Shkëmbi: Ju tregoj bisedën me Levin, Skënderbeu do të jetë serish për titull

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2012 | 14:05

Shkëmbi: Ju tregoj bisedën me Levin, Skënderbeu do të jetë serish për titull

“Për një moment mendova se u shkatërruam, por ekipi është po ai. Jemi sërish për titull, edhe pse largimi i Gjergji Muzakës na ka hapur një gropë në mesfushë”. Kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, në një intervistë për “Panorama Sport”, flet pas ndryshimeve të fundit që kanë ndodhur në klubin korçar. Ai tregon edhe bisedën me trajnerin Stanislav Levi, pak çaste përpara se ky i fundit të zyrtarizonte largimin nga pankina korçare.
Bledi, brenda pak ditësh ndodhën shumë ndryshime në klub. Për ju ishte diçka e pritur?
Të them drejtën kishim dëgjuar disa fjalë pas përfundimit të sezonit, por mendonim se ishin vetëm thashetheme. Normalisht, ne si lojtarë disa gjëra i kuptonim, por vetëm atëherë kur ato ndodhën i besuam totalisht. Të vjen keq, por gjithsesi ne morëm premtimin e presidentit të ri, Takaj, dhe u qetësuam. E besoja që do të mbahej fjala dhe kësisoj tani puna vazhdon normalisht.
Çfarë menduat kur presidenti Zeqo zyrtarizoi largimin?
Kam menduar në momentin e parë se Skënderbeu do të katandisej si mos më keq. Thashë se u shkatërruam si skuadër pasi, nëse do ta linte i gjithë grupi i donatorëve Skënderbeun, atëherë do të ishte shumë e vështirë të ndërtohej një ekip si ky që është sot.
Është larguar edhe trajneri Levi. Çfarë përshtypje ju la?
Duhet të kuptoni që ne si lojtarë jemi mësuar me ikjet dhe ardhjet e trajnerëve. Levin e kemi respektuar të gjithë, që nga presidenti, ne si futbollistë, por edhe tifozët. Arritëm të dilnim kampionë me të në krye të pankinës dhe, sigurisht, më erdhi keq kur mësova se do të largohej. Gjithsesi, ne jemi profesionistë dhe e dimë që ndodh edhe kështu.
Kur Levi u largua a ju takoi?
Po, sigurisht që jemi takuar.
Çfarë ju ka thënë më konkretisht?
Së pari, më ka falënderuar, ashtu si dhe unë atë për këtë bashkëpunim që patëm. Nga biseda e shkurtër që bëra, më mbeti në mendje kjo fjalë e tij: “me sinqeritet po të them, tani që po largohem, se ishit një ekip i shkëlqyer dhe me djem të mrekullueshëm. Ishte superkënaqësi për mua që punova me ju”.
Klubi ka emëruar Josën në krye të pankinës. Mendoni se është zgjedhja e duhur një trajner shqiptar, pas largimit të një të huaji?
Kur u largua Levi ishim të sigurt se drejtuesit do të zgjidhnin një trajner të aftë dhe me eksperiencë. Unë personalisht, por edhe i gjithë grupi i lojtarëve, mendoj se Josa është trajneri i duhur për të na çuar te titulli i tretë radhazi. Në çdo ekip që ka qenë e ka treguar veten, kështu që kam besim të madh se do të arrijë suksese edhe te Skënderbeu. Për më tepër, Josa e njeh mirë ambientin në Korçë dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Janë larguar Xhafaj, Allmuça, Bratiç dhe Muzaka, ndërkohë që ka ardhur Pejiç, Kuli dhe Lilaj. Është forcuar, apo dobësuar ekipi?
E kam thënë edhe më parë në gazetën tuaj, që do të dëshiroja të ruhej i gjithë grupi dhe të plotësoheshim me dy-tre lojtarë cilësorë. Një prej tyre ishte Pejiç, që tashmë është pjesë e skuadrës. Gjithsesi, përtej ndryshimeve që janë bërë, ekipi aktual të bind. Edhe me këtë grup që kemi, jemi të aftë për të dalë sërish kampionë. Tani mos prisni që unë të them se jemi më të fortë, apo më të dobët. Kjo do të shikohet në vazhdimësi, por jam i sigurt se jemi ende të aftë për të fituar trofe.
Me këtë grup lojtarësh, cilin pozicion shikoni si më të domosdoshëm për të ndërhyrë në merkato?
Nuk dua të futem në kompetencat e trajnerit. Gjithsesi, nga sa jam në dijeni, klubi po mendon të bëjë ndonjë afrim. Personalisht nuk shikoj se kemi ndonjë emergjencë të madhe, por ndoshta largimi i Muzakës na hap vërtet një gropë në mesfushë.
Keni ndonjë sugjerim për klubin?
Edhe nëse do të thosha ndonjë sugjerim, tani nuk jam në gjendje, pasi lojtarët që pëlqej, janë nën kontrata.
Nisur nga përbërjet aktuale të skuadrave rivale, kujt i druheni më shumë për sezonin e ri?
Nuk bëhet fjalë për frikë, por ajo që mund të them, është se Tirana, Flamurtari dhe Vllaznia, në pamje të parë bindin. Do të jemi katër për titull, por pa harruar Teutën, që është një skuadër që mund të të hapë shumë probleme.

