“Shën” Bufon, pritje si bardhezi deri 50 vjeç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2019 | 19:54

“Shën” Bufon, pritje si bardhezi deri 50 vjeç

Shokët e përkëdhelin, UEFA e nderon dhe tifozët e bekojnë. Ndërkohë, Xhanluixhi Bufon shijon jetën prej zëvendësi, edhe pse në ndonjë rast nuk do të donte të privohej nga kënaqësia e të zbriturit në fushë.

Bufon

Të shtunën pasdite doli nga “Allianz Stadium” me një uri të çmendur për makarona “alla karbonara”. Këtë ushqim, gardiani bardhezi ia lejon vetes vetëm dy herë në vit, sepse e di fort mirë që në moshën e tij rregullat nuk mund të shkelen më shpesh se aq.

Falë edhe këtij profesionalizmi ekstrem, Bufon tregon se mund të jetë konkurrues në moshën 42-vjeçare pa humbur dëshirën për të synuar gjithnjë maksimumin.

FORMË BOTËRORE – “Vitet ikin, klasi jo”, me këtë fjali UEFA duartrokiti në rrjete sociale numrin 77 bardhezi pas grushtimit shpëtues në goditjen e Santanderit në fundin e sfidës mes Juves dhe Bolonjës. Mënyra se si ndali sulmuesin bolonjez, për shumë njerëz mund të ketë kujtuar pritjen ndaj Zidanit në finalen e Kupës së Botës së 13 viteve më parë ndaj Francës.

bufon

Në fakt, kjo ndërhyrje e kujtuar nga tifozët ishte më pak e komplikuar se ajo që Bufon kreu të shtunën mbrëma. Nuk është rastësi që pritjen ndaj Zidanit, Xhixhi nuk e ka përfshirë kurrë mes atyre më të rëndësishmeve të karrierës së tij. Kundër yllit francez portieri hapi krahun dhe grushtoi, ndërsa Santanderit iu përgjigj me dorën tjetër, çka e bën më të komplikuar teknikisht pritjen. Nuk duhet harruar se të shtunën ndodhej në tokë, iu desh të gjente pozicionin përpara se të kryente atë pritje që në fund i dhuroi Juventusit tri pikët.

STRIKT DHE I RREPTË – Shkathtësi, instinkt dhe reflekse të jashtëzakonshme, dhunti këto që nuk lindin, por që duhen kalitur çdo ditë. Bufoni ka mësuar prej kohësh se sa më shumë të kalojnë vitet, aq më rëndësi marrin hollësitë. Tejet strikt tek ushqimi, 42-vjeçari i kushton rëndësi të madhe edhe pushimit. Në çdo stërvitje paraqitet 90 minuta më herët duke qenë se bën edhe seanca masazhesh dhe fizioterapie duke mos anashkaluar asgjë nga ato që janë kriteret e jetës së atletit.

bufon

Një tjetër sekret është Klaudio Filimi, trajner portierësh i ardhur te Juvja së bashku me Xhixhi Delnerin. Ky i fundit u shkarkua, ndërsa Bufon këmbënguli për të mbajtur përgatitësin me të cilin ishte “dashuruar” me shikim të parë. Bufonit i pëlqen ky përgatitës, sepse arrin t’i marrë maksimumin pa e rënduar. Të dy punojnë shumë për teknikën, e cila e ndihmon të kalojë kufijtë fizikë që i vendos mosha.

PËLQIMI ME SARRIN – Manjak i perfeksionit, Bufon ka gjetur tashmë në qendrën stërvitore të Juves një të ngjashëm si Kristiano Ronaldo. Me portugezin ka një raport të veçantë, ashtu siç e ka me Sarrin që e përfshin gjithmonë edhe për çështje të lidhura me dhomat e zhveshjes. Pas pak takimesh me trajnerin, Bufon zhduku edhe çdo dyshim që kishte për rolin që do të kishte brenda dhe jashtë skuadrës pas kthimit nga përvoja franceze me PSG-në.

bufon pritje

Xhixhi u rikthye te Juventusi për familjen, por edhe sepse ndihet ende një lojtar që mund të bëjë diferencën. Edhe Sarri është i këtij mendimi dhe këtë ia ka bërë të qartë duke e aktivizuar tri herë në kampionat, me portierin që është vetëm 4 prezenca larg rekordit të Paolo Maldinit. Nga ana e tij Bufon e di fort mirë se nuk i përballon dot 60 ndeshje në sezon dhe ka mësuar të menaxhojë trupin e tij duke shfrytëzuar çdo mundësi që i jepet. Gjithçka me lehtësinë e djaloshit që vetëm 17 vjeç tregonte klasin në kuadrat me fanellën e Parmës. Tashmë e di se nuk duhet t’i tregojë asgjë askujt, por kjo është shtysa për të dhënë maksimumin.

KUOTA 50 – “Xhixhi është një lider i këtij Juventusi”, tha pak ditë më parë Miralem Pjaniç. “E për më tepër bën pritje si ajo ndaj Santanderit. Tashmë ai nuk na habit, sepse të gjithë e shohim çdo ditë se çfarë bën në stërvitjes. Është numri 1 i të gjitha kohërave mund të them”.

Bufon nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë një portier normal e tashmë, edhe pas të 40-ave nuk e ka humbur vesin e të qenurit vendimtar. Me PSG-në, përjashtuar sfida kundër Junajtidit, ka përjetuar një nga sezonet më të larta në aspektin e pritjeve vendimtare. Tani për tani është e kotë ta pyesësh se kur do të varë dorezat në gozhdë: sepse deri sa të ndihet mirë, do të vazhdojë të kridhet në mes të një porte. Mbase deri sa të mbushë 50 vjeç.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"