Siti fiton Superkupën dhe i tremb rivalët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2012 | 13:53

Siti fiton Superkupën dhe i tremb rivalët

ÇELSI -MAN.SITI  2-3
GOLAT: Torres 40′, Bertrand 79’/ J.Ture 53′,
Tevez 59′, Nasri 65′
ÇELSI (4-4-1-1): Çeh, Ivanoviç, Luiz, Terri, Kol, Mikel, Lampard, Ramirez, Mata (Starixh 75), Hazard (Bertrand 71′); Torres Trajner: Roberto Di Mateo
MAN.SITI (3-4-1-2): Pantilimon, Zabaleta, Kompany, Saviç (Klishi 46′), Kolarov, De Jong, J.Ture, Milner, Aguero, Nasri (Silva 77′), Tevez (Xheko 89′) Trajner: Roberto Mançini
KARTONË TË VERDHË: Ramirez 32′, Mikel 43′, Lampard 46′, Kol 62′ Bertrand 80’/ Saviç 11′, Kompani 49′, Pantilimon 80′
KARTONI I KUQ: Ivanoviç 42′
Gjyqtar: Kevin Frend

Mançester Siti e nis aty ku e kishte lënë, më 13 maj. Ashtu siç bëri me QPR-në dhe siguroi titullin e parë pas 44 vitesh në Premier Ligë, fiton duke përmbysur edhe ndeshjen e parë zyrtare të sezonit të ri, e vlefshme për Superkupën e Anglisë. “Community Shield” u shkon qytetarëve pas 40 vitesh (e fitonin për herë të fundit në vitin 1972). Mundin 3-2 kampionët e Evropës në “Villa Park” të Birmingemit, edhe pse ishte Torres ai që i ndëshkonte në pjesën e parë. Por përgjigja e Turesë, Tevezit, Nasrisë, por edhe dalja me të kuqe e Ivanoviçit në pjesën e parë, e bën të pavlefshëm golin e Bertrandit në fund.
Çelsi e nis fort – Skuadra e Di Mateos e nis mirë ndeshjen. U rezistojnë sulmeve të “qytetarëve” pa Balotelin në tribunë, madje kalojnë në avantazh në minutën e 40-të. Një e majtë e Fernando Torresit finalizon një aksion personal të Ramirezit. Por deri këtu në stadiumin e Aston Vilës u zhvillua një luftë e vërtetë. Ndërhyrje brutale që e shëmtuan ndeshjen, e cila pritej të ishte reklama më e mirë e sezonit të ri. 8 kartonët e verdhë dhe i kuqi direkt i Ivanoviçit dy minuta pas golit, treguan dy ekipe që kishin humbur qetësinë, aq sa kryesori Kevin Frend e pati të pamundur ta kontrollonte lojën. Saviç u ndëshkua pas vetëm 10 minutash lojë, pas disa paralajmërimeve për ndërhyrje të ashpra. Por Ivanoviç do e tepronte, kur në përpjekje për të mos humbur një pasim të Territ, ndërhyn ashpër ndaj patriotit të tij Kolarov. Edhe pse nuk ndërhyri me të dyja këmbët, gjyqtari nuk mund ta falte duke i treguar direkt kartonin e kuq. Tani serbit i duhet të mungojë në ndeshjen e parë të Premier Ligës ndaj Uiganit dhe ndeshjeve në shtëpi me Ridingun dhe Njukasëllin. Dhe këtu përfundon ndeshja e Çelsit. Më herët David Luiz, Lampard dhe Mikel ishin paralajmëruar për ndërhyrje të ashpra.
Rikthehen kampionët – Me të nisur pjesa e dytë, Siti barazon me Jaja Turenë. Mesfushori nga Bregu i Fildishtë gjen golin me një të djathtë potente nga jashtë zone, pas krosit nga e djathta i Milnerit. Pas 7 minutash, Tevez gjen golin e avantazhit. Shmang kundërshtarët duke lëvizur horizontalisht, pastaj gjen hapësirën dhe kohën, dhe me një të djathtë të dhunshme gjen ekstremin e portës së Çehut. Përmbysja kompletohet pas 20 minutash, kur Nasri shënon fluturimthi me të majtën një supergol.
Blutë nuk dorëzohen – Shënon Bertrand i sapofutur në fushë 10 minuta nga fundi, pasi shfrytëzoi një pasiguri të zëvendësuesit të Hartit, Pantilimon. Portieri i dytë zëvendësonte numrin 1, për shkak të problemeve në shpinë. Ai pret keq një gjuajte nga larg të Starrixh dhe Bertrand e mposht. Por nuk mjafton. Mançini feston në të njëjtën ditë trofeun e parë sezonal, fitoren e derbit italian me Di Mateon dhe blerjen e parë të klubit, Xhek Roduell. Festë më të bukur nuk mund të kishte shpresuar…

Karlos Tevez, njeriu i ndeshjes
Një sezon më parë arratisej në Argjentinë në formë rebelimi ndaj Mançinit. Dje ka shkëlqyer në fushë, duke u zgjedhur dhe lojtari më i mirë i finales së Superkupës. Karlos Tevez shënoi një gol si në kohët e vjetra dhe ishte ndër lojtarët më të lëvizshëm në fushë. Mançini përpara pushimeve u ka dhënë një program regjimi të gjithë lojtarëve dhe “Apashi” duket se e ka zbatuar me përpikëri. 28- vjeçari u rikthye në Mançester 6.3 kg më i lehtë.

