SKANDALI/ Çudira në “Asllan Rusi”, dalja e emergjencës bëhet… biznes privat (FOTO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2022 | 20:34

SKANDALI/ Çudira në “Asllan Rusi”, dalja e emergjencës bëhet… biznes privat (FOTO)

I ndërtuar në vitin 1963, pallati i sportit “Partizani”, që sot mban emrin “Asllan Rusi”, të një prej volejbollistëve më të mëdhenj të Shqipërisë, identifikon historinë e lavdishme të lojërave me dorë në vendin tonë.

ASLLAN RUSI 1

Për dekada me radhë ky ambient sportiv ka parë në parket legjenda të basketbollit, volejbollit apo edhe të sporteve të tjera, me sallën që gumëzhinte nga tifozët.

Por pas viteve ‘90 ky ambient që kishte shkruar historinë, gradualisht, paralel me aktualitetin e sportit në vend filloi ta humbiste shkëlqimin e dikurshëm.

Për vite me radhë në këtë terren nuk investohet, duke e çuar pallatin e sportit drejt amortizimit.

Ndonëse edhe sot mbetet ambienti kryesor i kryeqytetit, ku stërviten dhe luajnë masivisht ekipet që nga moshat deri te të rriturit, kushtet janë vërtetë skandaloze, duke nisur që nga dhomat e zhveshjes, banjat dhe gjithçka tjetër.

Në dimër temperaturat janë të acarta dhe nën normat e lejuara për të pritur aktivitete, ndërsa në verë gjithçka kthehet në një “furrë” mbytëse.

Por përtej pjesës së lënies në harresë nga organet kompetente për ta rikonstruktuar, prej vitesh pallati i sportit po shfrytëzohet barbarisht për të nxjerrë përfitime.

ASLLAN RUSI 2

Siç dihet pjesa e pasme, e kthyer në terminal për autobusët, është mbushur plot e përplot me kioskat e agjencive të udhëtimeve prej kohësh.

Por ajo që ka ndodhur së fundmi kalon çdo lloj imagjinate, teksa ka shkuar deri aty sa të bllokohet edhe dalja e emergjencës, për ta shndërruar atë në agjencinë e radhës të udhëtimeve.

Vetëm disa ditë më parë porta e tretë e sallës kryesore është mbyllur, në mënyrë që të shfrytëzohen për biznes privat edhe ato pak metra që kishin mbetur bosh.

Është një çmenduri e vërtetë vetëm ta mendosh mbylljen e derës së emergjencës, e jo më ta kthesh në realitet ashtu sikurse ka ndodhur, por Shqipëria mbetet vendi i çudirave dhe kjo është vetëm ajo e radhës…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"