SKANDAL / Manipulohet dënimi i futbollistit të Teutës dhe lejohet të luajë ndaj Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2017 | 14:45

SKANDAL / Manipulohet dënimi i futbollistit të Teutës dhe lejohet të luajë ndaj Skënderbeut

Skandalet e FSHF-së nuk kanë fund dhe ai i radhës është një veprim i paprecedent. Komisioni i Disiplinës në Federatë ka manipuluar vendimin e marrë më datë 13 tetor për të dënuar futbollistin e Teutës, Anel Dediç, me 5 ndeshje pezullim. Nëse hapet sot lajmi i publikuar nga FSHF në lidhje me vendimet e Disiplinës të kësaj date, mesfushori rezulton i dënuar me vetëm 2 ndeshje.

dedic2

Megjithatë FSHF nuk mund të manipulojë lajmin e publikuar edhe në mediat sportive në atë ditë. Kudo vendimi i Disiplinës për Dediç paraqitet me 5 ndeshje, ashtu si edhe në “Panorama Sport”.

dedic

Faksimile e vendimit të manipuluar në faqen e FSHF-së

dedic1

Faksimile e vendimit të parë të publikuar në “Panorama Sport”

Nga sa është njoftuar dje nga ambientet e klubit durrsak, për Dediç është paguar shlyerja me gjobë e gjysmës së dënimit prej 2 ndeshjesh pasi futbollisti mungoi në takimin e kaluar ndaj Kukësit dhe tashmë do të jetë i gatshëm për të zbritur sot në fushë kundër Skënderbeut.

Deri më sot ishte parë që Komisioni i Apelit të rrëzonte vendimet e dhëna nga Komisioni i Disiplinës, edhe pse mund të shkaktohej shumë zhurmë, por ndryshimi i vendimit nga vetë Komisioni i Disiplinës në fshehtësi të plotë është diçka që krijon një precedent shumë të rrezikshëm për të ardhmen…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"