Dinamo rivalë shumë të fortë, por ne nuk ndalemi më

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2023 | 22:00

“Skënderbeu, i pari deri në fund”, Ruçi: Flamurtari dhe Dinamo rivalë shumë të fortë, por ne nuk ndalemi më

Skënderbeu kryeson kampionatin dhe të gjithë në kampin bardhekuq janë të bindur, se ekipi prej javësh është në rrugën e duhur. Por, pavarësisht pozicionimit aktual, pjesa më e vështirë e sezonit është në vazhdim dhe në Korçë janë të ndërgjegjshëm për atë që i pret.

SHKELZEN RUCI

Mbajtja e kryesimit është detyrë më e vështirë se kapja e tij, pasi presioni do të jetë i madh edhe prej faktit se skema e kampionatit të Kategorisë së Parë, nxit një konkurrencë të madhe. I këtij mendimi është edhe portieri elbasanas i Skënderbeut, Shkëlzen Ruçi, që ka një meritë të veçantë në sukseset e ekipit falë paraqitjeve që ka bërë në ndeshjet e fundit.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Ruçi tregon për objektivin e Skënderbeut dhe javët e mbetura, që sipas tij do të kenë të njëjtin përkushtim dhe përqendrim nga korçarët.

Ruçi, tashmë jeni në vendin e parë. Të kënaqur për këtë arritje në ndeshjet e fundit dhe sa besonit se mund t’ia dilnit?

Jemi shumë të kënaqur dhe do të kërkojmë që në çdo ndeshje të vazhdojmë rrugën e nisur. E vetmja mënyrë për të vazhduar kështu është që të japim maksimumin në çdo takim, duke qenë gjithmonë të përqendruar dhe mbi të gjitha duke menduar vetëm ndeshjen e radhës.

Është më e vështirë të kapësh kreun apo ta mbash atë?

Të dyja janë të vështira. Edhe marrja e kreut kërkon impenjim, sikurse edhe mbajtja e tij. Por, ne për momentin nuk jemi të fokusuar aspak atje dhe nuk e shohim asnjë moment renditjen. Shikojmë vetëm ndeshjen e radhës dhe kjo është më e rëndësishme.

Çfarë ka ndryshuar te Skënderbeu në këto 8 javë kampionat?

Mund të them se ka ndryshuar harmonia në ekip dhe qetësia që na ka dhënë trajneri që në ditën e parë që ka ardhur këtu. Ai ka ditur të nxjerrë më të mirën tonë, duke na kujtuar se çfarë jemi në gjendje të bëjmë.

Flamurtari është vetëm 1 pikë larg jush, ndërsa Dinamo 2 pikë. Cilin shikoni si rivalin më të fortë?

Nuk dua të flas në këtë pikë të sezonit për ndeshjet e të tjerëve apo edhe për rivalët. Unë e thashë edhe më sipër, se nuk e shohim kurrë rivalitetin me ekipet e tjera, por vetëm me veten tonë. Do të shikojmë deri në fund punën tonë. Por, gjithsesi të dy ekipet që ju përmendët janë me histori, që i mungojnë Superiores. Janë rivalë shumë të fortë, por përtej kësaj ne do të japim maksimumin që të çojmë Skënderbeun aty ku i takon.

Do të luani ndaj Burrelit në transfertë të shtunën, çfarë prisni nga ky takim?

Transfertat janë gjithmonë të vështira për çdo ekip, sidomos në këtë kategori. Kjo vjen për shkak se skuadrat kur luajnë në fushën e tyre kërkojnë gjithmonë maksimumin. Burreli meriton që të respektohet si të gjitha ekipet e tjera. Por përtej kësaj, ne jemi Skënderbeu dhe shkojmë kudo vetëm për të dhënë maksimumin dhe për të marrë fitoren.

LLAZI SARO  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"