Skandali, KOKSH-i mashtroi për mënyrën e votimit për zgjedhjen e dy anëtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2020 | 12:22

Skandali, KOKSH-i mashtroi për mënyrën e votimit për zgjedhjen e dy anëtarëve

Me procedimin penal në prokurori, u mendua se skandalet në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar ishin ezauruar, por nuk qenka aspak kështu. Në KOKSH bëmat nuk kanë të ndalur, ndërsa në skenë së fundmi kanë dalë të tjera shkelje dhe mashtrime të rënda. Një ditë më parë gazeta pasqyroi një njoftim të bërë në faqen zyrtare të Komitetit Olimpik në lidhje me votimin që kishin bërë federatat anëtare të KOKSH-it për mënyrën e përzgjedhjes së dy anëtarëve të komitetit teknik, të cilët do të merren me ndryshimet statutore.
KOKSH-seminar-2017-Bello-Bezhani-Gjonaj
KOKSH bënte të ditur se federatave u ishte dërguar një e-mail me tri opsione, ku u kërkohej të zgjidhnin mes votimit “online”, atij me e-mail dhe votimit në sallë. Ndërsa njoftonte se shumica e federatave kishin zgjedhur mënyrën e votimit me e-mail. Por, me sa duket, ky është mashtrimi i radhës që del nga sekretaria e olimpizmit shqiptar, pasi disa prej federatave mohojnë që të kenë marrë një e-mail me tri opsione nga KOKSH për mënyrën e votimit të kandidatëve për komitetin teknik.
koksh
Një pjesë e federatave kanë denoncuar pranë gazetës këtë mashtrim, duke paraqitur njoftimin zyrtar me vetëm dy opsione, ku u kërkohet që të zgjedhin mes votimit “online” dhe atij me e-mail. Pra, federatat nuk janë pyetur për një votim të mundshëm në sallë, ndërsa kanë paraqitur pranë gazetës edhe faksimilen ku vërtetohet se kanë pasur vetëm dy opsione për të zgjedhur. Federatat janë të shqetësuara, pasi i druhen një manipulimi të mundshëm me një mënyrë të tillë votimi. Kujtojmë që një muaj më parë, presidenti Viron Bezhani ishte shprehur se disa anëtarë në komitetin ekzekutiv në bashkëpunim me sekretarin e përgjithshëm, z. Stavri Bello, po tentonin të manipulonin procesin e përzgjedhjes së dy anëtarëve të komisionit teknik për ndryshimet statutore, të cilët propozohen nga asambleja e KOKSH. Siç dihet, sipas rezolutës së miratuar më 9 shkurt, brenda këtij viti Komiteti Olimpik duhet të shkojë në zgjedhje për të kaluar ngërçin që prej kohësh e ka pushtuar këtë institucion, por më parë do të mbahet asambleja statutore. Ky veprim i bërë se fundmi nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, jo vetëm që nuk ndihmon në zgjidhjen e këtij ngërçi, por pritet ta tensionojë edhe më shumë marrëdhënien me federatat anëtare.

NJOFTIMI I KOKSH
koksh 2

Dy ditë më parë KOKSH publikoi në faqen zyrtare rezultatin e votimit ku thuhej se Komiteti Olimpik u ishte drejtuar federatave anëtare në lidhje me mënyrën e përzgjedhjes së 2 anëtarëve të komitetit teknik, duke u paraqitur tri opsione: me e-mail, “online” dhe në sallë. Komiteti Olimpik njoftoi se brenda afatit datë 29.08.2020, u përgjigjën duke shprehur qëndrimin e tyre 45 subjekte anëtare të KOKSH, ndërsa 7 subjekte të tjera nuk u përgjigjën. Sipas KOKSH rezultati i votimit ishte ky: 37 subjekte janë shprehur për mënyrën me e-mail. 1 subjekt është shprehur për mënyrën “online”. 7 subjekte janë shprehur për mënyrën në sallë. Kështu, bëhej e ditur se mbi bazën e qëndrimit të shumicës së anëtarëve, përzgjedhja e dy kandidatëve do të realizohet me e-mail. Por, siç e thamë edhe më lart, disa federata vërtetojnë se kanë marrë një e-mail me vetëm 2 opsione votimi, të cilin e paraqesim edhe me faksimile.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"