Mançini: Kur Tevez dëshiron të luajë, bën mrekullira
I kënaqet fitores, por edhe formës së Karlos Tevezit. Roberto Mançini beson se ish-kapiteni do të luajë një rol vendimtar në fatet e sezonit të ri, pas gjashtë muajve “luftë” me sulmuesin. “Jam shumë i lumtur, sepse Karlosi këtë vit ka bërë një fazë përgatitore të shkëlqyer. Nuk ka të krahasuar forma me sezonin e shkuar. Për një lojtar është e vështirë kur nuk luan. Sezonin e fundit na mungoi për 6 muaj, por tani e kemi gati. Ai është lojtar i nivelit botëror, kur dëshiron të luajë. Sezonin e shkuar shënoi 5-6 gola në 10 ndeshjet e fundit, edhe pse nuk ishte në 100%”, – tha menaxheri i “qytetarëve”. Italiani provoi edhe një herë tjetër të luante me skemën e re 3-4-1-2. “Krijuam shumë raste për gol dhe bëmë një ndeshje të mirë. Kur Çelsi kryesonte, ne ishim skuadra që kishte luajtur më mirë. Por në superioritet numerik, më duhet të pranoj se ishte një avantazh i dukshëm. Ndryshoi fatin e ndeshjes. Por ne luajtëm më mirë se Çelsi dhe e merituam fitoren”, – përfundoi ish-tekniku i Interit.

Kompani: Ky vetëm trofeu i parë, i duam të gjitha!
Për Vinsent Kompaninë, trofeu i parë i sezonit është vetëm fillimi në “Etihad”. Për lojtarin më të mirë të ndeshjes, Karlos Tevez, ai tha se nuk i interesonte nëse argjentinasi edhe këtë sezon ishte protagonist me sjelljet e tij për sa kohë ndihmonte ekipin të fitonte. “Mua nuk më interesojnë titujt e gazetave për zënkat mes Mançinit dhe Tevezit, për sa kohë klubi fiton trofe”, – u përgjigj mbrojtësi belg për rikthimin në formë të argjentinasit. “Ne kemi nisur festën. Përpara kemi një kampionat të vështirë me shumë rivalë cilësorë, ashtu siç e patë edhe sot (dje). Do tentojmë të sjellim në shtëpi çdo trofe të mundshëm. Kemi një skuadër fantastike”, – tha 26-vjeçari.

Mançini dy gëzime në një ditë, Siti transferon Xhek Roduell
Dje ka pasur të gjitha motivet për ta kujtuar si një nga ditët më të bukura të karrierës së tij në Mançester. Veç triumfit në Superkupë, thirrjet e Roberto Mançinit se “qytetarët” janë shumë mbrapa rivalëve në merkato, më në fund janë dëgjuar. Xhek Roduell është zyrtarisht blerja e parë e milionerëve këtë merkato. Mesfushori 21-vjeçar i Evertonit dhe kombëtares angleze është transferuar në “Etihad” për 20 milionë euro. Ai ka kryer vizitat mjekësore në Mançester ditën e diel dhe sot pritet të hedhë firmën në kontratë. “Xhek është një lojtar i ri. Në të ardhmen do bëhet një lider në mesfushën e Anglisë dhe shpresoj edhe te Siti. Na duhej prej kohësh një lojtar me karakteristikat e Roduellit”, – tha menaxheri italian pas zyrtarizmit. Ndërkohë që në komunikatën e Evertonit, konfirmohej marrëveshja: “Evertoni ka rënë dakord për transferimin te Mançester Siti të Xhek Roduell”. Siti kërkon afrimin e lojtarëve anglezë, për shkak të rregullave të Premier Ligës. Për këtë arsye është gati të transferojë dhe mesfushorin e Suonsit, Skot Sinkler.

Libri i Artë, Superkupa
2012 MAN.SITI
2011 Man.Junajtid
2010 Man.Junajtid
2009 Çelsi
2008 Man.Junajtid
2007 Man.Junajtid
2006 Liverpul
2005 Çelsi
2004 Arsenal
2003 Man.Junajtid
2002 Arsenal
2001 Liverpul
2000 Çelsi
1999 Arsenal
1998 Arsenal
1997 Man.Junajtid
1996 Man.Junajtid
1995 Everton
1994 Man.Junajtid
1993 Man.Junajtid
1992 Lids Junajtid
1991 Arsenal
1991 Totenhem
1990 Man.Junajtid
1990 Liverpul
1989 Liverpul
1988 Liverpul
1987 Everton
1986 Liverpul
1986 Everton
1985 Everton
1984 Everton
1983 Man.Junajtid
1982 Liverpul
1981 Totenhem
1981 Aston Vila
1980 Liverpul
1979 Liverpul
1978 Notingem Forest
1977 Man.Junajtid
1977 Liverpul
1976 Liverpul
1975 Derbi Kaunti
1974 Liverpul
1973 Bërnlej
1972 Man.Siti
Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"