Skemë me 5 mbrojtës, por Marantas habit me deklaratën: Luajtëm në… sulm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2019 | 16:11

Skemë me 5 mbrojtës, por Marantas habit me deklaratën: Luajtëm në… sulm

Luftëtari nuk fiton në kampionat prej dy muajsh, pikërisht kur më 14 shtator thyente në Gjirokastër skuadrën e Flamurtarit me shifrat 2-1. Një nga problemet më të mëdha të bluzinjve këtë sezon është fakti se përveçse pësojnë shumë gola, nuk arrijnë as të shënojnë rregullisht. 

jorgos marantas1

Vetëm 6 gola në 12 ndeshje janë shumë pak për një skuadër që pretendon të qëndrojë në Kategorinë Superiore, në një kohë që janë pësuar deri më tani 21 gola. Gjirokastritët janë skuadra e dytë më e dobët e kampionatit sa u përket golave të pësuar. Në tri ndeshjet e fundit të besuarit e Jorgos Marantas nuk kanë gjetur rrjetën, ndërsa kanë pësuar dy humbje dhe barazuar së fundmi 0-0 ndaj Teutës. Shpesh trajneri grek ka bërë lëvizje në formacion dhe ajo që ka rënë në sy është se në dy sfidat e fundit ka aplikuar një skemë me 5 mbrojtës.

Mirëpo, i pyetur nga “Panorama Sport” pas ndeshjes me durrsakët, se kishte aplikuar një variant shumë mbrojtës dhe u duk se ishte i kënaqur me një pikë, Marantas u nervozua. Në fakt, ai kishte rreshtuar në prapavijë plot pesë lojtarë si Lala, Isufaj, Kukaj, Qato dhe Prikas. Edhe pse rastet për shënim nuk munguan, sërish Luftëtari nuk shënoi për të marrë tri pikë. “Fillimisht dua të them se jam i mërzitur me barazimin. Nuk kam thënë se do të na mjaftonte një pikë në këtë takim. Ne luftuam për ta fituar ndeshjen me Teutën dhe jo më kot luajtëm në sulm deri në minutën e fundit.

Marantas Luftetari

Në asnjë rast nuk e ktheva skuadrën në mbrojtje. Mos duhet të qajmë që morëm një pikë? Luajtëm me një skuadër që është pretendente këtë sezon. Sigurisht ky barazim nuk mjafton, por në vazhdim do të bëjmë punën tonë dhe do të kërkojmë në çdo ndeshje fitore. Vuajmë sepse na mungon një sulmues që të shtyjë topin në rrjetë”, është shprehur Marantas për gazetën. Ndërkohë, në sfidën me durrsakët ra në sy mosaktivizimi i Andi Renjës. Për këtë, trajneri bluzi sqaroi: “Mungesa e Renjës në formacion është e justifikuar për arsye dëmtimi. Në ndeshjen e radhës me Flamurtarin jam i bindur se do të jetë një skuadër më e fortë dhe më e kompletuar”.

Tomor Shehu – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"