Lilaj firmos, kroati Biskup refuzon ofertën
Sabien Lilaj mund të quhet zyrtarisht pjesë e Skënderbeut për sezonin 2012-2013. Mesfushori korçar, pas disa ditësh pezull, dje ka hedhur më në fund firmën nën kontratë. “Tani jam pjesë e Skënderbeut. Pas takimit që menaxheri im pati me presidentin Takaj, gjithçka përfundoi me sukses. Jam i lumtur që do të luaj për skuadrën e qytetit tim të lindjes”, – ka thënë dje Lilaj për “Panorama Sport”. Në fakt, edhe pse lojtari është korçar, nuk është aktivizuar asnjëherë për Skënderbeun. Ai ka debutuar në kampionatin shqiptar me Tiranën, ndërsa më pas luajti një sezon në Kroaci me Lokomotivën e Zagrebit. Ndërkohë, krejt ndryshe qëndron situata me mesfushorin kroat, Luko Biskup. Edhe pse u përfol se lojtari kishte firmosur, nuk ka ndodhur kështu. Mësohet se ai e ka refuzuar ofertën e parë të drejtuesve. Burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se kërkon 30 mijë euro në sezon. “Jam ende në bisedime me klubin. Do t’i shohim gjërat me kujdes dhe më pas do të vendos. Dëshira ime është që të qëndroj këtu, por duhet që klubi të m’i plotësojë kërkesat”, – është shprehur Biskup.

Zhan Pol mbërrin sot në Korçë, tani pritet firma
Zhan Pol, lojtari i shumëpërfolur për t’u bërë pjesë e Skënderbeut, do të mbërrijë sot në orën 23:00 në Shqipëri. Burime të sigurta pranë klubit korçar tregojnë për “Panorama Sport” se presidenti Ardian Takaj ka arritur më në fund marrëveshjen me menaxherin e futbollistit. Pol është nën kontratë me klubin belg, Beveren, dhe pritet të huazohet te Skënderbeu për një sezon. Mesfushori me tipare sulmuese duket se do të jetë zëvendësuesi ideal i Gjergji Muzakës, i cili është larguar nga korçarët. Nga sa mësohet, për t’u bindur nga gjendja e tij, pritet që Pol të aktivizohet nesër në miqësoren ndaj Kastriotit. Drejtuesit e Skënderbeut kanë thuajse 8 muaj që e ndjekin këtë lojtar, teksa edhe ish-trajnerit Levi i ka pëlqyer, por në janar akordi nuk u arrit. Tashmë mbetet për t’u hedhur vetëm firma e futbollistit 28-vjeçar, i cili ka luajtur në të kaluarën edhe me Lokerenin. Ndërkohë, emri i tij i plotë është Zhan Pol Kielo Lezi.

Presidenti i ri e nisi nga Shehi dhe Shkëmbi
Orges Shehi dhe Bledi Shkëmbi do të jenë sërish liderët e Skënderbeut për sezonin e ri. Edhe presidenti Ardian Takaj, ashtu si i larguari Agim Zeqo, zgjodhi të njëjtën rrugë për të filluar rinovimet e kontratave. Portieri dhe mesfushori u thirrën të parët dhe, pas takimit që patën me presidentin Takaj, nuk ishte e vështirë arritja e marrëveshjes. Pas akordit me “senatorët”, më pas gjithçka u thjeshtësua, pasi edhe titullarët e tjerë firmosën një e nga një kontratat e reja. Boshti i skuadrës është ruajtur, në një kohë që Skënderbeu është prekur edhe nga largime titullarësh. Emra si Bratiç, Muzaka, Allmuça dhe Xhafaj nuk do të jenë më pjesë e skuadrës kampione, por kundërshtarë të saj.

Stërvitja, Josa po mendon për anti-Tiranën
Stërvitja e djeshme e Skënderbeut është bazuar kryesisht tek ushtrimet teknike dhe puna me top. Trajneri Mirel Josa, pasi ka provuar për katër ditë formën fizike të lojtarëve, duket se ka nisur ta rrisë ngarkesën, në mënyrë që të jenë sa më në formë për fillimin e kampionatit. Dy kanë qenë mungesat dje në stërvitje për trajnerin Josa. Bëhet fjalë për mesfushorin Biskup (edhe pse nuk ka firmosur) që vazhdon të ndjejë shqetësime në kofshën e djathtë dhe kapiteni Shkëmbi, i cili po kryen fazën e rikuperimit. Shkëmbi do t’i mungojë ekipit edhe në takimin e Superkupës kundër Tiranës, që do të luhet më 19 gusht në stadiumin “Qemal Stafa”.

Dilema për titullarët, nesër testi i parë
Të enjten Skënderbeu do të zhvillojë takimin e parë miqësor nën drejtimin e Mirel Josës. Në orën 18:00, në stadiumin “Skënderbeu”, do të zhvillohet ndeshja ndaj Kastriotit, ku Josa do të ketë hapësirë të shohë forcën e ekipit dhe, më pas, të vlerësojë se ku janë mangësitë dhe mundësitë për forcimin. Për formacionin ka disa dilema, sidomos në repartin e mesfushës. Deri më tani janë bërë tri afrime zyrtare në ekip. Bëhet fjalë për Bekim Kulin, Pero Pejiçin dhe Sabien Lilaj. Prej dy ditësh pranë ekipit zhvillon stërvitjen edhe mbrojtësi i ri, Thano, i cili ka qenë pjesë e akademisë së AEK-ut të Athinës. 19-vjeçari është në provë.
JORGIS MEMO / LLAZI SERBO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"