Shtubina: Jemi “vrasës” në kundërsulm, ka kohë për objektiva

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2018 | 15:30

Shtubina: Jemi “vrasës” në kundërsulm, ka kohë për objektiva

E nis si mesfushor anësor, bën pa problem rolin e sulmuesit të parë dhe mbron me fanatizëm në prapavijë si të ishte mbrojtës i lindur. Ndriçim Shtubina është “njeriu-gol” i Laçit. Mesfushori 31-vjeçar nga Shkodra ia doli të hapë takimin ndaj Skënderbeut me një gol në minutat e para që më tej u dha mundësinë kurbinasve të kalonin presionin në anën e korçarëve.

shtubina

Në fund të ndeshjes, shkodrani i shoqëruar nga dy djemtë e tij të vegjël, menjëherë sapo del nga stadiumi, tregon për “Panorama Sport” përgatitjen për sfidën ndaj korçarëve, “armën” sekrete për ta mposhtur, si dhe objektivat e kurbinasve apo të tij personal. Me katër gola të shënuar, Shtubina ka kontribuuar në 12 pikë që kanë marrë kurbinasit këtë sezon, duke u bërë… shpëtimtari i Laçit. Sa herë që ai ka realizuar në këtë edicion, Laçi ka marrë tri pikët (Laçi-Skënderbeu 2-0, Luftëtari-Laçi 0-1, Kamza-Laçi 0-1 dhe Laçi-Luftëtari 2- 1), ndërkohë që ka startuar 11 nga 12 takimet e deritanishme si titullar.

Tjetër gol personal. Çfarë ndjesie keni kur shënoni rregullisht?

Kjo nuk është kënaqësi vetëm personale, pasi edhe skuadra po lufton dhe prandaj arrijmë që të gjejmë golin. Gjithsesi, e rëndësishme është që skuadra po fiton dhe na duhet që të ruajmë këtë vazhdimësi, të rrimë me këmbë në tokë dhe të shohim përpara.

E nisët si sulmues anësor ndaj Skënderbeut e më pas bëtë edhe mbrojtësin…

Në fakt, jam mësuar me këto role dhe tanimë nuk më bën më përshtypje. Unë jam i gatshëm të bëj gjithçka duhet që skuadra të marrë rezultate pozitive për të qëndruar ndër vendet e para.

Si ishte përgatitur përballja me Skënderbeun, pasi e nisët agresivë që në start dhe mbrojtët me kujdes?

Po, të them të drejtën, agresiviteti është cilësi e skuadrës sonë. Mendoj se kundërsulmi ishte “arma” jonë e fortë në këtë takim dhe besoj se ia arritëm të bënim atë që duhet.

Ku mund të shkojë Laçi me çfarë po tregon deri më tani?

Duket e çuditshme, por ju them që ne nuk duam të vendosim objektiva. Ne mendojmë vërtet për ndeshjen e radhës dhe më pas do të shohim se deri ku mund të arrijmë.

Cili është objektivi juaj personal këtë sezon?

Jo, nuk dua që të kem një mendim dhe objektiv të tillë. Kjo, për faktin se në momentet që kërkon me ngulm një objektiv të caktuar, nuk e arrin. Mendoj vetëm që të stërvitem mirë, të jap maksimumin çdo herë që jam në fushë dhe më pas të tjerat vijnë vetë. I shoqëruar nga dy djemtë.

Ka kuptim t’ju pyes për dedikim të golit që i shënuat Skënderbeut?

(qesh…) Me djemtë e mi jam gjithmonë i pandashëm. Në fakt, dedikimi është për ta dhe familjen time, gjithmonë sa herë që kam diçka për të festuar.

Olsi Tujani

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"